Ndër tetë paralelet me gjithsej 114 maturantë, pesë paralele të vitit të katërt dhe tri paralele të vitit të tretë, të shkollës së mesme të përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, që këtë vit shkollor e kryen shkollën e mesme, shtatë në shkollën amë në Plavë dhe një në paralelen e ndarë në Guci (gjenerata e shtatë e maturantëve nga shkolla e këtij qyteti), janë edhe dy paralele me maturantë në gjuhën shqipe. Paralelja e gjimnazit me 12 nxënës, prej të cilëve gjashtë vajza: Arbenita Sinanaj, Era Prelvukaj, Ideja Dedushaj, Mirlinda Kukaj, Kristina Vushaj dhe Votra Balidemaj, dhe gjashtë djem: Abdyl Selimaj, Aridon Gjonbalaj, Ali Kukaj, Arijanit Lecaj, Fahrudin Brahaj dhe Vatan Balidemaj, me kujdestarin e klasës, profesorin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Fadil Ulaj, si dhe paralelja e drejtimit profesional – drejtimi Shitës, me gjithsej katër maturantë: një vajzë, Mirlinda Hasangjekaj, dhe tre djem: Albin Gjonbalaj, Rigert Bajrakurtaj dhe Rigon Vuçetaj, me kujdestaren e klasës, profesoreshën e sociologjisë, Shqipe Kukaj, të shtunën, më 6 qershor 2026, festuan mbrëmjen e maturës.
Që nga orët e hershme të mbrëmjes, para godinës së shkollës ku përfunduan maturën, u tubuan maturantë, veshur me rroba asnjëherë më të bukura – vajzat me fustane bashkëkohore dhe të modës, ngjyrash dhe dizajnesh të ndryshme, kurse djemtë me kostume të larmishme dhe moderne. Rrobat i kishin përgatitur më parë, falë mirësisë, mirëkuptimit dhe përkujdesjes së prindërve të tyre, të cilët nga buxheti familjar ua kishin siguruar, por edhe nga të afërmit e tyre, për të shënuar dhe përjetuar në mënyrë sa më madhështore njërën ndër festat më të mëdha të jetës së tyre – mbrëmjen e maturës, mbrëmjen solemne të haresë e gëzimit, por edhe të mallëngjimit. Ajo ishte mbrëmja ku ata njëri-tjetrit me buzë në gaz, por edhe me lot në sy, i thanë lamtumirën e fundit pas shumë vitesh të kaluara bashkë, me disa nga tre e katër, me ca nga nëntë, por me disa edhe nga 12 e 13 vite shkollore, duke ndarë bashkë të mirën dhe të keqen, harenë e gëzimin e ndonjëherë edhe hidhërimin, lojën dhe piknikun, vizitat e ndërsjella, por edhe ekskursionet një apo shumëditëshe brenda komunës, jashtë saj dhe më gjerë.
Moti i vranët por pa reshje shiu, në vigjilje të orëve të mbrëmjes, mundësoi që manifestimi i kësaj mbrëmjeje madhështore të fillojë në kohën e paraparë, në orën 18:00, kur në praninë e disa qindra prindërve, familjarëve të ngushtë, por edhe të tjerëve të cilët kishin ardhur që harenë dhe gëzimin e mbrëmjes së maturës ta ndanin me fëmijët dhe të afërmit e tyre. Vargëzimi i vashëzave dhe djemve maturantë të tetë paraleleve të kësaj shkolle, në çift apo edhe nga tre sish, pikënisjen e pati në hollin e katit përdhes të shkollës, për të vazhduar parakalimin nëpër ambientin e sheshit të qytetit, i cili gjendet mu në afërsi të godinës së shkollës.
Pas disa parakalimesh nëpër shesh, maturantët vazhduan rrugëtimin për në Guci me autobusë të kompanisë të komunikacionit ndërurban “Elan Company”, të cilët pronari i dha falas për udhëtimin e maturantëve, ku po ashtu në vigjilje të mbrëmjes defiluan në ambientin e sheshit të Ali Pashës në Guci, në praninë e prindërve, të afërmve dhe qytetarëve të shumënumërt. Shumë sish, në shkollën fillore “Xhafer Nikoçeviq” të Gucisë, kishin kryer pesë e nëntë klasë të fillores, e ata të paraleles së ndarë të gjimnazit në Guci, edhe shkollën e mesme. Pas defilesë disaminutëshe në Guci, maturantët e hareshëm sërish me autobusë u kthyen në restorantin “Royal” në Plavë.
Drejtoresha e shkollës, Snezhana Bojoviq, e shoqëruar nga mësimdhënësit, gjatë tërë kohës së qëndrimit i shoqëroi maturantët e hareshëm.
“Ndiej kënaqësi, obligim dhe nder që t’u përshëndes dhe në emër të kolektivit të shkollës ku përfunduat maturën, por edhe në emër timin personal. Jam e sigurt se nga kjo shkollë do të bartni përplot kujtime të bukura, por edhe dituri të cilat do t’u ndihmojnë që të sigurt të ndiqni rrugëtimet tuaja jetësore, por edhe të pajiseni me dituri tjera dhe të sendërtoni ardhmërinë tuaj të lumtur”, është shprehur drejtoresha Bojoviq.
Ajo ka vënë në dukje se këtë vit shkollor me sukses e kryejnë shkollimin e mesëm 114 nxënës maturantë në tetë paralele mësimore. Shkolla është krenare me të gjithë maturantët, e në veçanti me ata të cilët janë laureatë të çmimit “Pishtari” (“Lluça”).
E emocionuar, ajo në vazhdim është shprehur se prej sot maturantët i presin sfida të reja.
“Me këtë rast do t’ju porosis se mu prej kësaj dite nxitoni e ndiqni rrugëtimet e reja deri diku të panjohura. Ekzistojnë gjëra për të cilat nuk kemi mundur t’u përgatisim, takimet me njerëz dhe ngjarje me të cilat nuk keni mundur të mësoni nga librat. Por, ajo që së bashku ia kemi dalë është se jeni bërë madhorë, njerëz të pjekur, të kalitur, të vetëdijshëm për rëndësinë dhe përgjegjësinë personale”, ka theksuar drejtoresha Bojoviq.
Të shoqëruar nga drejtoresha, kujdestarët e klasave dhe disa mësimdhënës, maturantët festuan deri në orët e hershme të ditës së nesërme. Sa ishin të gëzuar, të lumtur e të hareshëm se po finalizonin punën e tyre edukative e arsimore 12 e 13-vjeçare, të përmalluar, mallëngjyer e emocionuar se po ndaheshin përgjithmonë si pjesëtarë të bashkësisë së klasës së cilës i përkisnin, të shoqërisë së ngushtë që kishin dhe shumëçka tjetër në këtë drejtim. Mirëpo, edhe përkundër gjithë kësaj, ata u zotuan se nuk do të jenë larg njëri-tjetrit, pa marrë parasysh se ku do të vazhdojnë shkollimin e mëtejmë superior, në universitete të ndryshme të Malit të Zi, Kosovës e Shqipërisë, ata me mësim në gjuhën shqipe.
Në ambientin e restorantit “Royal”, deri në orët e hershme të ditës së nesërme nuk kanë pushuar tingujt e muzikës me të cilët janë përcjellë vallet dhe këngët e maturantëve të hareshëm dhe të disponuar, të cilët nuk kanë nguruar për të ngritur me kujdes ndonjë gotë uiski, birre, vere dhe pijeve të tjera freskuese joalkoolike, bashkë me mësimdhënësit dhe drejtoreshën, të cilët i kanë shoqëruar deri në fund të ceremonisë solemne.
Ndarja e maturantëve në fund të festës ka qenë momenti më i vështirë.
Përqafimet me lot në faqe e ndonjëherë edhe me vaj, si dhe shtrëngimi i dorës së lamtumirës, kanë qenë momentet që për shumë kohë dhe mote ata nuk do t’i harrojnë dhe përjetimet e tyre përgjithmonë do të qëndrojnë të pashlyera dhe të ngulitura në ndjenjat e kokave dhe vetëdijeve të tyre.
Sh. Hasangjekaj
