Temat e trajtuara nga autori, edhe sot janë shumë aktuale

Islam Pali u lind në Krythë të Anës së Malit, në vitin 1959. Shkollën fillore e kreu në Krythë dhe Katërkollë, kurse shkollën e mesme në Ulqin. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në degën Letërsi dhe gjuhë shqipe. Ai ka qenë ndër themeluesit e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, si dhe ndër themeluesit dhe kryetari i parë i Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë në Mal të Zi. Përpos punës në Radion e Malit të Zi, ai ka bashkëpunuar me revistën “Koha”, “Fati”, “Lemba” etj. Në vitin 2002 u vendos në Nju Jork të SHBA-së, dhe deri vonë është marrë me shkrime gazetareske dhe jo vetëm, të cilat i ka botuar në gazetën “Koha Javore”. Vdiq në Nju Jork, më 19 korrik 2019. “Pa Idealizime” u botua në dhjetor të vitit të kaluar dhe është libri i parë dhe i vetëm i autorit

Të mërkurën në mbrëmje, më 28 korrik, në Rashtishë të Anës së Malit u bë përurimi i librit “Pa idealizime” i autorit Islam Pali, pak ditë pas dyvjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Organizator i këtij përurimi ishte Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në bashkëpunim me familjen e autorit, ndërsa përzgjedhjen dhe përgatitjen e librit për botim e kanë bërë Sabri Halili dhe Ismet Kallaba. Ndihmesë për mbledhjen e artikujve kanë dhënë edhe Nail Draga, Ali Salaj si dhe djali i autorit, Lani, ndërsa recensent i librit është Haxhi Shabani dhe redaktor teknik Qazim Muja. Përmbajtja e këtij libri na njeh me një autor jo vetëm si gazetar, por edhe si poet, si mbledhës i toponomisë në Anën e Malit, si kritik letrar, përkthyes etj.
Ismet Kallaba, kryetar i kësaj Shoqatës “Art Club” dhe moderator i mbrëmjes tha mes të pranishmëve se që nga vdekja e Islam Palit kanë ndjerë obligim moral, si kolegë, por edhe si Shoqatë, që të përgatisin një libër me përmbledhje nga shkrimet e Islamit. Kallaba tregoi gjithashtu se si në çdo punë kanë hasur në vështirësi, si për shembull me gjetjen e materialeve ku Islami ka punuar si gazetar në Radion e Malit të Zi, për shkak se materialet e emetuara në këtë medie nuk janë ruajtur në formën audio e as në fletoret e shënimeve të autorit, me ndonjë përjashtim.
Ndërkohë, Sabri Halili si kontribues për botimin e këtij libri rrëfeu se ideja për grumbullimin e shkrimeve të Islam Palit lindi gjatë një takimi që pat me kryetarin e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, siç thotë ai me ç’rast arsyetuam se Islami e meriton t’i botohet një libër, sepse kontributi i tij si në “Art Club”, ashtu edhe në gazetarinë te shqiptarët në Mal të Zi, ka qenë i madh. Halili po ashtu tha se “temat e trajtuara nga Islami para dhjetë e më shumë vjetësh, edhe sot janë shumë aktuale.”
Një ndër kolegët e Islam Palit në Redaksinë në gjuhën shqipe të Radios së Malit të Zi ka qenë dhe redaktori i librit Fran Camaj, i cili po ashtu ishte i pranishëm në përurim dhe lexoi për të pranishmit një pjesë nga recensioni që i paraprin librit.
Camaj tha se përkundër mungesës së madhe të materialeve, ato që janë radhitur në këtë libër tregojnë se Islam Pali ka qenë gazetar i shkëlqyeshëm, dhe se e ka njohur shumë mirë profesionin e gazetarisë, se ka ditur të hyjë në thelbin e problemit duke respektuar gjithherë parimet themelore të gazetarisë, duke u bazuar vetëm në të vërtetën, sado e hidhur të ketë qenë ajo. Ai ka respektuar në maksimum parimin kryesor të gazetarisë, sipas të cilit është më mirë të mos informosh se të dezinformosh. Ndër të tjera Fran Camaj u shpreh se “Islami e dinte shumë mirë se ku qëndron faji për pozitën e palakmueshme të shqiptarëve në këtë republikë të ish-Jugosllavisë, sot shtet i pavarur dhe për këtë në shkrimet e veta nuk e kursen pushtetin, por as faktorin politik shqiptar, i cili në momente vendimtare nuk ishte në gjendje të bashkohej”.
Sipas Camajt, autori vëren shumë mirë mungesën e tolerancës së partive shqiptare në Mal të Zi e cila shkon në dëm të shqiptarëve dhe për këtë ai citoi nga komenti me titull “Me jotolerancë politike varroset vetvetja”, pjesën ku thuhet se “me jotolerancën e tashme duket se shqiptarët në Mal të Zi nuk janë të vetëdijshëm se varrosin vetveten dhe ua lehtësojnë punën të tjerëve”.
Një vështrim tjetër për librin dha edhe Ali Salaj, po ashtu koleg i Islamit, i cili siç shprehet: “Në kohën kur mediat sociale, portalet e ndryshme, fejsbuku apo tviteri po bëjnë shpërdorimin e lirisë së shprehjes dhe të informacionit, artikujt problemorë, analizat dhe komentet e Islam Palit mbesin margaritarët e informimit me një këndvështrim të guximshëm dhe interesant.”
Për Islamin si gazetar, Ali Salaj vlerësoi se ai ishte ndër gazetarët e paktë që nxiti kulturën e debatit, e cila mungonte në mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Gjatë mbrëmjes u lexuan edhe disa poezi nga libri. Ndërsa në emër të familjes përshëndeti djali i autorit Lan Pali, i cili falënderoi “Art Club”-in dhe kolegët e babait për kontributin e tyre. Familja gjithashtu pat sponsorizuar një koktej për të pranishmit, në fund të këtij aktiviteti.
Islam Pali u lind në Krythë të Anës së Malit, në vitin 1959. Shkollën fillore e kreu në Krythë dhe Katërkollë, kurse shkollën e mesme në Ulqin. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në degën Letërsi dhe gjuhë shqipe. Ai ka qenë ndër themeluesit e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, si dhe ndër themeluesit dhe kryetari i parë i Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë në Mal të Zi. Përpos punës në Radion e Malit të Zi, ai ka bashkëpunuar me revistën “Koha”, “Fati”, “Lemba” etj. Në vitin 2002 u vendos në Nju Jork të SHBA-së, dhe deri vonë është marrë me shkrime gazetareske dhe jo vetëm, të cilat i ka botuar në gazetën “Koha Javore”. Vdiq në Nju Jork, më 19 korrik 2019. “Pa Idealizime” u botua në dhjetor të vitit të kaluar dhe është libri i parë dhe i vetëm i autorit.

Paula Dekaj

Të fundit

më të lexuarat