Reformat e vazhdueshme arsimore

Reforma më e madhe në fushën e arsimit në Perandorinë Osmane, e cila njihet edhe si reforma e parë e modelit perëndimor, ka qenë ajo e vitit 1869. Sipas nenit 10 të Rregullores, arsimi fillor katërvjeçar u bë i detyruar, si për djemtë ashtu edhe për vajzat. Kështu që vajzat janë detyruar të shkojnë në shkollë nga mosha 6-10 vjeçe, kurse djemtë nga mosha 7-11 vjeç. Prindërit të cilët nuk i dërgonin fëmijët e tyre në këto shkolla, sipas nenit 12 të Rregullores dënoheshin me të holla nga 5-100 kurushë, apo me sjelljen e fëmijëve në shkolla në mënyrë të detyruar nga autoritetet e pushtetit vendor

Mr. Ali Bardhi

(vijon nga numri i kaluar)
Arsimi në Perandorinë Osmane ka kaluar nëpër faza të ndryshme, duke sjellë reforma të vazhdueshme përgjatë shekullit XIX. Deri në vitin 1845 arsimi ka qenë nën varësinë e Shejhu`l-Islamit dhe i administruar nga vakëfet (fondacionet e shoqërisë civile). Një vit më pas, për të parën herë arsimi u nda në fillor, të mesëm dhe të lartë, si dhe kaloi nën varësinë e kryeministrit-Sadrazamit.
Vazhdimisht janë sjellë reforma në këtë fushë, por reforma më e madhe në fushën e arsimit e cila njihet edhe si reforma e parë e modelit perëndimor ka qenë ajo e vitit 1869. Sipas nenit 10 të Rregullores, arsimi fillor katërvjeçar u bë i detyruar, si për djemtë ashtu edhe për vajzat. Kështu që vajzat janë detyruar të shkojnë në shkollë nga mosha 6-10 vjeçe, kurse djemtë nga mosha 7-11 vjeç. Prindërit të cilët nuk i dërgonin fëmijët e tyre në këto shkolla, sipas nenit 12 të Rregullores dënoheshin me të holla nga 5-100 kurushë, apo me sjelljen e fëmijëve në shkolla në mënyrë të detyruar nga autoritetet e pushtetit vendor. Një gjë të tillë e vërejmë të jetë aplikuar edhe në shkollat e Vilajetit të Shkodrës. (Ali Bardhi,“Shkollat fillore publike (mektebet) në trevën e Krajës në shek. XIX sipas dokumenteve të Arkivit Osman të Shtetit – Stamboll‟, kumtesë e paraqitur në Konferencën V të Arkivistikës, Tuz, 5 qershor 2021, e publikuar nga Arkivat e Shqipërisë dhe Kosovës, Arkivat Shqiptare 1-2 Viti 57/2021, ff. 35-45)
Vlen për t’u përmendur që reformat e sjella në Perëndim në shumë fusha, përfshirë edhe atë të arsimit, janë përcjellë dhe zbatuar edhe nga qeveria osmane. Në shtetet perëndimore arsimi fillor i detyruar për të gjithë shoqërinë ka filluar nga mesi i shekullit XIX. Si shembull mund të përmendim Francën, ku arsimi i detyruar deri në moshën 11 vjeçare ka filluar të zbatohet nga viti 1833. Një ligj i miratuar në vitin 1881 e bëri arsimin të detyrueshëm për të gjithë midis moshës 6 dhe 13 vjeç. Më vonë, në vitin 1959, mosha e arsimit të detyrueshëm u zgjat në 16 vjeç. (Shih: http://www.ogretmeninsesi.com/sistemler/fransa3.htm , shikuar më 02.08.2026) Për të kuptuar më tej rrjedhën e arsimit të detyruar për masat e gjera në Perandorinë Osmane dhe shtetet e Perëndimit duhet që në të ardhmen të bëhen hulumtime.
Sa u përket shkollave për nxënësit e komuniteteve të tjera fetare në hapësirën e Vilajetit të Shkodrës kemi pak të dhëna dhe për to duhen bërë hulumtime në të ardhmen. Përkundër faktit që reforma arsimore e vitit 1869 parashihte hapjen e shkollave për komunitetet e tjera fetare, me lëndët përkatëse sipas besimit dhe gjuhës së komunitetit të krishterë në Shkodër, Tiranë, ato nuk gjetën zbatim të shpejtë nga qeveria osmane. Si rezultat i rrethanave të krijuara, me ç’rast Perandoria Osmane sa vinte e dobësohej dita-ditës dhe nuk kishte buxhet të mjaftueshëm, mund të renditet si shkaku kryesor për mos hapjen e shkollave për nxënësit e komuniteteve të tjera fetare në Vilajetin e Shkodrës, pasi edhe për komunitetin islam në praktikë thuajse vlente e njëjta gjë. Përjashto ndonjë shkollë me rëndësi të hapur nga buxheti i qeverisë, përgjithësisht ato janë ndërtuar nga organet lokale, vakëfi, shoqëria civile. Kësaj mund t’i shtohen edhe ndërhyrjet që bënin autoritetet e kishave ortodokse dhe katolike, të cilat nën patronazhin e vet mbanin shqiptarët e krishterë duke ua mundësuar shkollimin e tyre në shkollat e hapura nga shtetet e huaja brenda hapësirës së Shqipërisë Osmane.
Sipas nenit 1 të Rregullores së Arsimit të Përgjithshëm të vitit 1869, shkollat ndaheshin në dy kategori: “shkolla të përgjithshme” dhe “shkolla private”. Shkollat e përgjithshme ishin të lidhura me shtetin, ndërsa shkollat private në përgjithësi ishin të lidhura me bashkësitë tjera fetare dhe shtetet e huaja. Në këtë kuadër, komunitetet jomyslimane për të ruajtur bashkësitë e veta përfituan duke hapur shkolla private nga vetë komuniteti dhe shtetet e huaja, ndërkaq komuniteti mysliman nuk e kishte mundësinë e përfitimit, pasi për ta shteti mbante monopolin e shkollimit të tyre. Në rrethanat e krijuara si pasojë e zhvillimeve të kohës, popullsia shqiptare dhe hapësirat shqiptare, të cilat gjendeshin brenda kuadrit politik dhe administrativ të Perandorisë Osmane, u përfshinë në reformat e ndërmarra në sistemin arsimor. Mirëpo, këto reforma nuk arritën të parashikonin një qasje që i përgjigjej realitetit specifik të popullsisë shqiptare, e cila pavarësisht ndarjeve në bashkësi të ndryshme fetare, përfaqësonte një bashkësi me nevoja të përbashkëta gjuhësore, kulturore dhe identitare. Mungesa e një programi arsimor apo platforme që do të integronte gjuhën shqipe dhe këto nevoja specifike në sistemin publik të arsimit krijoi një hendek ndërmjet politikave arsimore të Perandorisë dhe kërkesës për zhvillimin e një arsimi që do t’i përgjigjej realitetit gjuhësor, kulturor dhe identitar shqiptar.
Perandoria Osmane ka bërë marrëveshje me disa shtete evropiane, si Austria, Italia e Franca për komunitetin katolik në vend, duke u lejuar hapjen e shkollave private. Mjaftonte leja e marrë nga Ministria e Arsimit për hapjen e shkollave për komunitetet e krishtera, sepse financimi i tyre mbulohej nga shtetet që kishin interes për të ruajtur ndikimin mbi komunitetet. Në këtë kuadër, në Vilajetin e Shkodrës u dhanë mjaft leje për hapjen e shkollave për katolikët dhe ortodoksët. Katolikët shqiptarë u pranuan nga Papa Gregori XVI për mbrojtje nga Vjena.
Sipas një hulumtimi të bërë në vitin 1999 në Universitetin e Stambollit (temë doktorature) shohim se vetëm në Vilajetin e Shkodrës Austria ka hapur 21 shkolla fillore e lice, kurse Italia dhe Franca nga dy shkolla private, etj. (Kemal Beydilli, Osmanlı İmparatorluğu’nda Yabancı Okullar, Universiteti i Stambollit, Istanbul, 1999, (Temë doktorature), f. 33, 53) Shkollat për katolikët filluan të hapen, kryesisht në lagjet katolike të Shkodrës, duke filluar nga viti 1836. (Hamdi Bushati, Shkodra dhe motet, Rozafa, Shkodër, 1995, ff. 39-42) Sipas Salnamesë (Vjetari i Arsimit) 1317/1899, shohim hapjen e këtyre shkollave që në fillim të shek. XIX, si p.sh. një shkollë e mesme jezuite u hap në Shkodër në vitin 1858. Gjithashtu në atë vit, kishte një shkollë të mesme françeskane me 57 nxënës. Pas kësaj, një shkollë tjetër e mesme françeskane u hap në vitin 1861. Italia gjithashtu hapi një shkollë të mesme në vitin 1888. (Salname-i Nezaret-i Maarif-i Umûmiyye, 1317/1899, s. 922) Po kështu, sipas kësaj salnameje, në Vilajetin e Shkodrës shohim se kishte dhjetë shkolla fillore që u përkisnin jomyslimanëve. Pesë nga këto shkolla u përkisnin të krishterëve ortodoksë dhe pesë të tjerat u përkisnin katolikëve. Gjithashtu, gjatë këtyre viteve, në Vilajetin e Shkodrës kishte pesë shkolla të mesme – tri prej tyre u përkisnin të krishterëve ortodoksë dhe dy të tjerat katolikëve. Një vit më vonë u hap një shkollë tjetër e mesme, duke e çuar numrin e përgjithshëm në gjashtë. Në disa raste shihej edhe ndihma që jepte qeveria osmane. (Maarif-i Umûmiyye Salnamesi (1311-1312) , f. 52)
Vlen për t’u përmendur që shkollat e hapura nga të huajt ishin konkurrente të fuqishme ndaj atyre që hapte qeveria osmane (BOA, Shqipëria në dokumentet arkivale otomane, Istanbul, 2008, f. 345), pasi ekzistonte frika se nxënës të përkatësisë islame në Shkodër do të tregonin interes për t’u regjistruar, sidomos në licetë austriake.
Duke parë ndarjet që lindën në fund të sundimit osman në disa treva, përfshirë edhe Malësinë, shohim përpjekjen e qeverisë osmane për hapjen e disa shkollave fillore edhe për të krishterët. Këto përpjekje i shohim nga dokumentacioni arkivor osman për Malësinë. Sipas një dokumenti të datës 29.02.1330 h. / 18.02.1912, qeveria osmane kishte marrë masat reformuese që synonin malësorët, duke përfshirë edhe ndërtimin e shkollave fillore. (BOA, DH.SYS., 78/1/-04) Në të ardhmen nevojitet që të bëhen hulumtime të mëtejshme për të nxjerrë në dritë shkollat në Vilajetin e Shkodrës dhe të bëhen krahasime.
Sa u përket lëndëve mësimore që janë mësuar në shkollat fillore publike (ibtidai) në Kazanë e Tuzit, për momentin nuk kemi identifikuar ndonjë dëftesë nëpërmjet së cilës do të mësonim për lëndët e dhëna. Sipas nenit 6 të Rregullores për arsim, e nxjerrë në vitin 1869, lëndët që mësoheshin në mektebe-shkollat fillore janë këto (Ali Bardhi, Müfettiş Davut Boriçi’nin Günlüğünde İşkodra Vilayeti’nde Eğitim 1870- 1877, f. 82):
Kurse sipas një dëftese të shkollës fillore të fshatit Zogaj – Shkodrës, që i përket datës 05.07.1316 rumi / 18.07.1900 të një nxënësi të diplomuar, shohim këto lëndë: Elifba – Abc, Kur’an, Texhvid (Rregullat e leximit të Kur’anit), Bazat e fesë islame, Lexim, Mësimi i detyrave të fëmijëve, Drejtshkrim, Matematikë, Bukurshkrim. (BOA, MF.MKT, 537/52)
Një çështje tjetër e cila shpesh diskutohet është edhe përdorimi i gjuhës shqipe në shkolla. Në shkollat private mundësia e përdorimit ishte më e lehtë dhe për rrjedhojë në këtë drejtim mundësinë më të madhe për të përfituar e kishin jomyslimanët shqiptarë, por në anën tjetër ata u përballën edhe me pengesa, sidomos nga Kisha Ortodokse që kishte monopolin në territoret ku jetonin shqiptarët ortodoksë dhe që nuk e njihte shqipen si gjuhë kanonike. Kurse katolikët shqiptarë, në njërën anë, edhe pse latinishten e përdornin si gjuhë liturgjie dhe shqipen akoma, në anën tjetër e kishin më të lehtë mësimin e gjuhës në shkolla pasi Austria në kolegjet françeskane, por edhe jezuitët, krahas latinishtes dhe italishtes filluan që ta integrojnë edhe gjuhën shqipe, sidomos pas vitit 1908 kur Kongresi i Manastirit e unifikoi alfabetin latin. Austria e përdori mësimin e shqipes si mjet diplomatik për të forcuar ndikimin e saj te shqiptarët dhe për të kundërshtuar propagandën sllave.
Ndërkaq myslimanët shqiptarë, duke u numëruar si pjesë e brendshme e trungut osman, e kishin më të vështirë futjen e gjuhës shqipe në shkolla, sidomos përdorimin e shkronjave latine, pasi në përgjithësi arsimi zyrtar për myslimanët zhvillohej me shkronja arabe-osmane në osmanisht dhe arabisht. Debati i madh për arsimimin e myslimanëve shqiptarë në gjuhën shqipe, më tepër u bë për çështje të alfabetit arab, latin dhe cirilik sesa për vetë gjuhën shqipe, sepse alfabeti shihej si ndikim kulturor dhe për rrjedhojë edhe politik. Interesant është fakti se në këto vite kemi publikimet e para të këtyre alfabeteve me vetinciativë të autorëve, si abetarja e N. Veqilharxhit (cirilik, 1844), e Kristoforidhit (latin, 1869), e hafëz Ali Korçës (arab, 1868), Daut Boriçit (arab, 1869), Shoqërisë së Stambollit (latin, 1879) etj. Duke marrë parasysh reformën arsimore të vitit 1869, ku parashihej arsimi publik i detyruar, edhe autorët e alfabeteve në fjalë mund të jenë bërë shkak për hartimin e tyre me qëllim integrimin e tyre për shqiptarët në këto shkolla.
Gjatë kohës së Davud Boriçit, sa ishte inspektor arsimi (1870-1877), punësimi i mësuesve që flisnin rrjedhshëm shqip ishte prioritet. Në fakt, sipas një shkrese nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit drejtuar Vilajetit të Shkodrës, e regjistruar në Ditarin e tij, i kërkohej emërimi i mësuesve/mualimëve që flisnin rrjedhshëm shqipen, sidomos drejtorët e shkollave të mesme për Shkodër, Tiranë, Krujë etj.
Po kështu, në një shënim tjetër të ditarit të tij, ai pohon se ishte e nevojshme që edhe mësuesi/mualimi i shkollës së mesme të dinte gjuhën shqipe. Nevoja për mësues që flisnin rrjedhshëm shqip ishte e dukshme, por akoma nuk mund të thuhet se programet mësimore për këto shkolla ishin në shqip, pasi edhe Ditari në fjalë nuk përmend ndonjë libër apo tekst shkollor në gjuhën shqipe për këto shkolla përgjatë viteve 1870-1877. (Ali Bardhi, Müfettiş Davut Boriçi’nin Günlüğünde İşkodra Vilayeti’nde Eğitim 1870-1877, f. 162)
Në ndërkohë kemi iniciativa private të disa autorëve shqiptarë që i nxorën lejet nga Ministria e Arsimit për integrimin e disa teksteve në gjuhën shqipe me alfabet arab në disa shkolla fillore publike në qytetin e Shkodrës. Sipas disa dokumenteve arkivore osmane shohim se në vitin 1887 merret leja nga kjo ministri për futjen e disa teksteve të përkthyera dhe shkruara në gjuhën shqipe me alfabet arab nga hafëz Ali Ulqinaku me qëllim për t’u zbatuar në kurrikulat e programeve të disa shkollave fillore publike në qytetin e Shkodrës (Ali Bardhi, “Hafiz Ali Ulqinaku në dokumentat e Arkivit Osman të Kryeministrisë në Stamboll” (revista Elif, Koha javore, si edhe në librin e përmbledhjeve të kumtesave të simpoziumit me titull “160 vjetori i lindjes së Hafiz Ali Riza Ulqinakut”, Ulqin, 2015, ff. 17-30), ku për rrjedhojë me këto tekste mund që të jenë pajisur edhe shkollat fillore në Kazanë e Tuzit.
Në ndërkohë, në fund të sundimit të Perandorisë Osmane çështja e gjuhës shqipe filloi të merret më seriozisht nga qeveria osmane, sidomos pas Kongresit të Manastirit kur unifikohet alfabeti për shqiptarët, duke u marrë hapa konkretë. Sipas një dokumenti, në janar të vitit 1912 shohim vendimin për blerjen e mjeteve të nevojshme që nevojiten për të shtypur tekstet mësimore që do të mësohen në shkollat fillore që do të çelen në hapësirën shqiptare. Po kështu për licetë që ndodheshin në Shqipëri vërejmë një dokument të datës 30 gusht 1328 rumi / 12 shtator 1912, në prag të pavarësisë së Shqipërisë, i cili dëfton për propozimin për ligjin në lidhje me shtesën në fondin e zyrave administrative në lidhje me buxhetin e Ministrisë së Arsimit për vendosjen e gjuhës shqipe, që është gjuha vendore si lëndë mësimore në licetë e Shqipërisë. (BOA, Shqipëria në dokumentet arkivale otomane, Istanbul, 2008, f. 349) Rreth rrjedhës së zbatimit të gjuhës shqipe në kurrikulat e shkollave publike shtetërore nevojitet që në të ardhmen të bëhen hulumtime më të specializuara.

(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat