Verba volant – scripta manent

Duke lexuar librin, mësojmë çfarë jemi ne shqiptarët: njerëz të aftë për t’u arsimuar gjithkah, përveç në gjuhën e nënës edhe në gjuhë të tjera; sa të përkushtuar jemi ndaj familjes, që jemi në gjendje të sakrifikojmë edhe profesionin për t’u bashkuar me familje, por edhe familja të sakrifikohet për arritjet tona, shkollimin, edukimin, praktikën, specializimin, postspecializimin, magjistraturat, doktoraturat, pjesëmarrjet në trajnime, seminare, simpoziume, konferenca e kongrese e të tjera, edhe përtej kufijve edhe përtej oqeaneve… Por, edhe fëmijët tanë kanë mbërrit të shkollohen e të punojnë krahas të tjerëve në çdo cep të botës

Dr. Sarije Doko, neuropsikiatre

Po filloj të shkruaj këtë tekst me një proverb latin që m’u kujtua: fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet. Kështu edhe puna jonë, që s’regjistrohet – harrohet. Harrohet me kalimin e kohës.
Primarius Doktor Gani Karamanaga është kujdesur që mjekët shqiptarë me prejardhje nga Mali i Zi të mos harrohen.
Në librin “Mjekët shqiptarë nga Mali i Zi”, autori Primarius Doktor Gani Karamanaga po na ofron jetëshkrimet e mjekëve, stomatologëve, farmacistëve shqiptarë të lindur në Mal të Zi, me prejardhje nga Mali i Zi ose që jetojnë e punojnë në Mal të Zi.
Libri është ndarë në shtatë kapituj dhe përfundon me recensione.
Në kapitullin e parë janë prezantuar biografitë e mjekëve nga Ulqini, Ana e Malit dhe Kraja.
Në kapitullin e dytë bëhet fjalë për mjekët nga Tuzi dhe Malësia.
Në kapitullin e tretë prezantohen mjekët nga Plava, Rozhaja e Gucia.
Kapitulli i katërt na i ofron biografitë e mjekëve shqiptarë nga Mali i Zi që jetojnë e punojnë në Kosovë.
Në kapitullin e pestë janë paraqitur mjekët shqiptarë nga republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.
Kapitulli i gjashtë i paraqet mjekët shqiptarë që jetojnë e veprojnë në diasporë.
Në fund janë dhënë mendimet e recensentëve.

Ky libër është edhe homazh (nderim) për të gjithë ata mjekë që s’jetojnë më e që kanë lënë gjurmë në historikun e mjekësisë shqiptare, në historinë e popullit tonë në përgjithësi – gjurmë që nuk do të shlyhen kurrë. Ky libër ashtë i pari i këtij lloji dhe ndihmon të ndriçohen e të kujtohen e mos të harrohen gjenerata e gjenerata të mjekëve tanë, të cilët përveç punës profesionale, kanë treguar humanitet të jashtëzakonshëm, patriotizëm e përkushtim

Në libër janë prezantuar biografitë e mbi 200 personaliteteve duke përfshirë mjekë, stomatologë e farmacistë, e përmes biografive të tyre jemi njoftuar me rrugën nëpër të cilën kanë kaluar, me arriturat e tyre, sukseset, me profesionalizmin e tyre…
Prej kësaj monografie mësojmë kush kanë qenë mjekët e parë shqiptarë nga Mali i Zi, sa vështirë e kanë pasur që të trasojnë rrugën, rrugën nëpër cilën kemi ecur ne dhe kush e di edhe sa të tjerë do të ecin pas nesh, me të vetmin qëllim që t’i ndihmojnë pacientëve, t’i ndihmojnë njeriut, pa marrë parasysh kush është ai, fëmijë apo i rritur, femen apo mashkull, çfarë përkatësie apo çfarë ngjyre, me vendbanim në katund apo në qytet, i njohur apo i panjohur, kalimtar apo vendas… Kur them mjek, mendoj për të gjithë ata persona profesionistë (mjekë, stomatologë, farmacistë) që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mjekimin e njerëzve.
Potencimi që dikush ka qenë i pari kronologjikisht në diçka e diku, e shtie lexuesin të mendojë sa vështirë e ka pasur ai person, ai mjek, e sa i zoti ka qenë!
Prej kësaj monografie zbulojmë që mjekët më të vjetër kanë lindur në vendlindje, në shtëpi, e pas hapjeve të spitaleve, shumica në spital në qytetin më afër Ulqinit, në Tivar e kështu me radhë, deri në hapjen e Maternitetit në qytetin e tyre.
Kuptojmë kah kanë lëvizur mjekët tonë shqiptarë, vajzat e djemtë, a prej zorit a prej qejfit…
Duke lexuar librin mësojmë çfarë jemi ne shqiptarët: njerëz të aftë për t’u arsimuar gjithkah, përveç në gjuhën e nënës edhe në gjuhë të tjera; sa të përkushtuar jemi ndaj familjes, që jemi në gjendje të sakrifikojmë edhe profesionin për t’u bashkuar me familje, por edhe familja të sakrifikohet për arritjet tona, shkollimin, edukimin, praktikën, specializimin, postspecializimin, magjistraturat, doktoraturat, pjesëmarrjet në trajnime, seminare, simpoziume, konferenca e kongrese e të tjera, edhe përtej kufijve edhe përtej oqeaneve… Por, edhe fëmijët tanë kanë mbërrit të shkollohen e të punojnë krahas të tjerëve në çdo cep të botës. Edhe të dallohen, për të mirë. Veç përpara… Prej atij që di s’ke të keqe, nëse s’ke të mirë, as të keqe s’ke.
Ky libër është edhe homazh (nderim) për të gjithë ata mjekë që s’jetojnë më e që kanë lënë gjurmë në historikun e mjekësisë shqiptare, në historinë e popullit tonë në përgjithësi – gjurmë që nuk do të shlyhen kurrë. Ky libër ashtë i pari i këtij lloji dhe ndihmon të ndriçohen e të kujtohen e mos të harrohen gjenerata e gjenerata të mjekëve tanë, të cilët përveç punës profesionale, kanë treguar humanitet të jashtëzakonshëm, patriotizëm e përkushtim.
E falënderoj autorin për punën që ka bërë për të siguruar material për këtë studim, për durimin, sakrificën, përkushtimin. Për kontributin e dhënë.
Për në fund, faleminderit doktor Gano që na ke bashkuar ne shqiptarët – së paku në libër!

Të fundit

më të lexuarat