Një mozaik i çmueshëm

“Nuk është qëllimi që artistët e korpusit nacional të veçohen nga krijimtaria e përgjithshme figurative dhe artistike malazeze, por që përmes kësaj forme të theksohet pasuria dhe larmia e shprehjes artistike, që bashkohen në potencialin unik kulturor të Malit të Zi”, ka theksuar Salko Luboder, drejtor i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, që e ka botuar leksikonin

Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin, të enjten është bërë përurimi i Leksikonit të piktorëve të popujve pakicë në Malin e Zi “Saga e dritës”, i cili është botuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi.
Në leksikon janë përfshirë 54 piktorë, në mesin e të cilëve edhe piktorët shqiptarë Gjelosh Gjokaj, Rudi Goga, Gjergj Noc Martini, Zake Prelvukaj, Bilal Nikeziq, Qazim Muja, Naser Hasa, Vahida Hasanaga – Nimanbegu, Edin Kapllani, Agron Gjokaj etj.
Drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, Salko Luboder, ka thënë se institucioni që drejton ka inicuar botimin e Leksikonit të piktorëve që janë pjesëtarë të popujve pakicë në Malin e Zi me titull metaforik “Saga e dritës”, me dëshirën që të kontribuojë në afirmimin e mëtejshëm të artit figurativ dhe avancimin e skenës kulturore të Malit të Zi.
“Sigurisht, nuk është qëllimi që artistët e korpusit nacional të veçohen nga krijimtaria e përgjithshme figurative dhe artistike malazeze, por që përmes kësaj forme të theksohet pasuria dhe larmia e shprehjes artistike, që bashkohen në potencialin unik kulturor të Malit të Zi”, ka theksuar ai.
Për teoricienen e artit, Mr. Selma Gjeçeviq, krijimtaria e paraqitur në leksikon mund të shërbejë vetëm si një shembull i mirë.
“Interpretimi i saj çon në njohuri dhe përfundime në lidhje me rolin e fuqishëm të pjesëtarëve të popujve pakicë në formimin dhe zhvillimin e të gjithë rrjedhës magjistrale të skenës sonë artistike, poetika artistike dhe vlerat artistike autentike të të cilëve i japin një vulë të veçantë kulturore”, ka thënë ajo.
Piktorja nga Ulqini, Vahida Hasanaga – Nimanbegu, ka folur për rëndësinë e prezantimit të piktorëve në këtë leksikon.
“Leksikoni ka rëndësi për të gjithë ne që jemi nga Ulqini. Dua të filloj me tre artistë që nuk janë më mes nesh, si Rudi Goga, Gjergj Noc Martini dhe Gjelosh Gjokaj. Fillova prej tyre vetëm për të treguar se arti është i përjetshëm, ose nuk është i vdekshëm. Bile, ekzistojnë shumë raste ku faktikisht pas vdekjes së artistit, ai bëhet më i famshëm”, ka thënë ajo.
Nimanbegu ka thënë se arti figurativ në Mal të Zi është në nivel të lartë dhe se grupi i vogël i piktorëve nga Ulqini ka rëndësinë e vet në nivel shtetëror.
“Njëra prej teknikave të artit është mozaiku. Ai bëhet prej guralecëve të vegjël dhe sa më tepër që ka guralecë, aq më i çmueshëm është ai mozaik. Kështu që ne si shtet i vogël që jemi, me disa kombësi, ky mozaik vetëm mund të jetë më i mirë, më i vlefshëm, nuk mund të jetë kurrë më i dobët”, është shprehur ajo.
Redaktore e leksikonit është Mirsada Sredanoviq, ndërsa konsulente profesionale dhe fjalën hyrëse e ka shkruar Liljana Zekoviq.
Përurimi i Leksikonit të piktorëve nga popujt pakicë në Malin e Zi “Saga e dritës” u organizua nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave dhe Qendra e Kulturës – Ulqin.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat