Çfarë po e nxit rritjen e çmimeve në Malin e Zi?

Hapi kryesor që duhet ndërmarrë është, para së gjithash dhe mbi të gjitha, diversifikimi i ekonomisë sonë, që të zvogëlojmë këtë varësi nga importi, dhe në këtë mënyrë të forcojmë produktin malazias, sepse sikur në vitin 2022 ta kishim forcuar prodhimin vendas, sot do të mundnim që përmes subvencioneve të vepronim në treg dhe t’i mbanim çmimet. Kështu që rritja e produktivitetit, ulja e kostove të administratës publike dhe ulja e vetë presionit mbi treg do të sillnin patjetër rezultate të caktuara në afat të gjatë

Koha javore: Z. Muleshkoviq, cilat janë arsyet kryesore për rritjen e çmimeve gjatë vitit 2025 në Malin e Zi dhe pse kjo vazhdon edhe në këtë fillim të vitit 2026? Sa lidhet kjo me faktorët e brendshëm dhe të jashtëm?
M. Muleshkoviq:
Në përgjithësi, nëse flasim për rritjen e çmimeve gjatë vitit 2025, është e qartë se si faktorët ndërkombëtarë ashtu edhe ata lokalë kanë ndikuar në gjenerimin e një norme inflacioni që është dyfish më e lartë në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian. Faktorët ndërkombëtarë kanë ndikuar drejtpërdrejt përmes varësisë së Malit të Zi nga importi, sepse është fakt që, sipas të dhënave të “Monstat”-it, Mali i Zi importon shumicën e produkteve dhe për pasojë, të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ndodhin, si në rajon ashtu edhe në nivel global, ndikojnë në rritjen e çmimeve.
Çështja e dytë janë politikat kombëtare, konkretisht rritja administrative e pagave, e cila që nga viti 2022 ka çuar në rritje të çmimeve. Gjatë vitit 2024 kemi pasur edhe një rritje tjetër të pagës minimale me rrugë administrative, gjë që ka rritur kostot dhe për rrjedhojë ka rritur fillimisht sasinë e parasë në qarkullim, ka krijuar presion më të madh mbi tregun dhe kjo ka çuar në rritjen e çmimeve. Këto janë postulate bazë ekonomike dhe ishte e pritshme, duke pasur parasysh se nga ana tjetër pothuajse nuk kemi bërë asgjë në rritjen e produktivitetit dhe fakti është se një numër i madh i të punësuarve tanë punon në sektorë më pak produktivë, gjë që tregon qartë se për shkak të rritjes së sasisë së parasë ka qenë e domosdoshme të ndodhte rritja e çmimeve.
Gjithashtu, është e qartë se të gjitha kostot e operimit të subjekteve ekonomike janë rritur, duke filluar nga ndërmarrjet lokale dhe shtetërore që kanë rritur detyrimet e tyre ndaj ekonomisë, përmes pagave, por edhe kostove të tjera si për shembull transporti etj.
Po ashtu duhet përmendur edhe faktori ndërkombëtar, se mbi njëqind mijë të huaj kanë ardhur të jetojnë dhe të punojnë në Mal të Zi, gjë që ka ndikuar qartë në treg, duke krijuar një presion të madh mbi tregun dhe duke çuar në rritjen e çmimeve, si të produkteve, por veçanërisht në këtë pjesë duhet theksuar çmimet e banesave, si për shitje ashtu edhe për qira.

Koha javore: A kemi të bëjmë me një dukuri të përkohshme apo me një prirje më afatgjatë të rritjes së kostos së jetesës dhe inflacionit?
M. Muleshkoviq:
Është e qartë se në Mal të Zi problemi i inflacionit është i dukshëm që nga viti 2022. Të dhënat historike tregojnë se deri atëherë, para reformave të para, pra para rritjes së parë administrative të pagave, Mali i Zi ndiqte mesataren e Bashkimit Evropian, madje ishte nën mesataren e BE-së sa i përket normës së inflacionit, gjë që tregon qartë se ky problem, nëse zgjat që nga viti 2022, ndërsa ne jemi në vitin 2026, tashmë përfaqëson një problem afatgjatë dhe nëse vazhdojmë me politika të tilla konsumatore, është e qartë se do të kemi një problem të vazhdueshëm me normën e inflacionit. Sepse, pothuajse nuk bëjmë asgjë në rritjen e produktivitetit, punojmë pak në krijimin e vlerave të reja ekonomike, gjë që tregon qartë se për shkak të varësisë nga importi, për shkak të presionit të madh mbi treg, Mali i Zi do të ketë gjithmonë një problem dominant me inflacionin.

Koha javore: Cilët sektorë pritet të përballen me presion të vazhdueshëm të rritjes së çmimeve në vitin 2026 dhe ku ka sinjale për stabilizim ose rënie relative?
M. Muleshkoviq:
Nëse flasim për sektorët, është e qartë se sektorë të caktuar gjatë vitit 2025 kanë shënuar rritje, veçanërisht kur flasim për turizmin, sepse pikërisht për shkak të politikave që janë marrë, pra rritjes së normës së TVSH-së, ishte e qartë se do të ndodhte rritja e çmimeve. Ajo që të dhënat tregojnë qartë është se, nëse gjatë vitit 2026 ndodh rritje e çmimit të energjisë elektrike, mund të presim që të ndodhë rritje e përgjithshme e çmimeve. Dhe ajo që është e qartë gjatë vitit 2025 është se kemi rritje të çmimeve të shërbimeve, dhe kur kemi rritje të çmimeve të shërbimeve, ato do të vazhdojnë edhe këtë vit, dhe për rrjedhojë mund të presim që shërbime të caktuara të shënojnë rritje.
Sa i përket ushqimit, produkteve ushqimore, është e qartë se kjo varet kryesisht nga faktori ndërkombëtar. Perspektivat në nivel ndërkombëtar janë të tilla që kemi një pasiguri të caktuar dhe këtu mund të presim një rritje të lehtë. Ajo që tregojnë të dhënat e vendimmarrësve është se do të kemi një normë inflacioni rreth 3 për qind, por nëse ndodh rritje e çmimit të energjisë elektrike, norma e inflacionit mund të jetë shumë më e lartë. Sepse, është e qartë se që nga viti 2022 ne nuk e kemi rritur çmimin e energjisë elektrike, ndonëse është dashur, pikërisht për shkak të gjithçkaje që ka ndodhur në tregun ndërkombëtar, dhe ajo që është e qartë është se çmimet në Bashkimin Evropian janë rritur pikërisht për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, ndërsa nga ana tjetër te ne nuk ka pasur atë rritje, dhe për pasojë kjo tregon qartë se simptoma e atij faktori ndërkombëtar do të ketë një ndikim të madh në politikat kombëtare.

Koha javore: Si i vlerësoni masat që po ndërmerr Qeveria për të frenuar ose zbutur inflacionin?
M. Muleshkoviq:
Ndryshe nga shumica e vendeve, Mali i Zi nuk ka pasur një numër të madh masash konkrete në pjesën e luftës kundër rritjes së çmimeve. Ajo që i karakterizon masat në Mal të Zi janë aksionet kataloguese të kufizimit të çmimeve, por këto aksione nuk japin rezultate afatgjata, sepse ato munden vetëm përkohësisht për produkte të caktuara t’i mbajnë çmimet, por nga ana tjetër mund të çojnë në rritjen e çmimeve të tjera. Kështu që këto janë aksione që është dashur të jenë vetëm aksione shoqëruese, masa shoqëruese për masa të tjera që Qeveria është dashur t’i zbatojë, veçanërisht në uljen e kostove, sidomos në pjesën e racionalizimit të shpenzimeve publike dhe në pjesën e rritjes së produktivitetit të ekonomisë malazeze, sepse megjithatë për këto katër vite nuk kemi pasur masa konkrete në këtë drejtim.

Koha javore: Cilat masa konkrete ekonomike mund të zbatohen për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të mbrojtur fuqinë blerëse të qytetarëve?
M. Muleshkoviq:
Hapi kryesor që duhet ndërmarrë është, para së gjithash dhe mbi të gjitha, diversifikimi i ekonomisë sonë, që të zvogëlojmë këtë varësi nga importi, dhe në këtë mënyrë të forcojmë produktin malazias, sepse sikur në vitin 2022 ta kishim forcuar prodhimin vendas, tashmë sot do të mundnim që përmes subvencioneve të vepronim në treg dhe t’i mbanim çmimet. Kështu që rritja e produktivitetit, ulja e kostove të administratës publike dhe ulja e vetë presionit mbi treg do të sillnin patjetër rezultate të caktuara në afat të gjatë. Ajo që përbën rëndësi është që procesi i tërësishëm të menaxhohet në mënyrë sistematike dhe që të kemi një vizion të qartë se ku duam ta shohim ekonominë malazeze dhe në çfarë mënyre do ta menaxhojmë ekonominë malazeze, sepse pa dyshim kjo na ka munguar në periudhën e kaluar.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat