Vendi ku ksenofobia ndaj shqiptarëve është në rritje

Gjatë këtyre pesë viteve të fundit ka pasur ndryshime brenda spektrit politik të pushtetit ekzistues, si ndërrim të kryeministrave, rikompozim të Qeverisë së Malit të Zi etj., por ajo çfarë nuk ka ndryshuar është ksenofobia ndaj shqiptarëve në këtë shtet. Referuar ngjarjeve që kanë ndodhur këto vitet e fundit, fitohet përshtypja se sentimentin proserb dhe prorus në Mal të Zi po e ndiejnë, më shumë se askush tjetër, shqiptarët autoktonë të këtij shteti

Xheladin Zeneli

Në vitin 2020 erdhi te ndërrimi i pushtetit në Mal të Zi, kur tri dekada qeverisjeje të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), me në krye Millo Gjukanoviqin, pushtetin e morën subjektet politike të një krahu tjetër politik, që deri në atë kohë ishin parti opozitare. Kurse nga viti 2023 me pushtetin e Malit të Zi udhëheq “Evropa Tani” bashkë me disa subjekte (parti)të tjera me orientime proserbe dhe proruse, të cilat përbëjnë shumicën parlamentare. Këtu bën pjesë edhe kryetari aktual i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, i cili është përkrahës i hapur i së ashtuquajturës “Botë Serbe” (lexo: Serbisë së Madhe).
Gjithashtu, gjatë këtyre pesë viteve të fundit ka pasur ndryshime brenda spektrit politik të pushtetit ekzistues, si ndërrim të kryeministrave, rikompozim të Qeverisë së Malit të Zi etj., por ajo çfarë nuk ka ndryshuar është ksenofobia ndaj shqiptarëve në këtë shtet. Referuar ngjarjeve që kanë ndodhur këto vitet e fundit, fitohet përshtypja se sentimentin proserb dhe prorus në Mal të Zi po e ndiejnë, më shumë se askush tjetër, shqiptarët autoktonë të këtij shteti.
Lidhur me abuzimin, keqtrajtimin po ndjekjen penale të shqiptarëve për shkak të përkatësisë së tyre nacionale nga ana e autoriteteve shtetërore, dëshmojnë ngjarjet që do t’i radhisim kronologjikisht më poshtë e që kanë ndodhur gjatë këtij viti, por edhe gjatë tri-katër viteve të mëparshme, e që janë raportuar nga mediat në gjuhën shqipe dhe ato malazeze të këtij shteti:
Në shtator të këtij viti, një person me përkatësi shqiptare është procesuar dhe ndëshkuar në stacionin e policisë në Ulqin, për shkak të vendosjes së flamurit shqiptar në pronën e tij familjare. Ky veprim i policisë është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Zgjedhjen, Përdorimin dhe Shfaqjen Publike të Simboleve Kombëtare, i cili garanton qartë të drejtën e qytetarëve për të përdorur lirshëm simbolet kombëtare, si në hapësira publike ashtu edhe në ato private.
Sulmi i huliganëve sllavo-malazezë ndaj shfaqjes së filmit artistik në gjuhën shqipe “Lejleku”, në një festival që u mbajt në Podgoricë më 3 shtator 2025, është dëshmi tjetër e urrejtjes ndaj elementit shqiptar në Mal të Zi.
Një shtetas shqiptar nga Kosova, në tetor të këtij viti, është dënuar më 10 ditë burg në Mal të Zi pasi pranoi se kishte shkruar grafitin me shkronja “UÇK “. Përveç kësaj, ndaj tij u vendos edhe masa mbrojtëse për dëbim njëvjeçar nga territori i Malit të Zi. Ky rast ka ngjallur reagime në opinion, pasi ndër vite, në qytete të ndryshme të Malit të Zi shkruhen grafite fyese dhe provokuese, kryesisht kundër shqiptarëve, por nuk dihet për ndonjë rast kur autorët e tyre janë arrestuar dhe dënuar me burg. As që mund të flitet këtu për krahasim të shkrimit të fjalës “UÇK” me shkrimet shoviniste të serbo-sllavëve ndaj shqiptarëve.
Sulmi i dhunshëm ndaj tre shtetasve shqiptarë, vitin e kaluar (janar 2024), në afërsi të qytetit të Herceg Novit në Mal të Zi, me ç’rast atyre u janë shkaktuar lëndime të rënda fizike, por autorët e këtij akti urryes ende nuk janë sjellë para drejtësisë.
Në shtator të vitit 2024, në rrugën Tuz- Bozhaj, u bë bllokimi i rrugës afër pikës kufitare Bozhaj – Hani i Hotit nga protestuesit të cilët mbanin flamuj të Serbisë bashkë me mesazhin provokues “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Vlen të përmendet se në këtë protestë ishte e pranishme policia e Malit të Zi, por as që tentuan të ndalojnë valëvitjen publike të këtij mesazhi.
Po ashtu në shtator të vitit të kaluar, pas ndeshjes së futbollit Deçiq-Buduqnost (siç informon portali Malësia.org), rreth 40 automjete me tifozë nga Podgorica, në kthim pas ndeshjes, nëpër qendër të Tuzit provokuan me fyerje e sharje vendasit shqiptarë në baza nacionale, në mes tjerash edhe duke thirrur “Srbija…, Srbija”. Thuhet se pati disa automjete të dëmtuara dhe huliganët e ardhur nga Podgorica nxitën dhe shkaktuan rrahje fizike me vendasit shqiptarë.
Keqtrajtimi i dy shtatasve shqiptarë në pikën kufitare Sukubinë-Muriqan, në vitin 2023, nga ana e policëve malazezë, me ç’rast rrahen pedagogun Petraq Milo nga Shqipëria, i cili gjindej në automjetin e tij të udhëtimit.
Në shkurt të vitit 2021 ka ndodhur sulmi i gjuajtjes me gurë të autobusit, brenda të cilit ishin turistët nga Kosova. Kjo ndodhi në ditën e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, afër qytetit Beran në Mal të Zi. Edhe kësaj radhe policia malazeze ishte vetëm rreth 200 metra larg vendit të ngjarjes, por nuk reaguan. Ky nuk ishte sulmi i parë i tillë ndaj autobusëve me turistë të Kosovës që e vizitojnë Malin e Zi.
Kur të gjithë këtyre rasteve të lartpërmemdura i shtohet edhe fakti se shpeshherë, me rastin e ndeshjeve sportive ndërmjet ndonjë ekipi malazez dhe shqiptar, në tribunat e stadiumeve dëgjohen brohoritje për vrasjen e shqiptarëve e thirrje të tjera raciste kundër shqiptarëve, fitohet një pasqyrë e qartë e nivelit të urrejtjes patologjike dhe shovinizmit sllavo-malazez ndaj një populli tjetër, pra ndaj shqiptarëve.
Autoritetet shtetërore dhe ato qeveritare mundohen t’i kategorizojnë këto ngjarje si “incidente të izoluara”, por faktikisht, për shkak të përsëritjes së tyre, ato janë akte urrejtjeje të paramenduara. Në një shoqëri të tillë, ku shteti ligjor i Malit të Zi nuk vepron, shqiptarët me të drejtë e ndiejnë veten të pambrojtur, të kërcënuar dhe të rrezikuar.

Vazhdon diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve dhe qëndrimet anti-Kosovë
Gjatë viteve të fundit ka pasur veprime antishqiptare me përkrahje institucionale:
Në shtator të këtij viti, Qeveria e Malit të Zi ka dhënë miratimin për vendosjen e monumentit të mitropolitit kleronacionalist Amfillohije Radoviq në qytetin e Kollashinit, kurse në afërsi të qytetit të Beranit u bë përurimi i përmendores së komandantit çetnik Pavle Gjurishiq.
Kurse një muaj më parë, pra në gusht të këtij viti, pushteti lokal i Gucisë zbatoi urdhrin e Inspektoriatit të Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi për heqjen e monumentit të heroit kombëtar të kësaj zone, Isuf Çelajt, në fshatin Vuthaj.
Ministria e Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore të Malit të Zi, kohë më parë ka pranuar propozimin e Mitropolisë së Malit të Zi dhe Bregdetit (MCP) që lokacioni në majën e Rumisë, ku në vitin 2005 u vendos në mënyrë të paligjshme një konstruksion metalik në formë kishe, të përfshihet në Planin Hapësinor-Urbanistik të komunës së Tivarit, si vend për objekte fetare, shkruan e përditshmja malazeze “Vijesti”, transmeton Ulqini Online.
Kryetari aktual i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, më 9 tetor 2024 ka marrë iniciativën për rikthimin e logos së dikurshme të Banovinës te Zetës, e cila ka funksionuar si autonomi e Mbretërisë Serbe të Karagjorgjeviqëve, si logo zyrtare të Kuvendit të Malit të Zi, që është një ofendim për popujt pakicë dhe vendim antikushtetues pasi që Mali i Zi është shtet shumënacional.
Në shtator të vitit 2024, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq ka pritur në një takim ambasadorin e Serbisë në Podgoricë, Nebojsha Rodiq, ku si temë diskutimi kanë pasur edhe Kosovën. Në njoftimin zyrtar të këtij takimi, të publikuar në uebfaqen e Kuvendit të Malit të Zi, institucionet e Republikës së Kosovës janë cilësuar si “institucione të përkohshme”. Kjo, edhe përkundër faktit se Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur më 9 tetor 2008.
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Millun Zogoviq, në tetor 2024 deklaroi për televizionin “A Plus” se Kosova është “krahinë jugore” e Serbisë.
Kryetari i Komunës së Plevlës, Dario Vranesh, në mars të vitit 2024, pas një ftese të Qeverisë së Kosovës, ka refuzuar të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Prishtinë, duke deklaruar: “I ashtuquajturi shtet i Kosovës nuk ekziston, është krahina serbe e Kosovës dhe Metohisë”.
Në fund, mos të harrojmë aksionin policor ndaj kultivuesve të duhanit në Krajë, në qershor të vitit 2023, ku përmes një urdhri arbitrar iu është marrë djersa, mundi i punës si dhe burimi kryesor i jetesës së atyre banorëve të paktë, që jetojnë sot në Krajë. Ky akt nuk mund të kuptohet ndryshe, por si mënyrë e ushtrimit të presionit ekonomik ndaj kësaj popullsie vendase shqiptare në shpërnguljen e tyre dhe në shpopullimin e mëtejshëm të kësaj treve.
Në ndërkohë, Mali i Zi po ndjek në mënyrë intensive rrugën drejt integrimeve europiane dhe Qeveria e Malit të Zi njofton kohëve të fundit lidhur me mbylljen e pesë “kapitujve negociues” në procesin e anëtarësimit të këtij shteti në Bashkimin Evropian. Shteti i Malit të Zi edhe mund të jetë afër anëtarësimit në BE, por është shumë larg në aspektin e respektimit të të drejtave nacionale të shqiptarëve, ushtrimit të tolerancës dhe eliminimit të ksenofobisë etnike ndaj tyre si dhe sentimentit proserb dhe prorus të disa përfaqësuesve të institucioneve malazeze ndaj Kosovës.

Të fundit

më të lexuarat