Ditë më parë nga shtypi doli romani “Fejesa n’djep a se Ulqini i marrun”. Është ky botimi i tretë i këtij romani historik, i cili te lexuesi vjen sërish pas 100 vitesh. Ky roman konsiderohet si një ndër romanet e parë të letërsisë shqipe, ndërsa Dom Ndoc Nikaj njihet si nismëtar apo ”baba i prozës gege të shekullit XX”.
Romani “Fejesa n’djep a se Ulqini i marrun” u botua për herë të parë në vitin 1913. Me këtë lloj titulli të dyzuar, emërtues dhe sqarues, autori na rrëfen një ngjarje dashurie, që shkon kundër zakonit të fejesave në moshë të mitur, mjaft të përhapura në atë kohë në malësitë shqiptare. E gjithë kjo dramë ndodh në skenën e një ngjarjeje historike, siç ishte lufta për mbrojtjen e Ulqinit, pas Kongresit të Berlinit (1878).
Sipas recensentëve të librit, dr. Gëzim Pukës dhe Gjovalin Çunit, ”Lexuesi i sotëm do të gjejë vlera në poetikën e romanit të Ndoc Nikajt, aq më shumë në këtë vepër ku Ulqini, qyteti ynë i bukur, ka shërbyer si sfond për një histori dashurie të dy të rinjve. Duke e parë në këtë pikëvështrim simbolik, horizonti i pritjes së lexuesit të sotëm e pranon akoma me endje dhe magjepset nga një roman i tillë i tipit sentimental dhe historik”.
Romani është i ribotuar në gjuhën origjinale të autorit, gjë që veprën e bën edhe më interesante për lexuesin e sotëm.
Redaktor i librit është Jaho Kollari, recensentë Dr. Gëzim Puka dhe Gjovalin Çuni, botuar nën siglën e Shtëpisë Botuese “Diti&Oli” – Ulqin dhe përkrahur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.
Dom Ndoc Nikaj ka lindur në Shkodër më 15 qershor 1864. Mësimet fillestare i bëri në Arqipeshkvinë e Shkodrës, në kohën e Karlo Pooten dhe në Seminarin Papnor, të udhëhequr nga etërit jezuitë. Studimet e larta i kreu në Romë, duke u shuguruar për meshtar në vitin 1888. Në vitin 1910 ka hapur shtypshkronjën e parë publike në Shkodër, Shtypshkronja “Nikaj”, në të cilën botohen gazeta, vepra letrare dhe tekste shkollore.
Arrestohet më 9 shtator të vitit 1946, me akuzën si pjesëmarrës në Kryengritjen e Postribës dhe dënohet me 5 vjet burg. Për shkak të moshës së thyer vuan dy vjet e gjysmë të dënimit.
Vdiq në moshën 87-vjeçare, në vitin 1951, në Shkodër. (Kohapress)
