
Përpara se të flasim për hapjen dhe funksionimin e shkollave fillore (Mektebi Ibtidai) me reforma në kazanë/komunën e Tuzit gjatë viteve 1869-1912, e shohim me vend që për lexuesin t’i themi disa fjalë për organizimin territorial të kësaj njësie.
Deri në fund të shekullit XIX Tuzi mbeti në statusin e fshatit, ku si fillim së bashku me Grudën varej nga Zhabjaku, kurse më vonë nga Nahija e Hotit e më pas nga vetë Nahija e Grudës, Kazaja e Podgoricës, përkatësisht Sanxhaku i Shkodrës.
Sipas konsullit francez në Shkodër, Hyacinthe Hecquard, në vitin 1851 Gruda e Tuzi kishin një bajrak që shtrihej nga fshati Dinoshë deri në fisin e Trieshit, kufizohej nga Fundna e Kuçit dhe lumi Cem e ndanë prej fisit të Hotit. Dhjetë vite më pas, sipas relacionit të Ahmet Xhevdet Pashës (1861) përmendet nahija e Grudës, Hotit si edhe të tjera, porse Tuzin nuk e shohim të jetë përmendur fare. Kjo na jep të kuptojmë se Tuzi akoma ruante statusin e mëparshëm të tij të fshatit duke qenë pjesë e Nahijes së Grudës.
Mirëpo një dekadë më pas, nga të dhënat që na jep inspektori i arsimit për Vilajetin e Shkodrës, Daut ef. Boriçi në ditarin e tij (1870-1877) për Malësinë e Madhe shohim se edhe Tuzi sikurse Gruda (Dinosha) ka pasur alemdarin – bajraktarin (Në periudhën osmane në zonat e malësive ekzistonin disa institucione të ndryshme nga qyteti, ku ndër ta ishin bajraktari, alemdari, koçobashi, vojvoda. Alemdari ndryshe është bajraktari, personi i cili mban bajrakun/flamurin. Kurse koçobashi kryesonte pleqësinë e një katundi. Ndryshe kishte edhe kuptimin e kryeplakut, kreut, qefalia i katundit.), ku në këto vite shohim të ketë qenë Tafil Kurti (vdiq në vitin 1309 h./1891), gurvarrin (nr. 100) e të cilit e kemi gjetur në Varrezën e Xhamisë së Vjetër – Nizamëve në Tuz. (Ali Bardhi & Behlul Kanaqi, Varrezat e Xhamisë së Nizamëve dhe Varreza e Vjetër e Tuzit, Horizonti, 2020, f. 168; Ali Bardhi, Müfettiş Davut Boriçi’nin Günlüğünde İşkodra Vilayeti’nde Eğitim 1870-1877, f. 305 (temë magjistrature)) Kurse alemdar/bajraktar i Grudës ka qenë Ismail Martini. (Ali Bardhi, Po aty, f. 305 (temë magjistrature))
Pas vitit 1878 bajraku i Grudës me qendër Dinoshën përfshinte fshatrat Milesh, Vllánë, Vránjë. Kurse bajraku i Tuzit përfshinte qendrën e Tuzit. (Kahreman Ulqini, Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror (fundi i shek. XVII deri më 1912), Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1991, f. 28) Po kështu edhe në salnamen (vjetarin) e Vilajetit të Shkodrës të vitit 1892 shohim se Malësia e Grudës si një njësi posedonte dy bajraqe (Işkodra Vilayeti Salnamesi 1310/1892, f. 69): i Dinoshës dhe i Tuzit. (Kahreman Ulqini, Po aty, f. 28)
Edhe pse në Malësi, në popull akoma ruhej rendi i vjetër duke respektuar bajraqet e veta, shohim se pas aneksimit të Kazasë së Podgoricës nga Mali i Zi në vitin 1878, do të pasojë mënyra e re e administrimit osman të këtyre zonave. Malësitë me bajraqet e veta, si Gruda (Dinosha e Tuzi), Traboini etj., që më parë ishin pjesë e Kazasë së Podgoricës, mbetën nën territorin e Vilajetit të Shkodrës, gjegjësisht në Perandorinë Osmane. Për rrjedhojë do të kemi edhe ndryshimin e statusit të Tuzit, fakt që e shohim nga dy dosje të Arkivit Osman – Stamboll, ku më 29 mars 1879 u formua Kajmekami (Kazaja) i Grudës, me qendër Tuzin, por që për shkak të rëndësisë dhe ndikimit që kishte si qendër në zonat fushore, më 31 korrik 1879 nga emri i Kazasë së Grudës e mori atë të Tuzit, dhe në krye të saj u emërua një kajmekam (kryetar) dhe u hapën organet e pushtetit lokal. (Ali Bardhi, “Formimi i Komunës se Tuzit – organet e administratës publike lokale në Komunën-Kazanë e Tuzit në fund të periudhës së shtetit osman”, Koha javore, Podgoricë, nr. 514-516. dt. 5.04.2012 – (me dokumente nga Arkivi Osman i Kryeministrisë, botuar në tre numra)). Situatat e krijuara nga aneksimi i Podgoricës, Spuzhit etj. u bënë shkak që disa familje muhaxhire nga këto vende të vendosen edhe në Kazanë e Tuzit etj.
- Shkollat fillore publike në Komunën/Kazanë e Tuzit
Me formimin e Kazasë së Tuzit lindi nevoja për ndërtimin e shumë objekteve publike të kohës, ndër të cilat përfshihen edhe shkollat fillore publike (mektebet).
Zanafilla e mektebeve të para në trevën e Malësisë ende nuk njihet për ne pasi kemi mangësi të studimeve rreth shkollave (mektebeve) të hershme. Por në sistemin osman të periudhës para reformave arsimore (XIX) njihet praktika që pranë xhamive (Sipas dokumentacionit arkivor osman shohim se mektebi i modelit klasik osman, pa reforma, të ketë qenë pranë xhamisë së Kalasë së Ulqinit dhe të ketë qenë i nivelit mektebi kebir – shkolla e madhe. Shih: Arkivi Osman i Kryeministrisë – Stamboll BOA, C..MF.. 10/480; BOA, C.MF. 172/8569; Për më hollësisht shih: Ali Bardhi, “Shkolla e Madhe (Mekteb-i Kebir) në Kalanë e Ulqinit sipas Arkivit Osman të Shtetit në Stamboll – 450-vjetori i shkollës (1572-1574)”, Koha javore, viti XXII, nr. 1048 dhe 1049, 16 shkurt dhe 23 shkurt 2023) apo kishave, banorët kanë mundur t’i marrin mësimet elementare si shkrim-lexim, mbledhje-zbritje etj.
Nga burimet historike shohim se Tuzi edhe Dinosha posedonin xhamitë e tyre të vjetra, që i kemi trajtuar në librin “Varrezat e Xhamisë së Nizamëve dhe Varreza e Vjetër në Tuz”, si edhe në një kumtesë të prezantuar në konferencën shkencore “Podgorica gjatë sundimit osman (1474-1878)”, të mbajtur në Podgoricë. Në këto studime kemi nxjerrë në pah që Xhamia e Vjetër – Nizamëve në Tuz të jetë ndërtuar në vitin 1720 nga banori i Kalasë së Spuzhës, Mehmed Aga. (Ali Bardhi, Behlul Kanaqi, Varrezat e Xhamisë së Nizamëve dhe varreza e Vjetër e Tuzit, Horizonti, 2020, f. 21) Kurse në fshatin Dinoshë, sipas pllakës origjinale të xhamisë që aktualisht është në murin e xhamisë, shohim të jetë e ndërtuar në vitin 1770. (BOA, AE.SAMD.III, 9/825. Ali Bardhi, “Džamije nazvane i za koje se pretpostavlja da su nazvane po Sultanu Mehmedu II Fatihu u području Podgorice i Skadarskog jezera prema Osmanskim podacima”, temë e mbajtur në Simpoziumin shkencor ndërkombëtar “Podgorica gjatë sundimit osman (1474-1878)”, të publikuar nga Meshihati, Podgoricë, 2025, ff. 159-172) Referuar dokumentacionit, do të shohim se më pas në hapësirën e kazasë së Tuzit do të hapen edhe xhami të reja.
(vazhdon)
