Ulqini këtë vit shënoi një jubile të veçantë kulturor – 25-vjetorin e Panairit të Librit, një manifestim që për një çerekshekulli ka sjellë në qytetin bregdetar autorë, botues, studiues, përkthyes dhe dashamirës të librit nga të gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë.
Panairi u organizua nga Komuna e Ulqinit, Qendra për Kulturë – Ulqin, Organizata Turistike e Ulqinit, Ministria e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave e Malit të Zi, SHPK “Veprimtaritë Komunale” – Ulqin, si dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit nga Shqipëria si bashkorganizator i përhershëm.
Ceremonia solemne e hapjes së edicionit jubilar u mbajt më 5 gusht 2026, në Pazarin e Suvenireve në Ulqin.
Edicioni jubilar i Panairit të Librit u hap në një atmosferë solemne, me pjesëmarrjen e personaliteteve të shumta të jetës politike dhe kulturore. I pranishëm në ceremoninë e hapjes ishte edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, duke i dhënë një rëndësi të veçantë këtij jubileu.
Prania e kreut të shtetit shqiptar në këtë ngjarje kulturore vjen si një vlerësim për rolin që Panairi i Librit në Ulqin ka luajtur gjatë 25 viteve në promovimin e librit dhe kulturës shqiptare.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi se libri nuk duhet të shihet vetëm si burim informacioni, por si një mjet për formimin e mendimit kritik dhe përgatitjen e brezave të rinj për të ardhmen.
“Ulqini është një qytet me histori, kulturë dhe një traditë të vyer mikpritjeje, ku shqipja është gjuhë e familjes, e kujtesës dhe e krijimtarisë. Sot nuk mjafton të jemi vetëm krenarë për historinë tonë; duhet të jemi të përgatitur për të ardhmen. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e librit. Libri nuk na jep vetëm informacion, por na mëson të mendojmë, të pyesim, të dëgjojmë edhe një mendim tjetër dhe të mos e pranojmë çdo gjë si të mirëqenë. Prandaj, libri duhet të trajtohet si një përparësi kombëtare – duke investuar në biblioteka, duke i mbështetur autorët, përkthyesit e botuesit dhe, mbi të gjitha, duke e afruar librin me fëmijët dhe brezat e rinj”, ka thënë ai.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, vlerësoi rëndësinë e edicionit jubilar dhe praninë e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen dhe vëmendjen që iu kushtua këtij manifestimi.
“Ky panair është bërë një urë që lidh autorët, lexuesit dhe kulturën shqiptare në të gjitha hapësirat ku ajo jeton e zhvillohet. Falënderoj Presidentin Begaj për praninë dhe mbështetjen, si dhe të gjithë autorët, botuesit, institucionet dhe qytetarët që e kanë bërë këtë jubile një festë të librit dhe të kulturës”, ka theksuar ai.
Ceremonia e hapjes së edicionit jubilar të 25-të të Panairit të Librit në Ulqin u pasurua edhe me fjalët përshëndetëse të përfaqësuesve të institucioneve nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova. Në këtë ngjarje morën pjesë dhe folën gjithashtu edhe ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave i Malit të Zi, këshilltarja e u.d. së Presidentes së Republikës së Kosovës, përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës dhe Medias së Malit të Zi, si dhe përfaqësuesja e Institutit të Librit dhe të Promocionit nga Shqipëria.
Në fjalët e tyre, ata vlerësuan vazhdimësinë 25-vjeçare të Panairit të Librit dhe rolin e tij në promovimin e letërsisë, gjuhës dhe kulturës, duke e cilësuar Ulqinin një hapësirë të rëndësishme të bashkëpunimit kulturor rajonal. Theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së librit në ruajtjen e identitetit kulturor, forcimin e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, autorëve dhe botuesve.
Programi i hapjes u pasurua edhe me një intermezzo muzikore nga pianistja Ana Kaçinari, duke i dhënë ceremonisë një karakter të veçantë artistik dhe solemn.
Një program i pasur letrar
Programi i edicionit jubilar vazhdoi me një sërë veprimtarish letrare dhe promovimesh, duke sjellë para publikut autorë dhe vepra nga fusha të ndryshme.
Një nga mbrëmjet i kushtohej promovimit të librit “101 tregime të shkurta” të shkrimtarit Stefan Çapaliku, një prej zërave të njohur të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Përmes kësaj vepre publiku pati mundësinë të takohej me krijimtarinë e një autori që prej vitesh është i pranishëm në skenën letrare shqiptare.
Në të njëjtën mbrëmje u prezantua edhe libri “Ulqini florini: Portrete, In memoriame V” i kronikanit ulqinak Ismet Karamanaga. Vepra e tij përbën një tjetër përpjekje për të ruajtur kujtesën e qytetit, historinë e tij dhe portretet e njerëzve që kanë lënë gjurmë në jetën e Ulqinit.
Kjo mbrëmje u përmbyll me një nga momentet më të rëndësishme të panairit – ceremoninë solemne të ndarjes së çmimeve letrare.
Çmimet, vlerësim për krijimtarinë dhe kontributin letrar
Ceremonia e ndarjes së çmimeve i dha një dimension të veçantë edicionit të 25-të. Vlerësimi i veprave iu besua jurisë profesionale, të përbërë nga Behar Gjoka, studiues i letërsisë, Liridon Mulaj, shkrimtar, dhe Ismet Kallaba, gazetar dhe drejtues i Shoqatës “Art Club”.
Juria veçoi veprat dhe autorët që, sipas vlerësimit të saj, sollën kontributet më të shquara në fushën e letërsisë, përkthimit dhe studimeve kulturore.
“Përballemi me një përgjegjësi të madhe, por edhe me gëzimin e veçantë për të vlerësuar ata që me meritë lënë gjurmë në fushën e letrave”, u shpreh anëtari i jurisë, Liridon Mulaj.
Me Çmimin “Dega e Ullirit”, çmim i dedikuar letërsisë për fëmijë, u vlerësuan dy autorë.
Fjori Kasa u nderua për ndërthurjen e arrirë të fantazisë me shkencën dhe të imagjinatës me ndjenjat njerëzore. Ndërsa Gazmend Çitaku u vlerësua për ruajtjen, kultivimin dhe pasurimin e trashëgimisë dhe miteve të Ulqinit të vjetër.
Çmimi “Servantes” për përkthimin më të mirë iu dha Sokol Çungës, për sjelljen me mjeshtëri dhe ndjeshmëri në gjuhën shqipe të një vepre antike, duke ruajtur forcën e saj poetike dhe dramatike.
Çmimi letrar “Liburnia” iu dha shkrimtarit Bashkim Hoxha, për romanin e bazuar në gërshetimin e historisë me traditën detare ulqinake.
Ndërsa Çmimi “Olcinium” për studimin më të mirë iu dha Zhani Cikos, për kontributin e çmuar në dokumentimin e historisë operistike dhe vizionin e ndërlidhjes së kulturës baroke me rajonin.
Programi vazhdoi më 7 gusht 2026, me promovimin e librit “Oko svijeta” (Rreth Botës) të autorit Edin Krniq. Libri është frymëzuar nga udhëtimet e autorit në 23 shtete dhe disa kontinente, duke sjellë histori, zakone dhe përjetime nga njerëzit dhe vendet që ai ka vizituar.
Pas tij, programi vijoi me promovimin e krijimtarisë së autores Doris Razhnatoviq, ku publiku pati mundësinë të njihej më nga afër me veprën, frymëzimin dhe temat që e karakterizojnë krijimtarinë e saj letrare.
Edicioni jubilar u përmbyll më 8 gusht 2026, me një program që ndërthuri letërsinë dhe muzikën. Së pari u promovua krijimtaria letrare e Besa Myftiut, shkrimtare dhe publiciste e njohur, romanet dhe esetë e së cilës janë vlerësuar edhe përtej kufijve të rajonit.
Pas programit letrar, mbrëmja vazhdoi me muzikë. Në skenë u ngjit Marco Zappa, kantautor dhe multiinstrumentist i njohur zviceran, i cili me stilin e tij të veçantë, që ndërthur kultura dhe zhanre të ndryshme, i dha një dimension ndërkombëtar mbrëmjes së fundit.
Sipas organizatorëve, 56 botues në edicionin jubilar
Një nga treguesit e rëndësisë dhe rritjes së këtij manifestimi ishte edhe pjesëmarrja rekord e 56 botuesve në edicionin jubilar, sipas organizatorëve.
Rritja e numrit të botuesve në edicionin e 25-të dëshmon për zgjerimin e interesimit ndaj këtij manifestimi dhe për rolin që ai tashmë luan në jetën kulturore të Ulqinit.
Për një qytet me një trashëgimi të pasur historike e kulturore si Ulqini, një manifestim i tillë ka një rëndësi që shkon përtej promovimit të librave.
D. Teliqi
