Koncert i Manjola Nallbanit

“Skena Verore është vlerë e shtuar në ofertën kulturore verore të këtij qyteti, i cili frymon dhe jeton me këngën, folklorin, teatrin, që janë kategori civilizuese universale, respektivisht janë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore”, ka thënë në fjalën përshëndetëse drejtori i Qendrës së Kulturës, Musa Hoxha

Ulqin – Me koncertin e artistes së njohur shqiptare, mezosopranos Manjola Nallbani, fituese e disa festivaleve të këngës dhe një ndër zërat më të fuqishëm të muzikës shqiptare sot, të dielën mbrëma ka çelur siparin edicioni i 34-t i Festivalit “Skena Verore”.
Ky festival organizohet, sipas traditës, nga Qendra e Kulturës – Ulqin në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit dhe Organizatës Turistike të Ulqinit.
Drejtori i Qendrës së Kulturës, Musa Hoxha, ka thënë në fjalën përshëndetëse se është krenar që këtë vit e kanë vazhduar Skenën Verore, për të cilën ka thënë se “është vlerë e shtuar në ofertën kulturore verore të këtij qyteti, i cili frymon dhe jeton me këngën, folklorin, teatrin, që janë kategori civilizuese universale, respektivisht janë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore”.
Ai ka thënë se “sonte do të mund t’i ndjekim me kënaqësi të madhe vlerat të cilat paraardhësit tanë kanë arritur t’i ruajnë ndër shekuj, i kanë zhvilluar dhe kanë arritur t’i transferojnë te gjeneratat e reja si pjesë e nderit tonë kombëtar dhe kulturor, por tani të përpunuara dhe të stilizuara”.
Festivalin e ka shpallur të hapur kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq, i cili ka thënë se “Skena Verore” është pa dyshim ngjarja më e rëndësishme në kalendarin kulturor të Ulqinit gjatë sezonit turistik.
“Me një traditë më shumë se tri dekada përcjell vlera dhe ndjenja historie, kulture, tradite te të gjithë mysafirët që vijnë në qytetin tonë”, ka theksuar ai.
Këngëtarja Manjola Nallbani ka shprehur kënaqësi që ka nderin të hapë edicionin e sivjetshëm të Festivalit “Skena Verore”.
“Unë e dua shumë Ulqinin, i dua shumë ulqinakët. Kam arsye t’i dua, sepse më kanë dhënë shumë dashuri”, ka thënë ndër të tjera ajo, duke nënvizuar se ka pasur disa studentë që kanë mbaruar studimet për solokëndim në Universitetin e Arteve në Tiranë, ku ajo punon si pedagoge.
Ajo ka kënduar këngë të ndryshme nga repertori i saj, në përgjithësi muzikë shqiptare nga trevat e ndryshme, si dhe një këngë të re që pritet të hidhet së shpejti në tregun muzikor. Pjesë e grupit që e kanë shoqëruar Nallbanin, përpos instrumentistëve ka qenë edhe këngëtarja vendase Egzona Salaj, studente e Universitetit të Arteve në Tiranë, ndërsa bashkë me Fortana Pacollin, vajzën e re nga Kosova, Nallbani ka kënduar këngën “Gjuha e shpirtit”.
Festivali “Skena Verore” organizohet rregullisht që nga viti 1988 dhe konsiderohet si një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore gjatë verës në Ulqin. Edicioni i këtij viti do të zgjasë deri më 15 gusht dhe në programin e tij janë parashikuar mbrëmje letrare, koncerte, shfaqje teatrale, dokumentarë, përurime të librave, ekspozita artistike etj.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat