Qëllimi i seminarit – përmirësimi i raportimit për personat me invaliditet

Organizata Joqeveritare “Fëmijët e Malit të Zi” zhvillon të premtën dhe të shtunën më 18 dhe 19 qershor seminarin e radhës, “Public Relations dhe prezantimi mediatik i personave me invaliditet”, që do të mbahet në Kollashin në kuadër të projektit “E drejta për jetë pa diskriminim”.
Nga kjo OJQ, për gazetën “Koha Javore” theksojnë se në këtë seminar, përveç përfaqësuesve të Shoqatës së Prindërve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara, personave me aftësi të kufizuara, do të marrin pjesë gazetarë të cilët do të kenë mundësinë të shkruajnë dhe botojnë histori, artikuj mbi prezantimin e mediave dhe avokimin e personave me invaliditet në Mal të Zi.
Drejtoresha ekzekutive e OJQ-së “Fëmijët e Malit të Zi”, Sabra Deceviq tha se pritshmëritë e tyre janë që të kenë të pranishëm gazetarë nga i gjithë Mali i Zi, sepse qëllimi i këtij moduli sipas saj, është që të ndikohet në përmirësimin e raportimit për personat me invaliditet.
“Jemi të vetëdijshëm që edhe gazetarët nganjëherë mund të përdorin terma jo të favorshëm kur botojnë tekste në media apo kur raportojnë, dhe ne shpresojmë se me këtë seminar do të lidhim vetë personat me inavliditet, shoqatat që punojnë me ta, apo edhe prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara me gazetarët të cilët janë të interesuar që të shkruajnë për arritjet e tyre, apo problemet me të cilat ballafaqohen. Qëllimi tjetër është që të ndërgjegjësohemi që personat me invaliditet kanë jetën e tyre dhe kanë çfarë të na rrëfejnë e të na tregojnë, dhe janë po aq të vlefshëm në shoqëri”, thekson Deceviq në prononcimin për gazetën ”Koha Javore”.
Ajo më tej u shpreh se do të bëjnë edhe hulimtimin e realizimit të të drejtave të personave me invaliditet dhe diskriminimin e personave me invaliditet në tri komuna në Mal të Zi: Tuz, Tivar dhe Ulqin, rezultatet e të cilit siç tha, do të shpallen në korrik të vitit 2021.
“Ky projekt ka rëndësi të veçantë, sepse kërkon të ndikojë në rritjen e përfshirjes sociale dhe nivelit të informimit të personave me invaliditet në Tuz, Ulqin, Tivar dhe Podgoricë, si dhe përcjell dhe promovon realizimin e planit lokal të veprimit për mbrojtjen e personave me invaliditet nga diskriminimi dhe promovimin e barazisë, i cili u aprovua nga Komuna e Tuzit vitin e kaluar. Shoqata “Fëmijët e Malit të Zi” e ka inicuar këtë plan dhe ka udhëhequr planifikimin, duke angazhuar ekspertë që plani të jetë real dhe i arritshëm që të realizohet”, u shpreh Deceviq.
Projekti në fjalë mbështetet financiarisht nga Ministria e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave në Mal të Zi.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat