Ndriçim i së kaluarës dhe traditave të husjanëve

“Libri është një monografi përfaqësuese, gjithëpërfshirëse, sistematike, deiktik i rrugës së zhvillimit të plotë të Husajve dhe husjanëve”, ka thënë recensenti Prof. ass. Dr. Valdet Hysenaj

Pejë – Në prani të një numri të konsiderueshëm të familjarëve, miqve dhe shokëve të autorit, të shtunën në sallën e Kuvendit të Komunës së Pejës u bë përurimi i librit “Husajt e Malësisë së Rozhajës” të Haxhi Lajçit.
Qëllimi i këtij libri, siç tregon autori në parathënien e tij, është që të ndriçojë sadopak historinë dhe traditën e bashkëkombasve të tij duke dhënë një kontribut për brezat që vijnë për jetën, zakonet dhe traditën e husjanëve.
Autori thotë se qysh si i ri kur ka mësuar për prejardhjen e tij nga Rugova, ka shfaqur interesim për të ditur mbi shkaqet e braktisjes së vendit të të parëve, qoftë përkohësisht apo përgjithmonë.
Sipas tij, ata që kanë migruar nga Husajt në vende të ndryshme të botës ruajnë me vete kujtimet e gjalla, të cilat i brejnë si plagë e pashërueshme.
“Husajt, sot kudo që janë mbajnë me krenari, fillimisht mbiemrin Lajç me të cilin krijojnë lidhjen e kujtesës, si dhe një pjesë e madhe që jetojnë në Kosovë, kanë pasur dëshirë që ta trashëgojnë emrin e të parit që erdhi nga Rugova, Husin (Husaj). Në këtë mënyrë, me emrin e fshatit krijojnë lidhjen e kujtesës, që ua mban të gjalla edhe përkushtimet”, thekson Lajçi.
Në vështrimin e tij për librin, recensenti Prof. ass. Dr. Valdet Hysenaj ka thënë ndër të tjera se libri është një monografi përfaqësuese, gjithëpërfshirëse, sistematike, deiktik i rrugës së zhvillimit të plotë të Husajve dhe husjanëve.
“Autori fokusohet në veçoritë e krijimit, përfaqësimit dhe bindjeve të njohurive abstrakte shkencore dhe historike, në rindërtimin e historisë husjane. Kjo njohje kuptohet në dy mënyra: si një konstruksion kulturor, një pjesë e njohurive kulturore që kufizohet në përvojën ekzistenciale dhe diskursive të lexuesit, si dhe të dhënat shkencore”, ka pohuar ai.
Hysenaj ka thënë se në përgjithësi, “teksti i monografisë paraqitet në një stil shkencor duke përdorur kriteret e duhura të punës kërkimore, përfshirë stilin dhe burimin e citimit, si dhe referencat e literaturës së përdorur, është një vlerësim i ngjarjeve të kaluara, me një prekje të forte subjektive, e cila mund të klasifikohej si një kujtim, dhe e ndërsjellë, monografi profesionale ose shkencore, që nga historiku 6000 vjeçar kelmendas”.
Folësit e shumtë kanë përshëndetur dhe përgëzuar autorin për librin. Të gjithë ata kanë vënë në dukje se kemi të bëjmë me një libër të shkruar me dashuri dhe përkushtim nga autori.
I pranishëm në këtë përurim, pjesëmarrësit i ka përshëndetur kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika.
Libri “Husajt e Malësisë së Rozhajës” i kushtohet vëllazërisë Lajçi të rrethinës së Rozhajës, si një biografi tërësore e vështrimit të etnologjisë sociale, trungut të kësaj vëllazërie, psikologjisë sociale, migrimeve, punës, ekzistencës së këtyre banorëve dhe ofron shumë të dhëna të tjera me vlerë. Libri është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Haxhi Lajçi punon mësimdhënës në Shkollën Fillore në Dacaj të Rozhajës. Përpos këtij libri, është autor edhe i monografisë “Shkolla në Dacaj dhe në Buxhov (Malësia e Rozhajës) 1943-2013”.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat