Mes kujtesës historike dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale

Simpoziumi në Tivar dëshmoi se ekziston një përpjekje serioze për të ndriçuar të vërtetën historike. Ai tregoi se ka vullnet akademik, bashkëpunim rajonal dhe një nevojë reale shoqërore për të trajtuar këtë ngjarje. Por ai gjithashtu nxori në pah një boshllëk të madh: mungesën e angazhimit institucional. Dhe ndoshta kjo është ironia më e madhe e këtij aktiviteti - se ndërsa e kaluara kërkon të zbardhet, e tashmja ende ngurron të përballet me të. Sepse e vërteta historike nuk është vetëm çështje studimi. Ajo është, mbi të gjitha, çështje përgjegjësie

Në një përpjekje të rëndësishme për të rikthyer në vëmendje një nga ngjarjet më të dhimbshme dhe më pak të trajtuara të historisë së rajonit, të martën e kaluar (31 mars 2026) në Tivar u mbajt Simpoziumi Ndërkombëtar Shkencor me temën “Masakra e Tivarit 1945 – e vërteta e fshehur”.
Ky aktivitet mblodhi përfaqësues institucionalë, studiues, diplomatë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe familjarë të viktimave.
Simpoziumi u organizua në bashkëpunim ndërmjet Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Këshillit Boshnjak në Mal të Zi, me mbështetjen e institucioneve akademike nga rajoni, duke dëshmuar një përkushtim të përbashkët për ndriçimin e së vërtetës historike dhe ruajtjen e kujtesës kolektive.
Në hapje të simpoziumit, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, artikuloi qartë rëndësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj ngjarjeje.
“Një ngjarje e errët, e cila kurrë nuk është zbardhur plotësisht dhe nuk është trajtuar me seriozitet nga institucionet kompetente për të hedhur dritë mbi të vërtetën e vrasjes dhe zhdukjes së mijëra të rinjve të përkatësisë shqiptare dhe një pjese të përkatësisë boshnjake”, theksoi ai, duke iu referuar asaj që njihet si Masakra e Tivarit e vitit 1945.
“Që në krye të herës, më duhet të theksoj se këshillat kombëtare nuk synojnë përçarje, etiketime apo përgjegjësi kolektive, por synojnë të pasqyrojnë të vërtetën, të bazuar në fakte shkencore, nga një distancë kohore objektive. Natyrisht, jam i vetëdijshëm se trajtimi i kësaj tematike nuk fillon sot me këtë konferencë dhe as nuk do të përmbyllet sot. Vetëm përmes zbardhjes së së vërtetës, pranimit të përgjegjësisë dhe kërkimit të faljes do të arrijmë të shohim njëri-tjetrin në sy dhe të vazhdojmë në rrugën e integrimeve evropiane”, ka thënë Nika.
Kryetari i Këshillit Boshnjak në Mal të Zi, Sulo Mustafiq, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve në trajtimin e temave të ndjeshme historike.
“Ky takim është premtim i dhënë dhe i mbajtur ndaj publikut dhe të gjithë atyre që kërkojnë një përkujtim të denjë të kësaj ngjarjeje. Në fund të marsit dhe fillim të prillit 1945, këtu ndodhen masakra mbi qindra të rinj të paarmatosur, kryesisht shqiptarë dhe disa boshnjakë, të detyruar të mobilizoheshin dhe dërgoheshin drejt zonave të luftës. Të lodhur, të uritur dhe të keqtrajtuar, ata u mbajtën në hapësirat e ish-Monopolit të Duhanit. Pas një incidenti me një nga rojet, nisi vrasja e tyre e egër. Shumica e të vrarëve u varrosën në vende të panjohura dhe trupat e tyre nuk janë identifikuar kurrë”, theksoi ai.
Mustafiq shtoi se disa të mbijetuar shpëtuan vetëm falë “humanizmit dhe kurajos së disa banorëve të qytetit, të cilët i fshehën ditë me radhë, duke rrezikuar jetën e tyre”.
Ai vuri në dukje se, megjithëse ngjarja ndodhi në Tivar, nuk mund të quhet një “krim i tivarasve”, duke shpjeguar se shumica e qytetarëve treguan humanizmin dhe solidaritetin, si dhe që “Tivari mbetet qytet i bashkëjetesës multietnike dhe ky fakt duhet ruajtur.”
Takimin e përshëndeti edhe Mirsad Nurkoviq, nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi.
“Jemi këtu jo vetëm për të folur për historinë, por për një krim që u bë mbi të rinjtë e paarmatosur nga Kosova. Besimi ndërmjet popujve nuk ndërtohet me heshtje, por me të vërtetën”, theksoi ai.
Ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Bojan Bozhoviq, i cili nuk mori pjesë në simpozium, dërgoi një mesazh në të cilin theksoi se kujtimi i viktimave nuk është thjesht çështje historie, por edhe drejtësie dhe respekti për të drejtat themelore të njeriut.
Letër mbështetjeje dërgoi gjithashtu edhe nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, duke siguruar se kjo temë do të diskutohet edhe në Parlament.
Në fjalën e saj, ambasadorja e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka – Hoxha, tha se “ky simpozium hap bisedën për një nga plagët më të dhimbshme në kujtesën kolektive të popullit të Kosovës, një tragjedi që ka mbetur e heshtur për dekada”.
Në këtë kuadër, një reflektim i veçantë u paraqit edhe nga Besnik Emini, drejtor i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i cili u ndal te fati i shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut, duke e zgjeruar kështu diskutimin përtej kufijve lokalë dhe duke e vendosur atë në një kontekst më të gjerë rajonal.
Behadin Rexhepi, një nga nismëtarët e këtij organizimi dhe pjesëtar i familjes së viktimave, ka punuar për vite me radhë për të mbledhur dëshmi dhe dokumente, duke thënë se simpoziumi është “një detyrim moral për familjet dhe për kujtesën kolektive të shqiptarëve dhe boshnjakëve që pësuan në atë tragjedi.”
Në planin akademik, simpoziumi u shqua për një platformë të gjerë dhe të mirëstrukturuar shkencore, ku u trajtuan në mënyrë të thelluar dimensione të ndryshme të Masakrës së Tivarit.
Referatin hyrës e mbajti Uran Butka, i cili e vendosi ngjarjen në kontekstin historik të periudhës mars-prill 1945, duke hapur kështu diskutimin për trajtimet e mëtejshme.
Gjatë punimeve, studiues të shumtë sollën këndvështrime të ndryshme dhe plotësuese mbi këtë ngjarje komplekse. Parim Kosova u ndal te roli i Prizrenit si pikë grumbullimi dhe tranziti për të mobilizuarit, ndërsa Qerim Lita analizoi burimet sekrete jugosllave që hedhin dritë mbi rrethanat e ngjarjes. Nga ana tjetër, Çelo Hoxha e trajtoi çështjen në prizmin e së drejtës ndërkombëtare të luftës, ndërsa Haxhi Ademi u përqendrua në pasojat politike dhe shoqërore që kjo tragjedi ka lënë në historinë e shqiptarëve të Kosovës.
Një qasje më e gjerë mbi kujtesën dhe mënyrën e trajtimit të saj në shoqëri u soll nga Aleksandar-Sasha Zekoviq, ndërsa Ismet Kallaba trajtoi mënyrën se si kjo ngjarje është përjetuar dhe reflektuar në Shkodër dhe Ulqin me rrethinë. Në të njëjtën linjë, Mustafa Bale solli dëshmi nga kujtimet e pjesëmarrësve, ndërsa Sllavko Petroviq, pasardhës i një prej familjeve nga Tivari që ka shpëtuar të mbijetuarit nga Masakra e Tivarit, përmes dëshmisë gojore “Njerëz të mirë në kohë të këqija” ofroi një perspektivë më humane mbi ngjarjet.
Nga aspekti historiografik, Millan Shqekiq analizoi trajtimin bashkëkohor të Masakrës së Tivarit, ndërsa Velija Muriq u ndal në dimensionin juridik dhe çështjen e përgjegjësisë. Po ashtu, Lulëzim Brahja e trajtoi ngjarjen në kontekstin e të drejtave ndërkombëtare të njeriut.
Një kontribut i përbashkët mbi topografinë e krimit dhe mënyrën se si ai është ruajtur në kujtesë u paraqit nga Radomir Petriq dhe Sulo Mustafiq.

Kujtesa si detyrim
Në përmbyllje të aktivitetit, vizita në vendin e njohur si Monopoli i Tivarit dhe homazhet për viktimat i dhanë këtij simpoziumi një dimension tjetër – atë njerëzor.
Aty, përtej analizave dhe fjalimeve, u rikujtua thelbi i gjithë këtij diskutimi: jetët e humbura, historitë e ndërprera dhe nevoja për të mos lejuar që ato të mbeten në harresë.

Një reflektim që mbetet i hapur
Simpoziumi në Tivar dëshmoi se ekziston një përpjekje serioze për të ndriçuar të vërtetën historike. Ai tregoi se ka vullnet akademik, bashkëpunim rajonal dhe një nevojë reale shoqërore për të trajtuar këtë ngjarje.
Por ai gjithashtu nxori në pah një boshllëk të madh: mungesën e angazhimit institucional.
Dhe ndoshta kjo është ironia më e madhe e këtij aktiviteti – se ndërsa e kaluara kërkon të zbardhet, e tashmja ende ngurron të përballet me të.
Sepse e vërteta historike nuk është vetëm çështje studimi. Ajo është, mbi të gjitha, çështje përgjegjësie.

Përfundimet e simpoziumit: nga kujtesa drejt veprimit konkret
Në përmbyllje të punimeve, pjesëmarrësit e Simpoziumit Ndërkombëtar Shkencor në Tivar miratuan një sërë përfundimesh dhe rekomandimesh konkrete, të cilat synojnë jo vetëm avancimin e kërkimit shkencor, por edhe ndërmarrjen e hapave institucionalë për trajtimin e kësaj çështjeje të ndjeshme historike.
Një nga konkluzionet kryesore ishte nevoja për të vazhduar kërkimin e së vërtetës së plotë shkencore mbi Masakrën e Tivarit të vitit 1945. Në këtë drejtim, u propozua që kumtesat e paraqitura në simpozium të publikohen në dy gjuhë, me qëllim që të shërbejnë si bazë për studime të mëtejshme dhe të nxisin interesin akademik ndërkombëtar për këtë temë.
Një tjetër rekomandim me rëndësi të veçantë ishte inicimi i nismës drejtuar autoriteteve lokale dhe shtetërore për vendosjen e një përmendoreje përkujtimore në vendin e ngjarjes.
Simpoziumi theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e evidentimit dhe shënimit të vendeve ku supozohet se ndodhen varreza masive të viktimave, si dhe identifikimin dhe mbrojtjen e varreve individuale që janë ruajtur deri më sot.
Një nga rekomandimet më konkrete dhe me karakter institucional lidhej me mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje. Pjesëmarrësit vlerësuan se, duke marrë parasysh kufizimet dhe sfidat ligjore, rasti duhet të trajtohet si çështje administrative dhe jo penale. Në këtë kuadër, iu bë thirrje Qeverisë së Malit të Zi të krijojë një komision të posaçëm për identifikimin e të gjitha varrezave të fshehura. Ky komision, sipas propozimit, do të kishte si detyrë në fazat e mëvonshme organizimin e zhvarrosjeve dhe rivarrimin dinjitoz të mbetjeve mortore të viktimave civile të pafajshme të luftës dhe periudhës së pasluftës.
Një tjetër pikë kyçe ishte kërkesa për angazhim më të drejtpërdrejtë shtetëror dhe ndërshtetëror. U kërkua që kjo çështje të marrë një mandat të qartë institucional nga shteti i Malit të Zi, përmes krijimit të komisioneve të besueshme ndërshtetërore dhe nënshkrimit të marrëveshjeve që do të mundësojnë qasje të plotë në arkiva. Kjo u konsiderua një hap i domosdoshëm për sigurimin e të dhënave të sakta dhe për zhvillimin e kërkimeve të thelluara shkencore.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat