Kërkesa konkrete për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, së bashku me sekretarin Lindon Gjelaj dhe anëtaren Adriana Hoxha realizuan të mërkurën e kaluar në Tiranë takime pune në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në Ministrinë e Kulturës dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.
Në deklaratën për shtyp të KKSH-së thuhet se në takim me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, u drejtua kërkesa që për studentët shqiptarë nga Mali i Zi të mos ketë kufizime me kuota për pranim në universitetet publike dhe procedurat e aplikimit të jenë sa më lehtësuese. Përfaqësuesit e KKSH-së po ashtu kërkuan sigurimin e kuotave për specializime në fushat e shkencave mjekësore.
„Në Ministrinë e Kulturës, delegacioni i KKSH-së u prit nga ministrja Elva Margariti me bashkëpunëtorë, me ç’rast u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit dhe u përcoll kërkesa për mbështetje dhe koordinim për aktivitetet kulturore në trevat shqiptare në Malin e Zi“, thuhet në deklaratë.
Ndërkaq, në takimin e realizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave me drejtorin e përgjithshëm Ardit Bido dhe bashkëpunëtorët e tij, u vendos ura e bashkëpunimit, e cila pritet të finalizohet shumë shpejt me rezultatin e parë konkret që ka të bëjë me ngritjen e Këndit Arkivor digjital në qendrat shqiptare në Malin e Zi, të cilat do të shërbenin si salla studimi dhe kërkimi dhe do të lehtësonin qasjen e çdo qytetari në dokumentacionin arkivor.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat