Në prani të nxënësve dhe mësimdhënësve të tyre, në Shkollën Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Triepsh të Malësisë të premten është bërë përurimi i përmbledhjes me poezi “Vizatim hënor me shkëlqim yjesh” të poetit Haxhi Shabani, botuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore – Podgoricë.
Përurimi i librit është organizuar nga Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit në bashkëpunim me Shkollën Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Në fjalën përshëndetëse, drejtori i kësaj shkolle, Leon Gjuravçaj, ka përgëzuar Komunën e Tuzit për idenë dhe nismën, duke thënë se aktivitetet e këtilla rrisin dhe gjallërojnë panoramën e jetës kulturore të Malësisë në përgjithësi.
“Mendoj se ky lloj aktiviteti ka rëndësi të shumëfishtë, sepse nxënësit, trupi arsimor, por edhe dashamirët e fjalës së bukur artistike njihen për së afërmi me krijues, dhe në anën tjetër, poetët e shkrimtarët me jetën dhe veprimtarinë e institucioneve edukativo-arsimore si qendra të vetme për promovimin dhe kultivimin e vlerave dhe të përmbajtjeve kulturore”, ka thënë ai.
Duke folur për Shkollën fillore në Triepsh, Gjuravçaj ka thënë se kjo shkollë “ka qenë, është dhe mbetet promotor i të gjitha vlerave, jo vetëm arsimore, por edhe i të gjitha aktiviteteve të jetës shkollore, që dëshmojnë mirënjohjet e shumta si dëshmi e punës së palodhur e edukatorëve për dekada dhe prirja e talenti i gjeneratave të shumta të shkollës sonë, që e kanë shndërruar në qendër të denjë kulturore me dimension të një muzeu të çmuar dhe me shumë vlerë”.
Në emër të organizatorit, të pranishmit i ka përshëndetur këshilltari i lartë për kulturë pranë Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale në Komunën e Tuzit, Albert Camaj, i cili e ka uruar autorin për librin dhe i ka dëshiruar që në të ardhmen të botojë vepra më të mira dhe më të suksesshme.
Redaktori i botimeve në gjuhën shqipe pranë Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore – Podgoricë, Dimitrov Popoviq, ka thënë në fjalën e tij se Haxhi Shabani është një ndër poetët më të mirë që ka sot Mali i Zi dhe një ndër poetët e dalluar të popullsisë shqiptare që jeton këtu edhe më tej.
“Para shumë vitesh, kur u promovua (ky libër) në qendrën më të madhe të kulturës, në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve, në një panair libri, e kam ndier veten shumë të gëzuar sepse mendjet përparimtare, kulturore e arsimdashëse të tiranasve e vlerësuan mjaft këtë libër”, ka thënë ai.
Popoviq ka vlerësuar punën e Komunës së Tuzit në promovimin e veprave letrare që botohen nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, ku ai punon.
Një vështrim për përmbledhjen me poezi “Vizatim hënor me shkëlqim yjesh” ka paraqitur gazetari Ismet Kallaba.
Ai ka thënë se mesazhet poetike të Haxhi Shabanit duhen kuptuar si një nevojë dhe shqetësim të brendshëm të autorit, si një lloj katarsisi përmes fjalës si arma më e fuqishme e poetit.
“Poezia e Haxhi Shabanit është refleksion i botës së tij shpirtërore me botën që e rrethon, mënyra e kundrimit dhe e përjetimit të botës. Subjektet e poezisë së tij janë nga bota e përditshme, përjetimet fëmijërore e jetësore, vendlindja, atdheu etj. Optika e tematikës së poezive të tij nuk lejon që të flasim për një subjekt të preferuar”, ka thënë Kallaba.
Sipas tij, “vargjet e Shabanit nuk janë thjesht një frymëzim i momentit, siç ndodh te disa krijues të tjerë, por janë mesazhe poetike të mirëmenduara, përmes të cilave poeti përçon mesazhin te lexuesi. Haxhi Shabani nuk është një poet hermetik. Ai është një poet që guxon. Kritika e ka cilësuar si një poet lirik dhe origjinal”.
Kallaba ka thënë se Haxhi Shabani është një poet i formuar dhe se “njohja e mirë e teorisë së letërsisë nga njëra anë e ndihmon autorin në procesin krijues, por nga ana tjetër edhe mund ta kufizojë atë, sepse e bën jo vetëm më të përgjegjshëm, por edhe më kërkues ndaj vetvetes në mënyrën e të shprehurit”.
Autori i librit, dr. Haxhi Shabani, ka thënë në fjalën e tij se nganjëherë letërsia e ka mësuar historinë më mirë dhe ka dhënë mesazhet e veta. Në këtë kontekst, ai ka përmendur shkrimtarin nga Malësia, Fran Camaj, me romanet e tij.
“Dhe kjo është e rëndësishme që të kuptojmë se letërsia nganjëherë i kryen detyrat më mirë edhe pse nuk është detyra e saj themelore”, ka thënë ai.
Shabani ka theksuar se shqiptarët në Malin e Zi duhet të rrezatojnë “njëherë civilizim, që po e rrezatojmë, duhet të integrohemi edhe brenda shtetit të Malit të Zi, që është detyrë e jona, por duhet të ruajmë edhe identitetin tonë”. Ai ka vlerësuar sidomos rolin dhe angazhimin e shkrimtarëve në arritjen e këtij synimi.
Poeti ka thënë se shqiptarët në Malin e Zi duhet të dëshmojnë se, krahas asaj letërsie që bëhet në përgjithësi, edhe ata bëjnë një letërsi e cila mund të thuhet se arrin të realizojë disa standarde që janë të nivelit. Në vazhdim ai ka lexuar për të pranishmit vargje të poezive të tij.
Nxënësit e Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” po ashtu kanë recituar disa poezi të përzgjedhura nga përmbledhja poetike “Vizatim hënor me shkëlqim yjesh”.
i. k.
