Anashkalimi dhe harresa e datave tona historike

Është për keqardhje që 14 qershori kalon për çdo vit pa u shënuar, kështu që edhe në këtë jubilar të saj nuk pati asnjë organizim lidhur me përkujtimin e kësaj date të rëndësisshme për shqiptarët e komunës së Ulqinit

Xheladin Zeneli

Më 14 qershor 1941 u ngrit flamuri shqiptar në Ulqin nga banorët shqiptarë të këtij qyteti me rrethinë. Kjo shënon një ngjarje të rëndësishme historike pasi që për herë të parë, pas rënies së Ulqinit nën Malin e Zi në vitin 1880, u bë ngritja e flamurit tonë kombëtar në këtë qytet, në mënyrë të organizuar.
Në ngritjen e flamurit ishin të pranishëm mijëra shqiptarë nga Ulqini, Ana e Malit, Shtoji, Zogajt, Kraja etj. Vetë fakti që ky manifestim i bashkoi shqiptarët pa dallim besimi fetar, dëshmon për ndjenjën dhe vetëdijen e lartë kombëtare të banorëve të atëhershëm shqiptarë të kësaj treve.
Ja si e përshkruan këtë ngjarje Rrok Mark Dush Shkreli, si pjesëmarrës dhe dëshmitar i saj, në librin e tij “Në valët e jetës”:
“…Në ditën e Korpit dhe gjakut të Krishtit, më datë 14 qershor të vitit të shenjtë 1941, edhe në Ulqin ngritëm Flamurin e lavdishëm kombëtar, ku mora pjesë edhe unë personalisht, madje pata nderin e madh që me dorën time ta vendos në shtizë në kompanjelin e Kishës famullitare të Shën Zefit në Ulqin. Atë ditë ishte mbledhur popull i madh nga Ana e Malit, Ulqini me rrethina, Shestani e Kraja, që kishin ardhur në panagjyrën dhe procesionin e madh për ditën e Korpit të Krishtit dhe për festën e Flamurit që po përgatiteshim ne. Erdhën edhe krerët e iu bashkuan popullit, Dom Nikollë Tusha, Caf Beg Ulqini, Dom Ivo Bellashi, Hoxhë Llunja, Lush Paloka, Dedë Gjo Nikë Delija, Selë Lamja me të birin Elezin, Rexhep Dollaku e shumë ulqinakë me ta…”
Shumica e organizuesve dhe e drejtuesve të këtij manifestimi kombëtar, më vonë do të ndiqen dhe persekutohen nga regjimi i kohës. Lidhur me këtë, Fahri Buçinca në librin e tij “Cafo Beg Ulqini” shkruan:
“Paria intelektuale dhe atdhetarët që udhëheqnin në organizmin e këtij manifestimi për ngritjen e flamurit kombëtar, u persekutuan nga Partia Komuniste posa ata instaluan pushtetin e tyre në nëntor të vitit 1944 e sidomos gjatë vitit 1945. Bëhet me dije se nga dora e armikut janë vrarë më se 70 qytetarë të Ulqinit dhe të rrethinës, kurse një numër i konsiderueshëm janë dënuar deri në 20 vite burgim e disa madje edhe pushkatuar”.

Paradoksi i partive politike shqiptare në komunën e Ulqinit
Është për keqardhje që 14 qershori kalon për çdo vit pa u shënuar, kështu që edhe në këtë jubilar të saj nuk pati asnjë organizim lidhur me përkujtimin e kësaj date të rëndësisshme për shqiptarët e komunës së Ulqinit.
Shqiptarët në Mal të Zi kanë të drejtë kushtetuese që t’i shënojnë dhe t’i përkujtojnë ngjarjet e tyre historike kombëtare, por për çudi ata këtë të drejtë shpeshherë nuk e ushtrojnë aq sa duhet. Në komunën e Ulqinit, aktualisht pushtetin e mbajnë partitë politike shqiptare.
Paradoksi më i madh është se janë partitë shqiptare që e quajnë veten “parti nacionale” e që gjatë fushatave të tyre zgjedhore bartin dhe e valëvisin flamurin shqiptar, por kur është rasti për të përkujtuar dhe festuar një ngjarje të rëndësishme siç është përvjetori i ngritjes së këtij flamuri në Ulqin, 85 vite më parë, ato e injorojnë dhe e anashkalojnë. Pra, flamuri shqiptar është i mirë për të mbledhur vota gjatë fushatave zgjedhore por jo edhe për të kujtuar sakrificat e atyre që kontribuuan aq shumë në ushtrimin e kësaj të drejteje kombëtare që ata e gëzojnë sot.

Të fundit

më të lexuarat