Tuz – Të hënën në mbrëmje në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” është bërë hapja e ekspozitës së fotografive të veshjes tradicionale të gruas në Malësi e titulluar “E thurur me serm, e qëndisur me flori“.
Kjo ekspozitë mblodhi një numër të konsiderueshëm të publikut, të cilët shijuan fotografitë e veshjes tradicionale të gruas në Malësi, shumica prej tyre nga Arkivi i pasur i fotografit të njohur, z. Shtjefën Ivezaj.
Në fillim të kësaj ekspozite, duke e shpallur të hapur atë, drejtoresha e Organizatës Turistike të Tuzit, Leonora Dedivanoviq, ka thënë se organizimi i kësaj ekspozite ka si qëllim të promovojë bukurinë e xhubletës, me shpresë që, siç u shpreh, së shpejti ajo do të jetë e mbrojtur nga UNESCO, si një trashëgimi kulturore, për vlerat e saj të jashtëzakonshme.
“Kjo ekspozitë mori një vlerë të shtuar të fotografisë së grave me veshje popullore të religjioneve dhe kombeve të ndryshme, e cila së bashku me gratë malësore, kanë krijuar dhe formuar një trashëgimi kulturore të trevave tona”, u shpreh ndër të tjera Dedivanoviq.
t. u.
