
Kjo që po shkruaj nuk është thjesht kujtim, por një plagë e hapur që ka djegur shpirtin e brezave të tërë. Ka po aq peshë sa vetë kënga që kam kënduar ndër vite, sepse vjen nga e njëjta dhembje.
Shqiptarët e dy brigjeve të Bunës nuk ishin larg me kilometra. Shkodra ishte përballë nesh – e dukshme, e ndjeshme, por e paprekshme dhe e paarritshme. Na ndante jo lumi por kufiri i hekurt, telat me gjemba dhe një ideologji shkatërrimtare, që e bënte afërsinë të dukej më e largët se çdo kontinent, e kthente në një ëndërr nga e cila nuk zgjoheshe dot.
Shqiptarët e krahinave tona, me të cilat kishim kontakte, si Ana e Malit, Kraja dhe Ulqini, u ndanë padrejtësisht nga trungu amtar. Në njërën anë të kufirit, regjimi jugosllav na shtypte, na mohonte gjuhën dhe identitetin. Në anën tjetër, shqiptarët e Shqipërisë u mbyllën në një burg ideologjik, ku u detyruan ta dënonin vetveten; ranë në kurthin e sllavëve serbo-komunistë dhe, fatkeqësisht, kjo ideologji u besua dhe u përqafua si e vërtetë, por në fakt ishte e paramenduar për t’i shkatërruar shqiptarët.
Të dyja anët e kufirit shqiptaro-shqiptar vuajtëm nga e njëjta sëmundje – komunizmi, por me simptoma të ndryshme. Për ne që jetonim nën Jugosllavi, asimilimi ishte brutal. Të mbijetoje si shqiptar ishte një betejë e përditshme. Shumë nuk ia dolën. U shuan në heshtje, u tretën në një kulturë që nuk ishte e tyre. Sot, disa prej tyre nuk flasin më as shqip, janë indoktrinuar të besojnë se janë dikush tjetër.
E megjithatë, dashuria për Shqipërinë nuk u shua kurrë. Përkundrazi, sa më i fortë ishte presioni, aq më e fortë bëhej lidhja jonë shpirtërore. Kënga shqipe, veçanërisht kënga shqiptare, ishte oksigjeni ynë. Nuk ishte thjesht argëtim. Ishte rezistencë. Ishte mënyra jonë për të thënë: jemi gjallë dhe jemi shqiptarë. Sa më shumë përpiqeshin të na asimilojnë, aq më shumë kënga bëhej flamuri ynë i padukshëm.
Kosova ishte porta jonë e parë drejt dritës. Shumë prej nesh kaluam rrugë të gjata e të rrezikshme, përmes Bjeshkëve të Nemuna, vetëm për një qëllim: të mësonim në gjuhën tonë amtare, të shkolloheshim në gjuhën shqipe.
Hapja e Universitetit të Prishtinës ishte shpëtim kombëtar. Nuk ishte thjesht institucion, ishte mbijetesë për një komb të tërë, të ndarë nga toka mëmë.
Ndërkohë, flasim për Shkodrën, sepse ishte qyteti më i afërt, por ishte edhe paradoksalisht më i largëti. Për ne ajo ishte ëndërr. Ishte burimi i kulturës dhe i muzikës që na ushqente shpirtin. Çdokush që merrej me artin, e mendonte shpesh se sa me fat ishin artistët dhe këngëtarët shkodranë, që mblidheshin pranë Teatrit “Migjeni”, që kishin kompozitorë dhe orkestrues të mëdhenj rreth tyre. Por ironia e historisë është kjo: ndërsa ne rrezikonim të censuroheshim për një këngë shqipe, në anën tjetër të kufirit, gjatë asaj kohe, disa fshehtas kultivuan një dashuri për këngët sllave. Qëllimi nuk është t’i gjykoj, por të tërheq një paralele. Kur diçka ndalohet, shpesh bëhet më joshëse, më e nevojshme. Edhe pa e kuptuar gjuhën, muzika sillte iluzionin e një lirie të vogël, të imagjinuar.
Por a e kuptonin ata gjendjen tonë?
Që ne ishim jetimë kombëtarë, të ndarë nga trungu, të shtypur vetëm pse ishim shqiptarë. Për ne, kënga sllave nuk mund ta prekte shpirtin. Jo nga urrejtja, përkundrazi, shqiptarët nuk urrejnë, por ishte nga plagët. Gjuha që përdorej për të na asimiluar, për të na mohuar qenien tonë, nuk mund të bëhej kënga jonë.
Por mos të harrojmë se pati edhe nga tanët që u lëkundën, sidomos ata që qëndronin në kufirin e asimilimit. Por shumica qëndroi stoike. Sepse për ne, muzika shqiptare nuk ishte zgjedhje, ishte domosdoshmëri për të mbijetuar.
Shumë kanë harruar, por ne i mbajmë mend mirë dënimet, burgjet në Spuzh e Kotorr, vetëm pse dikush mbante një kasetë me këngë atdhetare. Në të njëjtën kohë, në Shqipërinë e izoluar, njerëzit dëgjonin fshehurazi valë të huaja, duke e ndier veten të lirë për pak minuta.
Frikë kishte në të dyja anët. Përgjues kishte kudo. Shqiptarët bartnin fatin e dënimit në të dyja anët e kufirit. Kufiri nuk e ndante vetëm tokën, ndante edhe mendjet. Por megjithatë, ne e mbajtëm këngën shqipe gjallë. Dhe kënga na mbajti neve.
