Tuz – Teatri i Fëmijëve i Qendrës për Kulturë – Ulqin, në bashkëpunim me Komunën e Tuzit, ka prezantuar në QKI “Malësia” përallën për fëmijë, “Hirushja”, me regji të Edina Mustafiqit, koreografi të Musa Hoxhës, skenografi dhe kostumografi të Jetmira Hoxhës, dhe të interpretuar nga aktorët: Mervana Muçaj, Arbër Seferi, Diandra Koçan, Anesa Veliq, Reina Fici, Anes Kurti, Fiona Avdiu, Imran Sadriu, Eron Draga, Eldar Muçaj, Dorart Çitaku dhe Isar Kaça.
Aktorët në fjalë përmes kësaj shfaqjeje tentojnë të ndikojnë tek të rinjtë, duke dhënë mesazhe pozitive, të tilla si: “Me mirësi luftohet çdo gjë”;“në jetë të kesh gjithmonë guxim dhe mirësi”, etj.
Më të vegjlit të cilët ishin të pranishëm në një numër të konsiderueshëm, u kënaqën teksa ndoqën me shumë entuziazëm këtë shfaqje teatrore pasi që, përalla “Hirushja” është një shfaqje shumë e dashur për ta.
Teatri i Fëmijeve i Qendrës për Kulturë – Ulqin i cili është themeluar para dy vitesh, ka dhënë deri më tani disa shfaqje për fëmijë të cilat kanë zgjuar vëmendjen e më të rinjve.
Regjisorja e kësaj shfaqjeje teatrore, Edina Mustafiq, për gazetën “Koha Javore” tregon se përgjatë periudhës dyvjeçare, ky teatër ka interpretuar këto shfaqje: “E bukura dhe bisha”;“Ëndrra e Sarës”;“Babagjyshi i Vitit të Ri” dhe “Hirushja”.
“Mosha e fëmijëve të teatrit tonë është nga 8 deri në 18 vjeç, dhe pikërisht kjo moshë e bënë edhe më të veçantë shfaqjen. Pas sezonit turistik ne po vazhdojmë me rishfaqje, ku sonte patëm nderin që të jemi për herë të parë me më të vegjlit edhe në Tuz”, u shpreh regjisorja Edina Mustafiq.
Ajo, duke folur për planet e punës në vazhdim, tha se Teatri i Fëmijëve ka hapur audicionet për anëtarët e rinj me të cilët nga muaji dhjetor do të vazhdojë provat për shfaqjet e radhës.
“Emrin e përrallës nuk do ta zbulojmë tani, por pas shfaqjes premierë do të rikthehemi sërish me shumë kënaqësi para më të vegjëlve të komunës tuaj”, theksoi Mustafiq.
Premiera e përrallës “Hirushja” është shfaqur në muajin qershor në qytetin e Ulqinit.
t. u.
