Libër shkollor që do t’i plotësojë pritshmëritë enxënësve

Pa marrë parasysh nëse teksti mësimor ka apo nuk ka ndonjë mangësi, duhet potencuar se është hera e parë që punohet një libër i tillë për nxënësit shqiptarë në Malin e Zi. Andaj, mendoj se përpara kemi një libër shkollor, i cili do t’i plotësojë pritshmëritë e nxënësve shqiptarë në Malin e Zi dhe do të pasurojë dijen e tyre për ngjarjet më të rëndësishme kombëtare

Mark Junçaj

Teksti mësimor të cilin po e prezantojmë sot, është teksti i parë i këtij lloji i botuar enkas për nxënësit shqiptarë në Malin e Zi, në të cilin ndodhen njësitë mësimore për historinë kombëtare shqiptare dhe atë lokale për shqiptarët e Malit të Zi. Në këtë tekst kemi punuar së bashku me kolegun Nexhat Avdiu, me të cilin kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyer, si edhe Sabit Kurtin, i cili ka qenë pjesë e grupit të punës. E gjithë kjo punë është bërë me përkrahjen e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, në veçanti me përkrahjen e kryetarit Faik Nika. Po ashtu, vlen të përmendet se kontribut, përveç Shtëpisë Botuese “Albas”, ka dhënë edhe studiuesi i mirënjohur dom Nikë Ukgjini, i cili ka qenë çdoherë i gatshëm të na ndihmojë dhe të jetë urë lidhëse me shtëpinë botuese.
Libri në fjalë është në pajtim me programin e lëndës së historisë për drejtimin e gjimnazit të shkollave të mesme në Mal të Zi, konkretisht për nxënësit shqiptarë, pasi që, sipas ligjit, 80 për qind e programit ka të bëjë me njësitë mësimore të detyrueshme për të gjithë nxënësit në Mal të Zi, pa marrë parasysh gjuhën në të cilën mësojnë, për çka edhe ekziston teksti i obligueshëm mësimor. Ndërkaq 20 për qind është lënë e lirë që të përdoret për historinë lokale ose për njësitë mësimore me rëndësi për bashkësinë lokale, konkretisht për njësitë kombëtare që janë të rëndësishme për bashkësinë lokale. Në këtë rast, pasi që kemi të bëjmë me kombin shqiptar, atëherë për njësitë mësimore që janë të rëndësishme për shqiptarët në Mal të Zi.
Unë do të theksoja se teksti mësimor bazohet edhe në të drejtat kushtetuese, pasi që sipas të drejtave të veçanta të pakicave, neni 79, pika 4, thotë: “Pjesëtarët e popujve pakicë kanë të drejtën e shkollimit në gjuhën dhe shkrimin e tyre në institucionet shtetërore, si edhe që programet arsimore të përfshijnë edhe historinë dhe kulturën e pjesëtarëve të pakicave kombëtare”. Pra, siç e shohim nga ky nen i Kushtetutës së Malit të Zi, kemi të drejtë edhe për një program të veçantë për lëndët identitare, konkretisht, në këtë rast, për historinë.
Tani, në pika të shkurtra do t’i them disa fjalë për vetë tekstin mësimor. Libri në fjalë është i ndarë në katër kapituj, sipas katër viteve të gjimnazit, pasi që çdo kapitull përmban njësitë mësimore të parapara për një vit. Vlen të përmendet se në shkollat e mesme të Malit të Zi, drejtimi i gjimnazit, lënda e historisë mësohet gjatë katër viteve, ashtu që për çdo vit mësohet një periudhë historike. Në tekstin mësimor ndodhen 11-12 mësime për çdo vit. Në total, për katër vite janë të hartuara 46 njësi mësimore brenda 161 faqeve, sa ka gjithsej libri.
Në vitin e parë mësohet Koha e Vjetër, që përfshin periudhën kohore që nga shfaqja e njeriut deri te rënia e Perandorisë Romake të Perëndimit në vitin 476. Ashtu që, në këtë libër përfshihet historia e fiseve ilire që nga shfaqja e njeriut deri te viti në fjalë.
Viti i parë parasheh të mësohen 11 njësi mësimore, siç janë: Gjurmët e parahistorisë; Origjina e ilirëve; Shteti ilir; Shteti i Epirit etj. Vlen të përmendet se një njësi mësimore titullohet “Gjurmët iliro-romake në viset shqiptare në Mal të Zi gjatë antikitetit”, ku për herë të parë jepen së bashku disa infromacione për gjurmët iliro-romake në zonat e Ulqinit, Malësisë dhe Plavës.
Pra, gjatë këtij viti mësohet për fiset ilire, shtetet e tyre, si edhe luftërat kundër Romës. Po ashtu, edhe për pozitën e fiseve ilire brenda Perandorisë Romake dhe përhapjen e krishterimit.
Gjatë vitit të dytë vazhdohet me periudhën e Mesjetës iliro-arbërore. Mesjeta realizohet përmes 11 njësive mësimore. Njësitë mësimore trajtojnë, siç thashë më parë, mesjetën iliro-arbërore duke filluar nga ardhja e fiseve barbare dhe trazirat e shkaktuara nga ata, në veçanti me ndryshimet e shkaktuara nga ardhja e fiseve sllave. Pastaj, edhe zëvendësimin e emrit ilir me emrin arbër, që do të jetë emri mesjetar i shqiptarëve. Do të mësojnë për pozitën e Arbërisë brenda shtetit bizantin, Shtetin e Arbrit, si edhe pushtimin e Arbërisë nga Serbia mesjetare. Pjesët e fundit trajtojnë shfaqjen e formacioneve shtetërore arbërore, si edhe luftërat e tyre kundër Perandorisë Osmane, ku një rëndësi e madhe i kushtohet qëndresës arbërore të drejtuar nga kryetrimi arbëror Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Njësitë mësimore janë të titulluara: “Mesjeta e hershme arbërore”, “Arbëria mes Bizantit dhe Perëndimit”, “Formacionet shtetërore arbërore”, “Gjurmë mesjetare të shqiptarëve në Mal të Zi”, ku do të kenë mundësi të mësojnë për mbetjet mesjetare në viset e tyre, pastaj edhe për trevat shqiptare nën sundimin osman etj.
Në kapitullin e tretë janë hartuar 12 njësi mësimore, të cilat do të mësohen në vitin e tretë. Në këtë rast do të kenë mundësi që të mësojnë për ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare gjatë sundimit osman. Nxënësit shqiptarë do të njihen me gjendjen e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane, pashallëqet shqiptare dhe sidomos me Rilindjen Kombëtare shqiptare. Brenda kësaj periudhe rëndësi i kushtohet Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjendjes kulturore, si edhe kryengritjeve të mëdha të shek. XX, ku një njësi mësimore i kushtohet Kryengritjes së Malësisë së Madhe. Ky kapitull përfundon me pavarësimin e shtetit shqiptar. Sikurse edhe në kapitujt tjerë, edhe në kapitullin e tretë trajtohet gjendja e shqiptarëve në Malin e Zi, në veçanti periudha më e rëndë për ta, që nga Kongresi i Berlinit deri te Konferenca e Londrës.
Në kapitullin e katërt, që njëkohësisht është edhe kapitulli i fundit i librit, ndodhen njësitë mësimore të parapara për vitin e katërt. Meqenëse trajtohet periudha pas shpalljes së Pavarësisë deri në fillim të shek. XXI, duke ditur se në këtë periudhë të gjitha trojet shqiptare nuk ndodhen brenda një shteti, atëherë në këtë kapitull kemi shtuar numrin e njësive mësimore për shqiptarët në Malin e Zi.
Në kapitullin në fjalë ndodhen njësitë mësimore për shtetin shqiptar që nga koha e sundimit të Princ Vidit e deri në fillimet e shek. XXI, duke paraqitur gjendjen në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, periudhën mes dy luftërave, ku spikat figura e Ahmet Zogut, pastaj Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, diktaturës komuniste e deri te gjendja në Shqipëri gjatë ditëve të sotme. Sa u përket shqiptarëve në Malin e Zi, paraqitet e njëjta periudhë kohore, duke paraqitur gjendjen e tyre gjatë periudhës në fjalë. Pra, me fjalë të tjera, nxënësit kanë mundësi të njihen me ngjarjet më të rëndësishme të të parëve të tyre që nga Lufta e Parë Botërore deri te ditët e sotme. Vlen të përmendet se do të kenë mundësi të njihen me pozitën e rëndë të shqiptarëve, sidomos gjatë periudhës së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, e cila që nga viti 1929 e ndërron emrin në Mbretëria e Jugosllavisë, e cila e kishte ndaluar mësimin në gjuhën shqipe. Pastaj, edhe me gjendjen e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, periudhës komuniste e deri në ditët tona.
Në fund, vlen të përmendet se jemi munduar që mësimet mësimore t’ua përshtasim sa më shumë nxënësve sipas moshës së tyre. Prandaj, mendojmë se ia kemi arritur qëllimit me tekstin mësimor, pasi që bëhet fjalë për një tekst gjithëpërfshirës për historinë kombëtare dhe lokale, duke e përshtatur për moshën e paraparë.
Tani, a është libër i punuar në mënyrë të përsosur? Normal se jo, pasi që të tillë nuk ka. A ka vend për kritika? Normal se po. A ka vend për përmirësim dhe që nesër dikush tjetër ta punojë më mirë se që e kemi punuar ne? Unë mendoj se po. Sepse, gjithmonë mund të punohet më mirë dhe uroj që nesër, nëse mundet, ta punojë dikush tjetër edhe më mirë!
Mirëpo, pa marrë parasysh nëse teksti mësimor ka apo nuk ka ndonjë mangësi, duhet potencuar se është hera e parë që punohet një libër i tillë për nxënësit shqiptarë në Malin e Zi. Andaj, mendoj se përpara kemi një libër shkollor, i cili do t’i plotësojë pritshmëritë e nxënësve shqiptarë në Malin e Zi dhe do të pasurojë dijen e tyre për ngjarjet më të rëndësishme kombëtare.

(Vështrimi është lexuar në promovimin e librit në Librarinë “Ulqini” – Ulqin, më 28 shkurt 2026)

Të fundit

më të lexuarat