Zoti Canoviq, ku është pllaka?

Ku është sot pllaka? Pse nuk është në një hapësirë publike? Nëse kjo pllakë iu dha qytetarëve të Plavës si shenjë mirënjohjeje për një akt humanizmi të bërë në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë të afërt, pse qytetarët nuk mund ta shohin atë në një vend publik? Pse nuk ka një hapësirë ku kjo histori të kujtohet? Pse një fëmijë i Plavës nuk duhet të ketë mundësi të kalojë pranë saj dhe të pyesë: “Çfarë është kjo?”

Kaltrina Hoti

Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, duhet të ndalojë së mohuari atë që qytetarët shohin në praktikë. Zoti Canoviq, është koha të ndaloni së mohuari problemet dhe të përballeni me pyetjen që po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u shmangur: a po trajtohet komuniteti shqiptar i Plavës në mënyrë të barabartë?
Ju mund të flisni për bashkëjetesë, për bashkëpunim, për zhvillim dhe për një Plavë ku të gjithë qytetarët kanë vendin e tyre. Por qytetarët nuk i matin institucionet vetëm nga fjalët. I matin nga veprimet. Dhe kur një komunitet vazhdimisht përballet me probleme të pazgjidhura, kur kërkesat e tij mbeten pa përgjigje, kur një pjesë e rrugës pret prej rreth dy vitesh të përfundohet dhe kur një rrugë ekzistuese lihet pa pastruar e mirëmbajtur, atëherë kemi të drejtë të pyesim: Ku është barazia për të cilën flitet? Ku është respekti për komunitetin shqiptar që jeton në këtë komunë? Dhe, mbi të gjitha: Pse duket sikur zëri i këtij komuniteti dëgjohet vetëm atëherë kur është i përshtatshëm?
Këto nuk janë pyetje për të krijuar konflikt. Janë pyetje që kërkojnë përgjigje. Nëse kryetari i Komunës së Plavës thotë se nuk ka diskriminim ndaj shqiptarëve, atëherë le ta tregojë këtë me veprime, jo vetëm me deklarata. Sepse unë nuk po kërkoj që dikush të më bindë me fjalë se nuk ka diskriminim. Unë po kërkoj të shoh barazi në praktikë.
Nuk po flas për një problem të vetëm. Në Hot kemi një pjesë të rrugës që banorët presin prej rreth dy vitesh të përfundohet. Përgjigjja ka qenë vazhdimisht: “Do t’i vijë radha.” Por radha nuk po vjen. Ndërkohë, një pjesë tjetër e rrugës ekzistuese është e mbuluar me gurë e dhé dhe kërkon pastrim e mirëmbajtje. Për këtë kemi bërë kërkesa zyrtare. Dhe përsëri, përgjigje me shkrim nuk kemi marrë.
Pra, kemi dy probleme: një rrugë që ende nuk është përfunduar dhe një rrugë ekzistuese që nuk po mirëmbahet siç duhet. Dhe të dyja vazhdojnë të presin.
Por sot dua të ngre edhe një pyetje tjetër. Para disa vitesh, përfaqësues nga Kosova erdhën në Plavë për të shprehur mirënjohjen ndaj qytetarëve të Plavës për ndihmën dhe mikpritjen që u kishin dhënë njerëzve të dëbuar nga Kosova gjatë luftës. Kjo nuk është një histori e treguar vetëm nga unë. Vetë Komuna e Plavës e ka dokumentuar këtë ngjarje.
Në vitin 2025, Komuna e Plavës publikoi se Komuna e Pejës i kishte dorëzuar një mirënjohje qytetarëve të Plavës për humanizmin dhe solidaritetin e treguar ndaj refugjatëve nga Kosova. Në të njëjtin njoftim, Komuna kujton se gjatë viteve 1998-1999, në zonën e Plavës, mijëra njerëz nga Kosova gjetën strehim dhe siguri. Ekziston edhe fotografia. Ekziston edhe pllaka. Ajo që shihet në fotografi është një dëshmi fizike e kësaj mirënjohjeje dhe e kësaj historie. Atëherë pyetja është shumë e thjeshtë: Ku është sot pllaka? Pse nuk është në një hapësirë publike? Nëse kjo pllakë iu dha qytetarëve të Plavës si shenjë mirënjohjeje për një akt humanizmi të bërë në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë të afërt, pse qytetarët nuk mund ta shohin atë në një vend publik? Pse nuk ka një hapësirë ku kjo histori të kujtohet? Pse një fëmijë i Plavës nuk duhet të ketë mundësi të kalojë pranë saj dhe të pyesë: “Çfarë është kjo?”
Dhe të dëgjojë: “Këtu kujtohet koha kur njerëzit e Plavës i hapën dyert e tyre për njerëzit që po iknin nga lufta në Kosovë.”
Kjo nuk është vetëm një pllakë. Është kujtesë. Është histori. Është mirënjohje. Dhe mbi të gjitha, është pjesë e historisë së vetë Plavës.
Zoti Canoviq, ku është pllaka?
Kjo është një pyetje që po ia bëj publikisht kryetarit të Komunës së Plavës. Ku ndodhet sot kjo pllakë?
Nëse është në ndonjë institucion, na tregoni ku. Nëse ka një arsye pse nuk është vendosur në hapësirë publike, na e shpjegoni. Nëse është planifikuar të vendoset diku, na tregoni kur. Sepse nuk po kërkojmë një monument për Nihad Canoviqin. Nuk po kërkojmë një simbol partie. Nuk po kërkojmë një reklamë politike. Po kërkojmë që mirënjohja e një qyteti ndaj qytetarëve të Plavës të mos mbetet e padukshme.

Sot flitet shumë për Kosovën
Viteve të fundit Komuna e Plavës ka folur publikisht për bashkëpunimin me Kosovën, për lidhjet me Pejën, për rrugën Plavë-Deçan, Çakorrin, turizmin dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërkufitar. Unë jam për bashkëpunimin me Kosovën. Jam për lidhjet me Pejën, jam për turizmin, jam për ekonominë, jam për projektet që i lidhin njerëzit dhe vendet tona. Por bashkëpunimi nuk mund të ndërtohet vetëm mbi projekte dhe interesa ekonomike. Duhet të ndërtohet edhe mbi respektin për historinë. Sepse lidhja e Plavës me Kosovën nuk filloi me projektet turistike. Ajo u dëshmua kur njerëzit kishin nevojë për ndihmë.
Në një kohë kur njerëzit po largoheshin nga shtëpitë e tyre, banorët e Plavës i hapën dyert. Dhe vite më vonë, njerëzit nga Kosova erdhën për të thënë: Faleminderit.
A nuk meriton ky “faleminderit” një vend të dukshëm në qytetin tonë?
Po komuniteti shqiptar i Plavës?
Këtu lind edhe një pyetje tjetër: Kur në Plavë vijnë përfaqësues nga Kosova dhe kur diskutohen bashkëpunime, projekte, turizëm dhe ekonomi, ku janë përfaqësuesit e komunitetit shqiptar të Plavës? Pse njerëzit që e përfaqësojnë këtë komunitet nuk janë gjithmonë pjesë e këtyre proceseve?
Ne nuk jemi një komunitet që duhet të kujtohet vetëm kur është e nevojshme. Ne jetojmë këtu, kemi familjet tona këtu, kemi historinë tonë këtu, kemi kulturën tonë këtu dhe kemi lidhje të drejtpërdrejta historike, familjare dhe kulturore me Kosovën. Prandaj, kur Plava ndërton marrëdhënie me Kosovën është krejt e arsyeshme që edhe komuniteti shqiptar i Plavës të ketë zërin dhe vendin e vet në këto marrëdhënie.

Kosova nuk mund të jetë vetëm partner turistik
Nëse Kosova shihet si partner për zhvillimin turistik dhe ekonomik të Plavës, kjo është pozitive. Por Kosova nuk është vetëm turizëm, nuk është vetëm ekonomi, nuk është vetëm një projekt ndërkufitar. Ka edhe kujtesë, ka mirënjohje, ka histori njerëzore. Dhe kjo pllakë është një pjesë e kësaj historie.
Prandaj pyetja ime është: Pse të mos vendoset në një vend publik? Pse të mos e shohë çdo qytetar? Pse të mos e shohin vizitorët? Pse të mos bëhet pjesë e kujtesës së qytetit?

Nuk mund të kërkosh Kosovën vetëm kur të duhet
Nëse duam të ndërtojmë marrëdhënie të mira me Kosovën, duhet të respektojmë edhe njerëzit që i kanë ruajtur këto lidhje ndër vite. Nuk mund të kujtohet Kosova vetëm kur flasim për turistë. Nuk mund të kujtohet vetëm kur flasim për projekte. Nuk mund të kujtohet vetëm kur bëhen fotografi dhe takime. Duhet të kujtohet edhe kur flasim për historinë dhe njerëzit. Dhe komuniteti shqiptar i Plavës nuk mund të lihet jashtë kësaj historie.

A po trajtohemi në mënyrë të barabartë?
Kjo është pyetja që unë po ngre. Nuk po them se kam të drejtë të gjykoj vetë motivet e kryetarit. Por po them se veprimet e institucioneve kanë pasoja dhe krijojnë perceptime te qytetarët.
Kur kërkesat e Hotit mbeten pa përgjigje; kur një pjesë e rrugës pret prej dy vitesh; kur rruga ekzistuese kërkon mirëmbajtje; kur përfaqësuesit e komunitetit shqiptar nuk përfshihen në mënyrë të mjaftueshme në çështje që lidhen drejtpërdrejt me marrëdhëniet e komunitetit të tyre me Kosovën; dhe kur një simbol i mirënjohjes nga Kosova nuk është i dukshëm në hapësirën publike; atëherë është normale që qytetarët të pyesin: a po trajtohemi vërtet në mënyrë të barabartë?
Unë nuk do të hesht. Unë nuk po kërkoj konflikt me Nihad Canoviqin. Nuk po kërkoj trajtim të veçantë për Hotin. Po kërkoj diçka shumë më të thjeshtë: barazi.
Nëse rruga duhet pastruar, pastrojeni. Nëse rruga duhet përfunduar, përfundojeni. Nëse kërkesa ime është e padrejtë, përgjigjuni me shkrim dhe shpjegojeni. Nëse nuk ka diskriminim, tregojeni këtë me veprime. Nëse ekziston një arsye ligjore, teknike apo financiare për vonesat, thuajeni publikisht. Por mos na lini me: “Do t’i vijë radha.”
Sepse pas dy vitesh, kjo nuk është më përgjigje. Dhe mos na kërkoni të besojmë se gjithçka është e barabartë vetëm sepse kështu thuhet. Barazia duhet të shihet.

Plava duhet ta tregojë historinë e saj
Unë dua një Plavë që të bashkëpunojë me Kosovën, dua një Plavë që të zhvillohet, dua turizëm, dua ekonomi, dua ura mes njerëzve… Por dua edhe një Plavë që nuk e harron historinë e vet.
Një qytet që dëshiron të ndërtojë të ardhmen me Kosovën duhet të ketë guximin të tregojë edhe historinë e marrëdhënies së tij me Kosovën. Jo ta fshehë, jo ta lërë diku në një zyrë, jo ta kujtojë vetëm kur ka një projekt, por ta tregojë. Sepse ajo pllakë nuk është thjesht një objekt. Ajo tregon se dikur, në një kohë shumë të vështirë, njerëzit e Plavës i hapën dyert e tyre për njerëzit e Kosovës.
Dhe Kosova erdhi për të thënë: Faleminderit. Kjo është një histori për të cilën Plava duhet të jetë krenare. Dhe kjo është arsyeja pse unë po e bëj këtë pyetje: Zoti Canoviq, ku është pllaka e falënderimit nga Kosova? Dhe pse qytetarët e Plavës ende nuk kanë mundësi ta shohin atë në një hapësirë publike?
Sepse unë besoj se historia e një qyteti nuk duhet të fshihet. As zëri i qytetarëve të tij. As zëri i shqiptarëve të Plavës. As e vërteta që duhet të shihet.

Të fundit

më të lexuarat