Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta nderoi me titullin “Nderi i Kombit” Prekë Calin

Më 24 shtator 2021 në Shkodër , me rastin e përkujtimit të 110-vjetorit të ngritjes së flamurit kombëtar në Deçiq dhe Kuvendit të Greçes, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nderoi me titullin “Nderi i Kombit” prijësin dhe luftëtarin popullor të Kelmendit, Prekë Calin. Gjithashtu, u nderuan me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” edhe tre luftëtarë të tjerë të Malësisë së Madhe, Prëtash Zekë Ulaj, nga Koja Kolë Maç Smajlaj, nga Hoti dhe Dedë Prekë Gjolaj nga Gruda, për kontributin e tyre në mbrojtje të trojeve shqiptare.
Dekoratën e lartë, “Nderi i Kombit”, Presidenti Meta ia dorëzoi stërnipit të Prekë Calit, Gjekë Gjonaj. Presidenti Ilir Meta përmes kësaj dekorate, vlerësoi kontributin e shquar të Prekë Calit në mbrojtjen e kufijve shqiptar, në Kelmend të Malësisë së Madhe gjatë viteve 1911- 1926. Presidenti Meta tha se ai mbetet një nga figurat më të spikatura të kohës që, jo vetëm luftoi për të ruajtur të paprekur kufijtë e atdheut, por edhe udhëhoqi me drejtësi dhe urtësi popullin e tij. “Kryengritja e Malësisë, Kuvendi i Greçës dhe gjithë përpjekjet e popullit tone, për liri e pavarësi, janë udhëhequr e drejtuar nga prijës të pushkës e penës, njëri prej të cilët ishte dhe mbetet Prekë Cali, lindur në vitin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në familjen e Hasanajve të Kelmendit. Në këtë fis, ai u rrit dhe edukua me vlerat më të mira të trashëguara: urtësia, bujaria, trimëria dhe besa, e mbi të gjitha atdhedashuria. Për më tepër se gjysmë shekulli, Prekë Cali ishte i pari në përballje me situatat e vështira, aty ku luftohej me pushkë e penë. Ai dallonte nga të tjerët për mençuri e trimëri, duke u bërë njëri nga luftëtarët e shquar të kryengritjeve për liri e pavarësi. Prek Cali, do të ishte kryeluftëtari në mbrojtje të kufijve të Vërmoshit e Kelmendit, duke i prirë Malësisë, si patriot e atdhetar. Ai i kundërvihej çdo pushtuesi, pa harruar edhe angazhimin e tij, për ruajtjen e qetësisë dhe rendit, në zonën ku jetonte e vepronte. Prekë Cali, mbetet një nga figurat qendrestare më të spikatura të kohës, që si rrallë kush, jo vetëm luftoj për të ruajtur të paprekur kufijtë e Atdheut, por diti të udhëheq me drejtësi e urtësi.
Patriotët dhe trimat e mençur nuk i kanë munguar kurrë Malësisë. Njëri prej tyre ishte dhe Prëtash Zekë Ulaj, bajraktari i Kojës, i cili u rrit me erën e barutit dhe krismat e pushkëve të malësorëve në mbrojtje të trojeve. Ai mësoi në shkollën e jetës dhe u bë simbol i malësorit të mençur, trim, bujar, besnik e atdhetar, cilësi për të cilat ju besua detyra dhe përgjegjësia e bajraktarit të Kojës. Në 6 prill 1911, ishte një sprovë e rëndësishme e atdhetarisë edhe për Kojen dhe bajraktarin e saj. Ajo ditë u shënua në përjetësi, me derdhjen e gjakut të shtatë kojasve, të cilëve ju printe bajraktari Pretash Ulaj, në ngritjen në Deçiq të flamurit të Skënderbeut. Prëtash Ulaj nuk e ndali asnjëherë luftën dhe qëndresën në mbrojtje të trojeve shqiptare, por ai, kurrë nuk ia dedikoi vetes sukseset dhe meritat, por trimave malësorë, që e donin, e dëgjonin dhe e ndiqnin atë. Malësia, si çdo trevë e trojeve shqiptare, ka luftuar me penë e pushkë për liri e pavarësi dhe në çdo kohë ka ditur t’u besojë prijësve të mençur dhe atdhetarë. Një nga këto figura të Malësisë së Madhe ishte dhe mbetet Kolë Smajlaj i Hotit dhe Prekë Gjolaj nga Gruda, të cilët luftuan kundër pushtuesit”, deklaroi Meta. Duke shprehur falënderime për vlerësimin ndaj Prekë Calit, stërnipi i tij, Gjekë Gjonaj, tha se kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, e drejtuar nga Prekë Cali, është e rëndësishme për kombin, sepse dëshmon qëndresën popullore në mbrojtje të trojeve shqiptare. Ne, si pasardhësit e tij, e vlerësojmë shumë mirënjohjen e meritave që i ka bërë Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta kësaj figure madhore, jo vetëm të Kelmendit, Malësisë së Madhe, por edhe të gjithë shtetit shqiptar i cili e ka shkrirë jetën dhe aktivitetin e tij në luftën për përpjekjet titanike të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, duke u vënë në shërbim të mbrojtjes së kufijve të Shqipërisë, veçmas të bjeshkëve të Vermoshit të cilat herë pas here cenoheshin nga pretendimet serbo-malazeze. Me këtë vlerësim nuk u nderuam vetëm ne pasardhësit e Prekë Calit, por Kelmendi, e gjithë Malësia e Madhe dhe atdhetarët e tjerë shqiptarë që punuan me përkushtim dhe flijuan jetën për Shqipërinë”, tha Gjonaj dhe i dhuroi presidentit Meta tre libra nga veprimtaria e tij botuese.
Falënderime për mirënjohjen e meritave që u ka bërë presidenti i Shqipërisë Ilir Meta tre luftëtarëve tjerë të Malësisë së Madhe, Prëtash Zekës Ulaj nga Koja, Kolë Maçit Smajlaj nga Hoti dhe Prekë Dedës Gjolaj nga Gruda falënderuan pasardhësit e tyre Gjekë Ulaj, Nikollë Gjonaj dhe Rrok Gjolaj.

Gj.Gjonaj

Të fundit

më të lexuarat