Tuz – Tridhjetë e tre studentë nga Malësia janë përfitues të bursës së sivjetme, të cilat u ndanë para pak ditësh nga Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” me seli në Nju Jork, bashkërisht me Zyrën për bashkëpunim me diasporën të Komunës së Tuzit. Ceremonia solemne e ndarjes së bursave u mbajt në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit. Në këtë eveniment, nga Komuna e Tuzit në emër të të gjithë prindërve dhe studentëve kanë falënderuar Shoqatën “Malësia e Madhe” për mbështetjen financiare të studentëve.
Kujtojmë se Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” e themeluar para afro tridhjetë vjetësh, ka qenë adresë e rëndësishme e filantropisë ndaj vendlindjes, në shumë sfera të jetës.
Ajo, që nga koha kur u jetësua si shoqatë humanitare, dha një kontribut të jashtëzakonshëm monetar në mbështetje të shumë gjeneratave të studentëve malësorë, të cilët studimet e tyre i kanë ndjekur nëpër universitete brenda dhe jashtë vendit, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, etj.
Shoqata në fjalë ka mbështetur dhe financuar edhe shumë projekte të rëndësishme kapitale në Malësi, një mision të cilin e vijon edhe sot.
t. u.
