Përditshmëria përmes artit

“Në këtë ekspozitë kam dashur të paraqes përditshmërinë time që unë jetoj çdo ditë, jo vetëm unë si artiste por edhe njerëzit. Në këto punime kam paraqitur spektrin, pra spektrin e ngjyrave, paletës sime që unë e përdori dhe pikturoj me to”, ka thënë piktorja

Ulqin – Pas Shkodrës, piktorja e re nga Malësia, Monika Dukaj, ka hapur të shtunën mbrëma ekspozitën e saj të titulluar “Spektër” në Galerinë “Kulla e Balshajve” në Kalanë e Ulqinit.
Në punimet e prezantuara ajo paraqet përditshmërinë që ajo si artiste, por edhe njerëzit jetojnë çdo ditë.
“Në këto punime kam paraqitur spektrin, pra spektrin e ngjyrave, paletës sime që unë e përdori dhe pikturoj me to”, është shprehur piktorja në hapje të ekspozitës.
Në punimet e saj mbizotëron ngjyra e verdhë.
“Ngjyra e verdhë mund të tregojë edhe dritën, edhe emocionin, edhe ndjeshmërinë”, ka sqaruar Dukaj.
Motivet e pikturave të saj janë të ndryshme. Në to “mund të shihni edhe frutat, edhe enë, që një njeri i zakonshëm ose një vëzhgues tjetër nuk mund t’i dallojë, kurse një artist i sheh dhe i dallon me syrin e tij artistik”.
Udhëheqësi i Muzeut të Ulqinit, Gazmend Kovaçi, ka thënë se punimet e piktores kanë rëndësi edhe për trashëgiminë kulturore, pasi që përmes artit të saj ajo ndihmon në ruajtjen e trashëgimisë.
Ai ka theksuar se përmes kësaj ekspozite në fokus kemi trashëgiminë kulturore.
Të pranishmit i ka përshëndetur drejtori i Qendrës së Kulturës – Ulqin, Musa Hoxhiq.
Monika Dukaj ka mbaruar studimet themelore për pikturë dhe grafikë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ka specializuar në Fakultetin e Arteve Pamore të Universitetit “Mediteran” në Podgoricë. Punon si mësimdhënëse e artit figurativ në tri shkolla fillore në Malësi. Kjo është ekspozita e dytë personale e piktores, ndërkohë që ka ekspozuar në disa ekspozita kolektive dhe ka marrë pjesë në koloni arstistike.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 22 janar 2022.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat