
(vijon nga numri i kaluar)
Nga mënyra e organizimit të seminarit, duke nisur nga kushtet hapësinore ku u mbajtën seminaret, mënyra e sjelljes në seminare – si e organizatorëve ashtu edhe e pjesëmarrësve e deri te mospjesëmarrja, veçanërisht e disa arsimtarëve që ishin anëtarë të LKJ-së, mund të konkludohet se seminaret, sidomos ai në Ulqin, kanë qenë të organizuar më shumë për t’i hedhur në kurth disa arsimtarë, të cilët me qëndrimet e tyre mund të ishin pengesë në realizimin e neutralizimit të qenies shqiptare në këto troje sesa kishte për qëllim të vërtetë ndihmesën e arsimtarëve për hartimin e planeve të reja mësimore dhe organizimin sa më të mirë të procesit edukativo-arsimor. Të ishte ndryshe, organizatorët nuk do të lejonin krijimin e një atmosfere të tillë, do të siguronin kushte më të mira për organizimin e seminarit dhe do të kontribuonin që seminari të zhvillohet sipas rrjedhës së programuar më parë, sigurisht do të kërkonin përgjegjësi për ata arsimtarë, anëtarë të LKJ-së të cilët nuk morën pjesë, pasi ndoshta, dikush i kishte paralajmëruar për ato se çka mund të ngjajë.
Kësi lloj shqetësimesh kishte shprehur edhe OBLK e Qendrës Shkollore në Ulqin, në mbledhjen e mbajtur më 19 nëntor 1981, me rastin e analizës, shqyrtimit dhe sjelljes së vendimit mbi vlerësimin politik të seminarit në fjalë. OBLK e kësaj shkolle kishte konstatuar se sa i përket mënyrës së organizimit seminari nuk ka qenë në nivel të duhur për arsye se hapësira ku është mbajtur seminari ishte e papërshtatshme, e vogël për numrin e pjesëmarrësve, pikërisht sepse me kohë nuk ishin lajmëruar për numrin e pjesëmarrësve, sepse organizatorët nuk bënë asgjë për të parandaluar krijimin e atmosferës së tillë dhe për të penguar paraqitjet e padëshiruara në seminar. (DACG, AO Ulcinj, F. SKJ, viti 1981, Përfundimet e mbledhjes së OTHLK-së të Gjimnazit, 19 nëntor 1981) Sjelljet e tilla të organizatorit më së miri e arsyetojnë qëllimin e tyre, që e cekëm më lart. OBLK e kësaj shkolle, po në të njëjtën mbledhje, dënoi organizatorët pse nuk kanë reaguar me kohë dhe me autoritetin e tyre nuk dhanë kontributin e duhur që seminari të mos dalë nga rrjedhat e programuara dhe kërkoi përgjegjësi për mospjesëmarrjen në seminar të arsimtarëve anëtarë të LKJ-së.
Seminari i punonjësve të arsimit përcillej nga UDB-ja
Organizimi i këtyre seminareve për arsimtarët shqiptarë, siç kemi cekur edhe më lart, ka qenë i planifikuar dhe ka pasur për qëllim dobësimin, jo vetëm të kuadrit arsimor por edhe ndjesinë e të qenit shqiptar në këto troje. Për këtë qëllim, para se të fillojë seminari në Ulqin, pa ditur se çka do të diskutohej, Shërbimi i Sigurimit Shtetëror, vazhdimësi e UDB-së, ishte ngarkuar me detyrë që të përcjellë dhe të vërtetojë çdo gjë që ka ndodhur në seminar. (DACG, AO Ulcinj, F. SKJ, 1981, Informatë e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, pa numër, me rastin e organizimit të seminarit për punëtorët e arsimit (albanalogëve dhe historianëve nga territori i komunës së Ulqinit dhe Tivarit), mbajtur në Ulqin, më 26 dhe 27 shtator 1981)Shërbimi i Sigurimit Shtetëror ishte ngarkuar me detyrë të zbulonte se çfarë kishte ndodhur në këtë seminar dhe pastaj Komitetit për Mbrojtjen e Përgjithshme Popullore dhe Vetëmbrojtjen Shoqërore t’i paraqiste një informatë shteruese.
Në informatën dërguar Komitetit për Mbrojtjen e Përgjithshme Popullore dhe Vetëmbrojtjen Shoqërore, theksohet se: “seminari i përmendur ishte vetëm një rast për vëzhgimin dhe vlerësimin e aktiviteteve negative të një numri arsimtarësh, sepse një sjellje e tillë e tyre nuk shprehet për herë të parë.” (DACG, AO Ulcinj, F. SKJ, 1981, Informatë e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, fq. 1) Edhe më parë kanë ekzistuar arsye të forta, thuhet në informatë, sidomos për disa persona, që të jenë objekt i këtij diskutimi ose i një diskutimi të ngjashëm, të cilët në fund të fundit kanë qenë nën përcjellje të vazhdueshme, ndërsa seminari praktikisht e ka shpejtuar këtë çështje.
Për këtë arsye, theksohet në informatë, e ndiejmë të nevojshme të japim një përmbledhje të shkurtër për çështjet që kanë ndodhur para këtij seminari, sepse ne mendojmë se ato janë më karakteristike sesa ato që janë shprehur në seminar.
Figura qendrore në gjithë këtë, pa dyshim, ishte Mehmet Bardhi, albanolog, përndryshe profesor në Qendrën Shkollore në Ulqin. E kaluara e tij është shumë interesante, kështu që është i nevojshëm një rishikim më i gjerë i së kaluarës së tij.
Eksponimi i Mehmet Bardhit në linjën e nacionalizmit shqiptar daton nga ditët e tij studentore, më saktësisht nga fundi i vitit 1970, kur në Prishtinë është formuar Klubi i Studentëve nga Kraja, me emrin “Shqiponjat”, ku ai paraqitet si një ndër iniciatorët dhe organizatorët kryesorë.
Pa marrë parasysh se me statutin e Klubit “Shqiponjat” është paraparë që të merret me aktivitete të ndryshme shoqërore-kulturore me qëllim që të ndikojë dhe kontribuojë në zhvillimin e konceptimit socialist të ideve marksiste-leniniste dhe në atë mënyrë të formojnë ide të shëndosha te studentët, angazhimi dhe orientimi i vërtetë i Klubit së shpejti tregoi një botëkuptim krejt tjetër. Studentët, vetëm pas pak muajsh, gjatë kohës së pushimeve dimërore të vitit 1971, në Ostros mbajtën një mbledhje, me ç’rast sjellin, fshehurazi, një plan konkret të veprimtarisë së tyre, i cili mund të përmblidhet sa vijon:
- Të kërkohet që në tri shkolla në territorin e Ostrosit, mësimi të organizohet në gjuhën shqipe. 2. Kritikimi i udhëheqjes politike, sidomos asaj komunale, për arsye se në territorin e Krajës “në planin e zhvillimit të saj nuk është bërë asgjë”.
- Angazhimi për realizimin e ideve të Kosovës dhe punës për afirmimin e kombësisë shqiptare. 4. Të ndërmerret aksioni për ndërrimin e udhëheqjes politike në Krajë dhe të disa punonjësve të arsimit në Ostros, për arsye se u kanë marrë mëri.
- Është miratuar përfundimi që të gjithë studentët t’i ndërrojnë mbiemrat (të heqin prapashtesën “viq” dhe “iq”).
Për realizimin e orientimeve të tyre programore kanë punuar shumë dhe mund të konstatohet se në shumëçka ia kanë arritur qëllimit. Për shembull, janë ndërruar mbiemrat, bile krejt paraleleve, pa pëlqimin e nxënësve dhe prindërve të tyre.
Në të gjitha këto, Bardhi luajti jo vetëm një rol të shquar por edhe vendimtar. Ai, në takimet e mëvonshme u dallua me kritika dashakeqe për gjithçka që atij personalisht nuk i ka pëlqyer. Ai madje mbronte idenë e formimit edhe të një klubi tjetër në Krajë, i cili, gjoja, do të merrej me aktivitete kulturore-argëtuese.
(vazhdon)
(Marrë nga libri “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi (1945-1990)”), Art Club, Ulqin, 2021)
