
“Meteoni ilir ‘Meduni i sotëm’ ishte vendbanimi i fortifikuar parahistorik ilir i vendosur në lartësi të Malësisë së sotme të Mbishkodrës në krahinën e Kuçit”, thuhet në shënimin autorial studimor të arkeologut të mirënjohur shqiptar, Prof. Dr. Naser Ferri.
Në qasjen e vet profesionale studimore kushtuar kësaj teme vërtetë të rëndësishme dhe me peshë e vlerë të madhe, arkeologu Ferri në shënimin e vet shkruan: “Rëndësia historike e Meteonit ishte pikë strategjike për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e kësaj pjese të ilirikut, ndërsa e veçanta e këtij lokaliteti është që në përfundimin e luftërave iliro-romake (229-160 p.e.s.), në vitin 168 para epokës së re, pas rënies së qëndresës së shtetit ilir Scodra (Shkodra e sotme), mbreti i fundit ilir Genti, Genci (Bazileos Gentios, Rex Ilyriorum Gentius), ishte tërhequr në këtë fortifikatë, ku pas rezistencës heroike të tij e luftërave ilire, ishte mposhtur nga romakët, ishte zënë rob lufte dhe ishte transferuar më 167 (p.e.s.) në Romë bashkë me familjen e pasurinë e tij në Iguvium, ku ka vdekur dhe ku gjendet varri i tij”.
Arkeologu Ferri, në vazhdim të shënimit të vet thekson se “pas këtyre ngjarjeve, shteti ilir ishte bërë pjesë e Ilirikut romak, e këtë fortifikatë e kishin shfrytëzuar romakët, e pastaj bizantinët dhe turqit, por nuk e kishin shkatërruar meqë për shkaqe të pozitës së saj strategjike e kishin shfrytëzuar për nevoja të veta. Por, me ardhjen e sllavëve, ndërkaq, ishte filluar shkatërrimi fizik i Meteonit (rrënimi i mureve dhe marrja e gurëve për ndërtime të reja) dhe më vonë Meteoni është përvetësuar nga malazezët, meqë aty ishte vendosur Muzeu i Mark Milanit”.
Kështu sot, Meteoni antik, shprehet në shënimin e tij “Përvetësimi dhe keqpërdorimi i së kaluarës iliro-shqiptare” Prof. Dr. Naser Ferri, nuk promovohet si pjesë e trashëgimisë iliro-shqiptare, por vetëm si vendlindje e Mark Milanit dhe muzeut të tij të vendosur në një shtëpi ku ai nuk kishte jetuar kurrë.
Arkeologu Naser Ferri në shënimin e vet nuk ngurroi për t’u shprehur se “patjetër duhet përmendur se Meteoni ilir ose Meduni i sotëm gjendet afër fshatit Luhar prej nga e ka prejardhjen familja Ferri dhe prej nga paraardhësit e patriotit dhe trimit kombëtar legjendar mbarëshqiptar, Jakup Ferri, ishin shpërngulur në Podgoricë, e pastaj në Plavë, kur për pesë gjenerata të Ferrajve (Jakupi, Hasani, Mehmedi, Omeri, Agani, Emini, Ramazani, Shemsi, Rizai, Hilmi, e shumë të tjerë) me bashkëluftëtarë kishin luftuar për mbrojtjen dhe realizimin e kauzës kombëtare shqiptare kundër ushtrive malazeze, turke, austriake, serbe e jugosllave, deri në vitin 1945.
Arkeologu Prof. Dr. Naser Ferri, shënimin e vet me tekst të shkurtër, por me vlerë dhe peshë të madhe etno-arkeologjike e histori antike iliro-shqiptare, e përfundon me të dhënën: “Në fshatin Luhar (tash i pabanuar nga dy-tri familje), ka ende gjurmë të familjeve Perkaj dhe Muhaj. Këta të fundit janë shpërngulur në Dinoshë, ku një pjesë e tyre jeton edhe sot dhe kanë lidhje farefisnore me familjen Ferri, pjesëtarë i së cilës është edhe vetë autori i shënimit në fjalë, përndryshe këshilltar shkencor në Degën e historisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, anëtar i rregullt i Shoqatës së Arkeologëve të Sllovenisë dhe nip i heroit kombëtar mbarëshqiptar, Jakup Ferri. Është i lindur në Pejë, por me prejardhje është nga Plava. Me familje jeton dhe punon në Prishtinë.
