Mjekët shqiptarë nga Mali i Zi

Ulqin – Në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin, të premten, më 9 korrik 2021, është bërë përurimi i librit të ri të autorit Gani Karamanaga “Mjekët shqiptarë nga Mali i Zi”.
Në libër (leksikon) autori ka paraqitur jetëshkrimet e 208 mjekëve, stomatologëve dhe farmacistëve shqiptarë të cilët kanë lindur në Malin e Zi, janë me prejardhje nga Mali i Zi ose që jetojnë e punojnë në Malin e Zi.
Në fjalën e tij, autori ka thënë se kjo monografi, ose ky leksikon mund të thuhet se është vazhdimësi e librit të tij “Historiku i shërbimit shëndetësor në Ulqin”, i botuar në vitin 2011.
Ai ka treguar se si ka lindur ideja për botimin e këtij libri.
“Duke biseduar me Hajro Ulqinakun, mikun tim, redaktorin, konsulentin, ai tha që duhet ta bëj edhe një libër. Dhe unë vjet konkurrova te Fondi për Pakica, sepse mendova të shkruaj një libër për shërbimin shëndetësor në Ulqin, më të zgjeruar se libri i parë. Ndodhi që Fondi nuk m’i dha mjetet financiare, por ndodhi diçka e mirë, diçka e bukur, sepse lindi ideja duke biseduar me Faik Nikën, të bëhet një libër, monografi, e cila do të përfshinte të gjithë mjekët shqiptarë nga Mali i Zi”, ka thënë Karamanaga.
Autori ka thënë se nuk ka qenë lehtë të grumbullohen biografitë e mjekëve, stomatologëve dhe farmacistëve nga Ulqini me rrethinë, Kraja, Plava, Gucia, Rozhaja, Malësia, Kosova, Diaspora, ish-republikat e Jugosllavisë etj., të cilët janë pjesë e librit.
Megjithatë, ai ka thënë se ka pasur kënaqësi të njihet përmes e-maileve e telefonatave me shumë mjekë të cilët gjenden në këtë libër.
“Dhe shumica e tyre, mund të them 99 për qind, kanë shprehur kënaqësi të madhe që u realizua ky libër, kjo monografi”, ka thënë Karamanaga.
Për vlerat e librit kanë folur recensentet Dr. Sarije Pufja – Doko dhe Dr. Ganimete Hoxha, si dhe drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin. Dr. Sadije Hollaj.
Neuropsikiatrja Pufja – Doko ka thënë se “prej kësaj monografie mësojmë kush kanë qenë mjekët e parë shqiptarë nga Mali i Zi, sa vështirë e kanë pasur që të trasojnë rrugën, rrugën nëpër të cilën kemi ecur ne dhe kushedi edhe sa të tjerë do të ecin pas nesh, me të vetmin qëllim që t’u ndihmojmë pacientëve, t’i ndihmojmë njeriut, pa marrë parasysh kush është ai, fëmijë apo i rritur, femër apo mashkull, çfarë përkatësie apo çfarë ngjyre, me vendbanim në katund apo në qytet, i njohur apo i panjohur, kalimtar apo vendas…”
Sipas saj, “ky libër është edhe homazh për të gjithë ata mjekë që s’jetojnë më e që kanë lënë gjurmë në historikun e mjekësisë shqiptare, në historinë e popullit tonë në përgjithësi – gjurmë që nuk do të shlyhen kurrë”.
Ajo ka thënë se “ky libër është i pari i këtij lloji dhe ndihmon të ndriçohen, të kujtohen e të mos harrohen gjenerata e gjenerata të mjekëve tanë, të cilët përveç punës profesionale, kanë treguar humanizëm të jashtëzakonshëm, patriotizëm e përkushtim”.
Recensentja tjetër e librit, dr. Ganimete Hoxha, specialiste e mjekësisë familjare, ka thënë se autori ka bërë një punë të mirë duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një grumbullim materiali nga burime të ndryshme.
“Nga përmbajtja e monografisë lexuesi do të mësojë kush kanë qenë mjekët e parë shqiptarë në Mal të Zi, peripecitë e tyre, udha e tyre jetësore dhe vështirësitë e tjera duke ushtruar profesionin e mjekut. Me interes pa dyshim janë edhe kushtet ekonomike dhe shoqërore, në të cilat kanë punuar mjekët e parë shqiptarë në këto treva, që lexuesi do t’i hasë në libër”, ka thënë ajo.
Hoxha ka thënë se duke e lexuar librin “lexuesi do të mësojë shumë për veten, për shqiptarët, për peripecitë e shumë mjekëve për t’u shkolluar dhe për të ndihmuar ata që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Këta njerëz kanë qenë dhe sot janë njerëz që kanë sakrifikuar shumë në jetën e tyre për t’u ndihmuar të tjerëve, sidomos komunitetit të vet dhe jo vetëm”.
Megjithatë, ajo ka vërejtur se ka disa mjekë dhe farmacistë të cilët janë harruar dhe nuk janë përfshirë në libër.
Dr. Sadije Hollaj, drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, ka thënë se Prim. Dr. Gani Karamanaga ka qenë një mjek punëtor, i vyeshëm e profesionist në ditët kur praktikonte profesionin e vet, e tashmë një individ që jep shembull se si nuk ka kurrë një kufi moshe për t’u angazhuar për kauza të mira e për të bërë punë në të mirë të komunitetit dhe shoqërisë në vendin e vet dhe më gjerë.
Duke folur për librin, ajo ka thënë se “të marrësh mundin të evidentosh punën dhe kontributin e secilit mjek e secilës mjeke shqiptare nga Mali Zi, jo vetëm se pasuron historinë e punës dhe veprës tonë ndër vite, por mbi të gjitha e nderon veprën dhe sakrificën e çdonjërit nga ne”.
Për udhëheqësen e Bibliotekës së Ulqinit, Ardita Rama, e cila e ka moderuar takimin, momenti i daljes në dritë të këtij botimi s’ka mundur të jetë më i qëlluar.
“Erdh në një ndër momentet më të vështira të njerëzimit, kur e krejt bota ishte gjunjëzuar para një virusi të panjohur e vdekjeprurës. Në vijën e parë të luftës, se luftë ishte e ende është kjo pandemi globale, u rreshtuan me qindra mijëra mantelbardhë në mbarë botën, duke flijuar edhe jetën e tyre në shërbim të pacientëve. Të heshtur e sakrifikues, duke ngjallur shpresë e dhënë kurajo në grahmat e fundit, duke luftuar me vdekjen e shpëtuar jetë, bluzat e bardha janë heronjtë e vërtetë të shekullit XXI”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Vlerësime për autorin dhe librin kanë dhënë edhe kryetari i KKSH-së, Faik Nika, njëherazi recensent i librit, shkrimtari dhe redaktori i librit Hajro Ulqinaku dhe shkrimtari, përkthyesi e studiuesi i letërsisë Dimitrov Popoviq.
Libri është botuar nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, i cili edhe e ka mbështetur financiarisht botimin e librit.
Në fund të përurimit janë ndarë libra falas për të pranishmit.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat