Reflektim i thellë dhe shumëdimensional

“Një politikë moderne, një politikë që shkon përtej gardhit të partive politike, ajo që ka në qendër njeriun e thjeshtë, atë punëtorin, atë fermerin, atë mësuesin, atë shkrimtarin, atë inxhinierin, por që ka vërtet në qendër njeriun. Kjo është çfarë unë kam tentuar në këtë libër – ta trajtoj politikën si një gjë që shkon përtej një grushti politikanësh apo partive politike”, është shprehur Leskaj

Ulqin – Politikania e njohur shqiptare dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Valentina Leskaj, ka përuruar të dielën mbrëma në Ulqin librin e saj “Politika si ide”, botuar nga Shtëpia Botuese “Toena”.
Libri është konceptuar në formë të bashkëbisedimit me gazetaren Alda Bardhyli, ku Leskaj merret me dy çështje themelore – me politikën në demokraci dhe me çëshjen e popullsisë, respektivisht problemin e moshimit të popullsisë.
“Gjithsesi, përpos këtyre dy çështjeve unë merrem shumë me mënyrën se si ne e shohim tjetrin, atë të ndryshmin, sepse kjo pa dyshim ka lidhje edhe me mënyrën se si ne bëjmë politikë apo se si i ndërtojmë marrëdhëniet me njëri-tjetrin”, ka thënë ajo.
Leskaj ka thënë se shpesh politika konceptohet në mënyrë të gabuar, si ajo që prodhohet brenda gardhit të partive politike, apo ajo që flitet në emër të politikanëve të caktuar.
“Një politikë moderne, një politikë që shkon përtej gardhit të partive politike, ajo që ka në qendër njeriun e thjeshtë, atë punëtorin, atë fermerin, atë mësuesin, atë shkrimtarin, atë inxhinierin, por që ka vërtet në qendër njeriun. Kjo është çfarë unë kam tentuar në këtë libër – ta trajtoj politikën si një gjë që shkon përtej një grushti politikanësh apo partive politike”, është shprehur ajo.
Ish-deputetja ka pranuar se vendimi për tërheqjen e saj nga politika (në vitin 2017) i ka dhënë mundësinë për një gjykim më të saktë dhe më të ftohtë të gjërave, ndonëse ka thënë se edhe kur ka qenë pjesë aktive e politikës është përpjekur që të mos përdorë gjuhë agresive apo gjuhë urrejtjeje, që e karakterizon politikën shqiptare.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit – Tiranë, Alda Bardhyli, ka thënë se Leskaj artikulon mbi gjuhën e urrejtjes, mbi kulturën politike, dy binome të lidhura fort me njëra-tjetrën, të cilat vijnë në një analizë ndoshta për herë të parë në diskursin publik shqiptar.
“Leskaj është pararojë në këtë libër edhe për çështje të tjera, siç është ajo e popullsisë, artikuluar herët që në vitin 1992, kohë kur drejtonte Qendrën për Popullsinë dhe Zhvillimin apo më vonë kur drejtonte Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, duke kërkuar vëmendjen e duhur ndaj një problemi serioz dhe tepër kompleks, referuar statistikave. Artikulimet e saj mbi këtë çështje e çojnë mendimin shqip në sferën e diskutimeve bashkëkohore për popullsinë, të cilat pas pandemisë COVID-19 kanë zënë faqet kryesore të shtypit botëror”, ka theksuar ajo.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar – Tiranë, Dr. Dorian Koçi, ka thënë se ajo që arrijmë të lexojmë në faqet e këtij libri është sfida e tejkalimit të vetvetes, njohja e tjetrit dhe mungesa e kulturës së udhëheqjes, por në të njëjtën kohë ndërtimi i strukturave të tilla të dialogut për të bërë të mundur që Shqipëria dhe shoqëria shqiptare të arrijë një stad më të lartë të zhvillimit sesa kemi parë deri tani.
Sipas tij, ajo që është e veçantë në këtë libër është se për sfidat më të mëdha në botën e sotme, Leskaj nuk jep receta të gatshme, por në të kundërt, përmes shembujve konkretë të aktivizmit të vet në shoqëri kërkon të bëjë një ftesë për debat, sidomos brezit të ri për të qenë aktiv në politikë dhe për t’u dhënë përgjigje këtyre sfidave.
Për drejtoreshën e Shtëpisë Botuese “Toena”, Irena Toçi, “Politika si ide” është një reflektim i thellë dhe shumëdimensional, analizë e moderuar e çështjeve të mëdha që shtrohen për zgjidhje, konkluzione dhe ide të reja që shtjellohen në një dritë të re.
“Përvoja e gjatë jetësore e znj. Leskaj në kuadër të punës së saj si themeluese dhe drejtuese e një prej organizatave më aktive dhe frytdhënëse në Shqipërinë e pas viteve ’90 – Qendrës Shqiptare të Popullsisë dhe Zhvillimit, bashkëpunimi i saj me OKB-në dhe UNESCO-n, më pas karriera e saj e gjatë, e shkëlqyer dhe pa të metë në politikë, si në qeversijen e institucioneve të larta të Shqipërisë, por edhe të institucioneve të Këshillit të Evropës, ishin humusi i nevojshëm nga ku lindën dhe u zhvilluan idetë e shtjelluara në librin ‘Politika si ide’”, ka thënë ajo.
Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Gzim Hajdinaga, ka folur për njohjen me Leskajn dhe për ndihmesën e saj për shqiptarët në Mal të Zi.
Ai ka thënë se Leskaj, qoftë si ministre apo në pozitën e saj në Kuvendin e Shqipërisë, ia ka hapur dyert kur ka shtruar kërkesa për të rinjtë shqiptarë në Mal të Zi, si regjistrimi i studentëve në universitetet e Shqipërisë, dhe ka eliminuar barrierat në komunikim.
Hajdinga e ka falënderuar Leskajn për kontributin e saj, duke thënë se “nuk ka më mirë se në mënyrë simbolike t’ia kthejmë pak këtë të mirë që ka bërë për ne”.
Përpos publikut vendas, të pranishëm në përurim ishin, ndër të tjera, edhe disa deputetë e ish-deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë përurimit, pianisti Lluka Markoviq ka luajtur pjesë në piano.
Përurimi i librit “Politika si ide” është organizuar nga Organizata Turistike e Ulqinit dhe Qendra e Kulturës – Ulqin.


Vizitë në Librarinë “Ulqini”

Para përurimit të librit “Politika si ide”, autorja Valentina Leskaj dhe drejtuesit e Shtëpisë Botuese “Toena”, Fatmir dhe Irena Toçi, në prani të kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, dhe drejtorit të Organizatës Turistike të Ulqin, Gzim Hajdinaga, kanë vizituar Librarinë “Ulqini”, të hapur para disa ditësh.
Me këtë rast Shtëpia Botuese “Toena” ka dhuruar disa libra për këtë librari.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat