Mësimet e arkitektit

Në një vend të sapodalë nga lufta, lulëzimi ndërtimor u bë kryefjalë e lulëzimit të ndërtimit të vendit. Por, lulëzimi i vendit përmes ndërtimeve të mbira pa kontroll, të ndërtimeve pa kontekst, harmoni e përshtatje ambientale, si dhe të ndërtimeve pa elemente identitare arkitekturore, çoi në degradimin e qytetit për njerëzit

Korab Kraja

Mëmëdhe quetë toka
Ku më ka rënurë koka…

Nuk është e rastit, se kohët e vështira sjellin njerëz të fortë. Madje edhe jo të rëndomtë. Ashtu si profetët, të cilët në kohë të trazuara për njerëzimin dhe mendjet e tyre ishin ata që ndriçonin rrugën e së ardhmes së tyre, duke ua lehtësuar të tashmen për të ardhmen e pasosur. Nuk do të mund të thuhej se arkitektura kishte profetët e saj, por ajo kishte disa mendimtarë të shquar që i zëvendësuan ata.
Për arkitektin kanë shkruar disa arkitektë në të kaluarën. Mbase shkrimi më i njohur për të vjen nga lashtësia, kur arkitekti cilësohej si njeri i arsimuar, i edukuar në shumë lëmi, e në po aq dije të ketë edhe njohuri. Ishte Vitruvi, i cili në veprën e tij “Mbi arkitekturën“ vuri në pah rolin e arkitektit dhe të gjitha bëmat e tij që ai do të mund t’i bënte për t’i kontribuuar shoqërisë. Këto mësime të tij sikur ngjallnin shumë kureshtje edhe në shekujt e mëpastajmë, saqë edhe disa arkitektë të tjerë, që historia do t’i caktojë si personalitete të mëdha të arkitekturës, janë marrë me shkrime rreth arkitekturës, zhvillimin e saj dhe çfarë është më e rëndësishmja, ata janë marrë edhe me formimin e personalitetit të arkitektit.
Në këto përpjekje bëjnë pjesë mendimtarët e mëdhenj të arkitekturës si Alberti, Palladio, Ruskin dhe Le Corbusier, si dhe disa të tjerë të ndërmjetëm dhe të pastajmë. Në besimin mbi proporcionin dhe simetrinë, të cilat pasqyrohen përkryershëm në natyrë dhe në trupin e njeriut; në argumentet mbi ndërtesat të cilat duhet të shpërfaqin qartësi, proporcione matematikore dhe simetri strikte; mbi parimet e vërteta të mjeshtërllëkut dhe ndjeshmërisë njerëzore, përkundrejt dekorimeve të rreme të bëra nga makineritë; si dhe, duke besuar mbi metodat e reja dhe bashkëkohore, duke ndërprerë kohët e kaluara me ornamentet historike, mund të thuhet se këto mendime, ide, teori dhe përvoja të panumërta, mund të jenë bazat e krijimit të një alfabeti a numeratoreje për arkitektët dhe arkitekturën. Një “Neufert“ i bazuar mbi teoritë më të ndjeshme në rrjedhjen e kohës. Dhe, mund të jenë përkufizime të cilat ende sot mund të përdoren si teori të dobishme për të përparuar në një drejtim të ri arkitekturor dhe urbanistik.
Duke pasur parasysh këto parime, metoda, udhëzime dhe duke pasur parasysh mendimtarët, ideologët, fisnikët, do të duhej që vendet tona të ishin shembuj se si të urbanizohen, se si të ndërtohen, se si të zhvillohej arkitektura në vendbanime dhe më në fund, se si në këto vendbanime të jetohej. E tashmja tregon se e kaluara e afërt nuk ishte aq bujare me trashëgiminë ndërtimore, por as me ansamblet urbane. Mjerisht, me të mund të tregohet se si nuk do të duhej të veprohej.
Pse ndodh kjo?
Mungesa e arsimimit? Emancipimi kulturor i mangët apo vetëdija kolektive si metodë e shfrenimit? Mos ndoshta, mungesa e një traktati të ri mbi arkitekturën për kohët e sotme… Dhe, kush ta shkruajë atë?
Këto premisa rreth ideve të zhvillimit të mëtutjeshëm të arkitekturës dhe urbanistikës u bënë shkaqe që qytetet e mëdha të gëzonin statuse të mirëfillta të kryeqyteteve. Prandaj, këto statuse do t’i gëzojë, apo do të duhej t’i gëzojë edhe kryeqyteti ynë, në të cilin mund të thuhet se të gjitha rrugët të çojnë në të. Por, çfarë u bë me të? A u bë Prishtina? Në të vërtetë, si u bë ajo?
Prishtina u bë kryeqytet i lirë;
U bë kryeqytet i ëndrrave;
U bë kryeqytet i dijeve;
U bë kryeqytet i studentëve;
U bë kryeqytet i protestave e demonstratave;
U bë kryeqytet i radios, gazetës e flamurit;
U bë kryeqytet i shtjellimeve të mëdha;
…pështjellimeve, politikave, uzurpimeve, ndërtimeve, planifikimeve, rrugëve me trotuare të zëna, me dritare të shtëpive ngjitur me të atyre të fqinjëve, me ndërtesa në vend të pemëve, me borën e kaftë nga pluhuri i ambicieve të shfrenuara, me ndërtesa për nevoja, për përfitime dhe me ndërtime të panumërta e pa pengesa.
Kryeqyteti u bë, por çfarë u bë me shpirtin e qytetit? A iu rrjep lëkura Prishtinës? Ku e gjen ajo forcën për një aritekturë identitare?
Dhe, është i pashmangshëm mendimi që ende ekzistojnë idealistët, të cilët arkitekturën e shohin si glorifikim i një mirëqenieje të pastër dhe me rol fisnik për njerëzimin. Dhe, ende të tillët ligjërojnë gojarisht, por edhe me shkrim. Mësimet e librit “Genius loci i Prishtinës” bëjnë pjesë në shkrimet që kontribuojnë në formimin intelektual, artistik, kritik dhe mendor të arkitektit. Ashtu si në lashtësi Vitruvi apo të tjerët pas tij, në librin e tij profesori i arkitekturës Xhelal Llonçari bën përpjekjen e gdhendjes dhe formësimit purifikues të një studenti të arkitekturës, me mendimet e rrëfimet e të cilit, vazhdon ende sot të formësojë edhe arkitektët me përvojë, e madje edhe shoqërinë. Është e pamundur, prandaj, t’u shmangesh refleksioneve të tij, derisa të bie në sy titulli i 2009-s “Pse po ia rrjepim lëkurën Prishtinës?”. Mbizotëron një zhgënjim i arkitektit, i cili sheh arkitekturën duke u zhveshur, e pastaj duke u mveshur, pra duke hequr nga ajo, e duke vënë mbi të, duke e çrrënjosur dhe duke e ngjizur atë njëkohësisht. Duke krijuar një mishmash estetik, një kiç të pafundmë, i cili shpërfytyron ndërtesa me vlera emblematike për Prishtinën, duke i fshirë nga kujtesa të kaluarën përmes veprimeve të pamenduara për të ardhmen. Dhe, të gjitha këto, siç shprehet shqetësueshëm në librin e tij: “…pa një pa dy; as debat, as asgjë.”
Dhe, në disa raste, mësuesit e tillë të ngacmojnë mendjen për të bukurën dhe për të ndjeshmen, duke na kujtuar se “arkitektura ka nevojë për një ë”, në tekstin e së cilës, ndër të tjera thotë, se ashtu siç gjuhës shqipe shkronja “ë” i jep asaj butësi, ritëm e melodi, njëjtë, kjo shkronjë duhet të bëhet e përdorshme edhe në arkitekturë. Pra, një varg i shenjtë drejt një arkitekture më të mirë dhe më të qëndrueshme, drejt një arkitekture për të ardhmen dhe për origjinalitetin e saj, prandaj drejt një arkitekture “të të jetuarit shqip”.
Në një vend të sapo dalë nga lufta, lulëzimi ndërtimor u bë kryefjalë e lulëzimit të ndërtimit të vendit. Por, lulëzimi i vendit përmes ndërtimeve të mbira pa kontroll, të ndërtimeve pa kontekst, harmoni e përshtatje ambientale, si dhe, të ndërtimeve pa elemente identitare arkitekturore, çoi në degradimin e qytetit për njerëzit. Siç thotë teoricieni i madh urban, Jan Gehl, se “fillimisht është jeta, pastaj hapësirat, e më pastaj ndërtesat – e kundërta e kësaj radhitjeje nuk funksionon kurrë”, duket sikur pikërisht e kundërta ndodhi menjëherë pas luftës. Në vend që qytetet të rimëkëmben për së mbari, mjerisht, ato pas lufte u rropën edhe një herë. Rrjepja, si duket, është akti më pak i dëmshëm i qytetit, përderisa ekziston vrasja e tij.
Ku ka zë, nuk është pa gjë, që siç thuhet “Rregullorja 2000/53 mbi ndërtimin në Kosovë” u bë shkaku i vrasjes së atij që donte të eleminonte gjenezën e urbicidit. Shtatori i para një çerekshekulli do ta gjejë të vrarë arkitektin e qytetit, konkretisht Rexhep Lucin në pozitën e drejtorit për Planifikim Urban të Prishtinës. Për nder të tij u emërtuan rrugë në qytet, u bënë dokumentarë dhe u shkrua disa herë. Por, a mjaftuan këto për të kujtuar gjendjen shoqërore dhe problemin kaotik të saj, për të zgjidhur ngërçin urban dhe arkitektonik të një kryeqyteti të ri me themele të vjetra dhe për t’i dhënë zgjidhje njëherë e mirë kryeqytetit tonë e qyteteve tona?
Pak ditë më vonë, pas ushëtimave të vrasjes dhe gjendjes tollovitëse, do të shënohej Dita Ndërkombëtare e Arkitekturës. Prishtina do ta shënojë këtë ditë me arkitektin e saj të vrarë! “Sanguis et dedecus civitatis.”
Ku rroj me gas e me shpresë,
Ku kam dëshirë të vdesë.
Pavarësisht përpjekjeve të njëpasnjëshme për rregullimin e çrregullit urbarkitektonik të kryeqendrës sonë, “haku” i vendit sikur kërkon shpagim moral në ndërgjegje, si dhe sikur profesioni kërkon një betim profesional, mbase të quajtur si “Betimi i Vitruvit”. Me të, mbase nuk do të shkelet ajo që do të duhej të lihej të lulëzojë, me të, mbase nuk do të çrrënjoset ajo që do të duhej të dëshmojë dhe me të, mbase do të përfillet jeta, sepse siç e ka thënë arkitekti Balkrishna Doshi, “jeta feston kur arkitektura dhe mënyra e të jetuarit ndërthuren”. Prandaj, me çfarë do të mund të fillohej që të mos përsëriten gabimet e pashpirtshme? E atypëratyshme është përgjigjja: me diçka të përshpirtshme. Me një shpirt vendi për kryeqytetin, duke ia gjetur atij “genius locin”. Sepse, “qytetet, ashtu si ëndrrat, janë të bëra nga dëshirat dhe frika”, do të thoshte Italo Calvino në “Qytetet e padukshme”. Dhe, tejkalimi i frikërave të qyteteve të përshpirtshme shpesh na i kujtonte ai, në sallën e errët, ku reflektonte drita e projektorit në xhamat e syzeve të tij.
Profesori i arkitekturës ende dëgjohet duke thirrur në ndërgjegjen e ish-studentëve të tij. Kësaj radhe jo më me ligjëratat e tij, por me shkrimet e tij, të cilat i mbulon një tis i hollë, me shije melankolike dhe me përmbajtje mjaft estetike. Gjatë leximit të shkrimeve të tij, duket se ligjëratat e tij ende kumbojnë në veshët tanë. “Lexojeni Kadarenë”, na thoshte, “nga ai mund të mësoni fjalë të reja arkitektonike”, vazhdonte. Dhe, ashtu heshturazi sikur kërkonte diçka përtej projeksionit të ligjëratave që shfaqeshin mbi perden e projektorit, vazhdonte me konstruksionet, akset, meskatet, materialet, dilatimet… arkitekturën, urbanizmin, Prishtinën. Ligjëratat e tij ishin pjesë e trupit të studentit. Në librin e tij ”Genius loci i Prishtinës“ ai shkroi nga shpirti për shpirtin e Prishtinës. Në këtë libër ne lexojmë ligjërimet e tij. Por, siç e thotë këngëtari ynë, kur do ta dëgjojmë profesorin të ligjërojë “edhe një herë…”?

Të fundit

më të lexuarat