Koha javore: Si erdhi ftesa për t’u bërë pjesë e serialit “Përzije”?
B. Alaj: Ftesa më erdhi nga regjisori i këtij seriali, Tanju Sülejman, me të cilin kam bashkëpunuar edhe më herët në projekte të tjera, si seriali “O sa mirë” dhe disa realizime të tjera. Ftesa erdhi në një periudhë kur nuk kisha angazhime, ndaj telefonata e Tanjut ishte më se e mirëpritur. Duke pasur parasysh se bashkëpunimi me të ka qenë gjithmonë i frytshëm, e pranova me shumë kënaqësi.
Koha javore: Kush ju rekomandoi ose si u krijua bashkëpunimi me ekipin e serialit?
B. Alaj: Rekomandimet zakonisht vijnë nga regjisorët dhe producentët. Edhe më parë kam bashkëpunuar në një reklamë televizive me produksionin që e realizon këtë serial. Interesimi im u shtua edhe më shumë kur mësova se kush e përbënte kastën. Të luash përkrah emrave të tillë është një privilegj. Po ashtu, skenari i autorit të mirënjohur Milot Hoxha e bën këtë projekt edhe më të veçantë. Të ndash përvojën me profesionistë të këtij niveli është një vlerë e madhe.
Koha javore: Na tregoni pak për personazhin që interpretoni. Çfarë karakteri ka ai?
B. Alaj: Personazhi që interpretoj quhet Luani. Është një personazh mjaft sharmant, por edhe i pavendosur në vendimet që merr. Ai mendon se i di të gjitha. Fillimisht është gazetar, më pas bëhet detektiv privat dhe më vonë merr një drejtim krejt tjetër. Se si do të zhvillohet personazhi mbetet të shihet në episodet e ardhshme, pasi dua t’ia lë surprizë publikut.
Koha javore: Sa ngjan Bashkim Alaj me personazhin që luan në “Përzije”?
B. Alaj: Ka disa ngjashmëri. Ashtu si Luani, edhe unë, kur gjendem në situata të vështira, mundohem të bëj gjithçka për të dalë prej tyre. Ndoshta kjo është pika ku ngjajmë. Për pjesën tjetër, jemi krejtësisht të ndryshëm.
Koha javore: Me cilët aktorë ndani më së shumti skena dhe si ka qenë bashkëpunimi me ta?
B. Alaj: Për mua ishte një kënaqësi e madhe kur mora vesh kastën e serialit. Emra si Mensur Safqiu, Edon Bërveniku dhe Molikë Maxhuni janë figura shumë të njohura të ekranit shqiptar, dhe të punosh me ta është një përvojë e jashtëzakonshme. Gjithashtu, pjesë e kastës janë edhe kolegët nga Maqedonia e Veriut, Abedin Alimi dhe Eldin Shiroki. Është një ekip shumë i larmishëm dhe produktiv. Bashkëpunojmë shumë mirë me njëri-tjetrin dhe mbizotëron një energji shumë pozitive. Kur këto dy elemente bashkohen, produkti nuk ka si të mos jetë i suksesshëm.
Koha javore: Çfarë do të thotë për ju, si aktor nga Ulqini, pjesëmarrja në një produksion televiziv në Kosovë?
B. Alaj: Unë bashkëpunoj vazhdimisht me kolegë në Kosovë. Mund të them se pa Kosovën nuk do të ishim zhvilluar si artistë të mirëfilltë, as unë, as Jeta, as Edina.
Për mua, si aktor që vjen nga një qytet i vogël si Ulqini, angazhime të tilla janë shumë të mirëpritura. Hapësirat për t’u prezantuar në vendin tonë janë shumë të kufizuara, madje shpesh edhe ato që ekzistojnë nuk janë në dispozicion të artistëve. Kjo është një sfidë me të cilën përballemi prej vitesh. Megjithatë, në vendet tjera puna jonë po vlerësohet dhe kjo më gëzon. Besoj se, dalëngadalë, edhe Ulqini po bëhet më i njohur në skenën kombëtare.
Koha javore: Mendoni se kjo përvojë do t’ju hapë dyer për projekte të tjera në rajon?
B. Alaj: Sigurisht. Bashkëpunimet dhe shkëmbimi i përvojave krijojnë mundësi të reja. Në çdo projekt mundohem të jap maksimumin dhe të jem sa më kreativ. Çelësi kryesor është bashkëpunimi me ekipin, e veçanërisht me regjisorin. Edhe ky serial erdhi si rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm që kam pasur me një pjesë të ekipit, sidomos me regjisorin Tanju Sülejman. Nëse do të ketë projekte të tjera, kjo varet nga vizioni i regjisorit, producentit dhe nga fakti nëse unë i përshtatem rolit. Megjithatë, zakonisht nuk i refuzoj ftesat për projekte filmike apo televizive.
Koha javore: Ju kemi parë edhe në projekte të tjera filmike. Si e krahasoni këtë eksperiencë me ato të mëparshmet?
B. Alaj: Çdo projekt ka veçantinë e vet. Në çdo produksion filmik apo televiziv mësoj diçka të re. Ne, shqiptarët në Malin e Zi, fatkeqësisht nuk kemi pasur shumë mundësi për të fituar përvojë para kamerës. Prandaj, çdo angazhim për mua është një mundësi për t’u zhvilluar profesionalisht. Ky serial, për shkak të kastës së shkëlqyer artistike dhe ekipit teknik me shumë përvojë, përbën një eksperiencë të veçantë.
Koha javore: Si ka reaguar publiku nga Ulqini dhe më gjerë pasi ju panë në këtë serial?
B. Alaj: Deri tani reagimet kanë qenë shumë të mira. Publiku ulqinak është i jashtëzakonshëm dhe komentet pozitive më japin energji për të vazhduar. E njëjta gjë vlen edhe për publikun në Kosovë. Roli është pritur mirë dhe ka ende hapësirë për t’u zhvilluar, pasi jemi vetëm në sezonin e parë. Besoj se publiku do të shohë shumë më tepër në vazhdim.
Koha javore: A ka projektectë reja ku do t’ju shohimcsë shpejti?
B. Alaj: Për momentin jam i përqendruar kryesisht te stand-up komedia. Jemi duke përgatitur dy shfaqje të reja për publikun ulqinak. Gjithashtu, kemi marrë një ftesë për të performuar në Shkup. Sa u përket projekteve të tjera filmike apo televizive, mbetet të shihet. Shpresoj që së shpejti të ketë lajme të reja.
Bisedoi: D. Teliqi
