Në Vuthaj të Komunës së Gucisë, të dielën, më 1 gusht, u mbajt manifestimi tradicional mbarëkombëtar “Mirë se vini në Alpet Shqiptare Vuthaj 2021”, i 25-ti me radhë.
Dita me mot të bukur, ka mundësuar që në nënqiellin e hapur skaj bregut të djathtë të Lumit Gërla, në lagjen Gjonbalaj të këtij vendbanimi piktoresk, përballë Alpeve Shqiptare, të tubohen mijëra qytetarë nga Vuthajt, Gucia e Plava me rrethinë, Malësia e Madhe, Ulqini e Rozhaja, nga viset e ndryshme të Kosovës e Shqipërisë, nga Maqedonia e Veriut, si dhe shumë bashkëvendës mërgimtarë në diasporë, të cilët pushimet verore kanë ardhur t’i kalojnë në vendlindje. Ata përjetuan çaste të këndshme pushimi, dëfrimi e argëtimi në programin e begatë të gërshetuar me pika të larmishme të zhanreve dhe opuseve kulturore, artistike e muzikore, i cili ka filluar në orët e mesditës dhe ka vazhduar deri në orët e vonshme të ditës në atmosferë vërtetë solemne dhe festive.
Me sloganin “Mirësevini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2021”, nën valëvitjen e flamujve kombëtar kuq e zi me shkabën dykrenare në mes, manifestimin e kanë hapur dy anëtarët e këshillit organizativ, vashëzat simpatike, Arbërore dhe Rilinda Gjonbalaj, të cilat kanë udhëhequr programin, kanë përformuar në programin e SHKA “Maja e Karajfilit”, anëtare të së cilës janë, dhe kanë përshëndetur mysafirët e pranishëm nga trojet shqiptare: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndër të cilët kanë veçuar ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, deputetin në Kuvendin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu, kryetarin e Lidhjes Demokratike Shqiptare, Nikollë Camaj, vëllain e dy dëshmorëve të rënë në Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëmarrësin e UÇK-së, Fadil Fazliun, veprimtarin e mirënjohur për çështje kombëtare, Berat Luzha, të deleguarin e kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Flamur Gashi, veprimtarët e shquar kombëtar nga Komuna e Rozhajës, Ali Daci e Haxhi Lajçi, profesorin nga Opoja e Komunës së Dragashit (Sharrit), Ziadin Gashi, dhe shumë personalitete të tjera nga jeta politike, shoqërore, kulturore, shkencore, sportive e fetare nga komunat e Plavës dhe Gucisë, nga Mali i Zi e më gjerë, si dhe të gjithë të pranishmit e tjerë, bashkëvendësit nga diaspora.
Veprimtari i mirënjohur nga Vuthajt, Tahir Gjonbalaj, e shpalli të hapur manifestimin dhe në emër të organizatorit të tij, në fjalën e rastit i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve të pranishëm nga trojet shqiptare dhe diaspora, e në veçanti, mirëseardhje të sinqertë dhe të përzemërt u uroi ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, me seli në Podgoricë, zotit Ridi Kurtezi, kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, deputetit në Kuvendin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu, kryetarit e Lidhjes Demokratike Shqiptare, Nikollë Camaj, dhe shumë veprimtarë të tjerë.
Në fjalën e rasti të pranishmit e manifestimit “Mirë se vini në Alpet Shqiptare Vuthaj 2021”, në emër të organizatorit dhe në emër të vet personal, i ka përshëndetur moderatorja e programit manifestues, Rilinda Gjonbalaj, duke u shprehur: “Për 25 vite me radhë është punuar shumë në aspektin kulturor e folklorik, por më së shumti është punuar kundër asimilimit, bile është vepruar me hapa gjigant në këtë drejtim. Qindra të rinj dhe të reja nga Komunat e Plavës dhe Gucisë, të cilët kanë ardhur për t’na vizituar, ka qenë e pamundur që ata të mos informohen më afër për realitetin dhe gjendjen aktuale të Plavës dhe Gucisë në cilësinë e organizuesit të këtij manifestimi. Unë dua të falënderoj çdo njeri që ka dhënë kontributin e vet sado pak të vogël për mbarëvajtjen e këtij manifestimi, duke e përkrahur në forma të ndryshme, të cilat padyshim kanë pasur një rëndësi të madhe. Por, kur jemi te falënderimet, ‘nuk kam si të mos falënderoj’ edhe ata individë dhe struktura që kanë bërë çmos që ky manifestim të shuhet, të mos mbahet, bile edhe të mos ekzistojë më, duke na penguar me përçarje, përkrahje monetare teknike, e madje edhe duke i bindur që të heqin dorë për të marrë pjesë në manifestim në momentin e fundit”, ka theksuar Gjonbalaj dhe në vazhdim ka shtuar: “Ajo çfarë unë dua të them është se ky tubim manifestues është ashtu siç e festojmë sot 25-vjetorin e tij. Do të festojmë edhe shumë e shumë përvjetorë të tjerë duke e ngritur lart çdo vit flamurin e bukur kuq e zi, flamurin që na priu në luftëra, morte e dasma, flamurin e shqiptarëve me shqiponjën dykrenare në mes, dhe duke i dhënë famë identitetit të bukur shqiptar autokton të kësaj krahine. E kur jemi te përvjetori, dua të them se ky vit në historinë tonë shënon edhe 40-vjetorin e Pranverës Shqiptare, ose ndryshe Demonstratat e vitit 1981, të cilat janë ndër kohërat më të vështira për popullin shqiptar”.
Në fjalën e rastit, të pranishmëve u është drejtuar vëllai i dy dëshmorëve të rënë në Luftën Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, me fjalët : “Të nderuar të pranishëm, malësore e malësorë, ju përshëndes të gjithëve, në emër të një grupi qytetarësh nga Prishtina e Shkupi. Erdha këtu për të manifestuar bashkë me ju 25 vjet që jemi bashkë me Tahir Gjonbalajn, në këtë manifestim kulturor e historik, për të qenë më afër njerëzit që vijnë këtu. Ky manifestim nuk ka karakter politik. Ai është vetëm kulturor, njohje me njëri-tjetrin, dashuri dhe respekt. Ai bashkë me SHKA ‘Maja e Karajfilit’, ka bërë të pamundurën t’i bashkojnë shqiptarët nga të gjitha trojet etnike”.
Të pranishmëve me fjalë rasti u janë drejtuar edhe veprimtari i shquar për çështje kombëtare, Berat Luzha, i deleguari i presidentit të Republikës së Shqipërisë, Flamur Gashi, deputeti në Kuvendin e Malit të Zi, Genci Nimangebu, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare, Nikollë Camaj.
Këshilli organizativ i shoqatës “Alpet Shqiptare” me dekoratën “Krenaria e Alpeve Shqiptare”, nderoi kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosajn, dhe veprimtarët për çështje kombëtare shqiptare, Fadil Fazliun dhe Berat Luzhën.
Veprimtarja Ardiana Honda, Shoqërisë Kulturo Artistike “Maja e Karajfilit” i dorëzoi ca dhurata modeste, kurse Shoqata Bytyqi nga Kopliku ia dorëzoi mirënjohjen në shenjë nderimi dhe respekti për veprimtarinë gjithëpërfshirëse dhe librin me titull “Plisi i bardhë”.
Manifestimi ka vazhduar me programin e larmishëm dhe të begatë kulturor, artistik dhe muzikor, i cili ka filluar me potpuri këngësh patriotike të përformuar nga këngëtari i mirënjohur nga Shqipëria, Arif Vladi, dhe ka vazhduar me pikat e SHKA-së nikoqire “Maja e Karajfilit”, të SHKA-së nga Deçani dhe të grupit folklorik “Besa” nga Shoshi, me këngë, valle, recitime, recitale, për t’u mbyllur me këngën e përformuar nga këngëtarja Fatbardha Nikçi.
Në fund theksojmë se shumë adhurues të natyrës, ca çaste i kanë kaluar duke vizituar bukuritë e rralla natyrore, me të cilat begaton ky fshat piktorest, siç janë: Syri i Skafkaçit, Ujëvara “Gërla”, Lugina e Leskovës, dhe ca vende të tjera tërheqëse e piktoreske të këtij nënqielli përballë Alpeve Shqiptare.
Sh. Hasangjekaj
