Rikthim në rrënjët dhe identitetinkombëtar shqiptar

Tani, kur kthehet pas në kujtime, fëmijëria e saj i duket e çuditshme. Si të kishte lindur në gjuhën e gabuar. “Flisja serbisht (serbokroatisht). Nuk flisja gjuhën time amtare - shqipen. Nuk e dija pse. Askush nuk ma shpjegoi. Thjesht kështu ishte. Ai hutim i heshtur më ndoqi si hije”, thotë ajo

Gjekë Gjonaj

Rrugëtimi jetësor i poetes, artistes dhe veprimtares së njohur shqiptare Kaltrina Hoti, me prejardhje nga fshati Hot i Komunës së Plavës, është histori më vete, një rrëfim i dhembshëm shpirtëror, një përjetim emocional i kësaj mërgimtareje për fëmijërinë e saj me fjalë të huazuara (lexo sllave), për familjen dhe vlerat e saj. Ky rrëfim pasqyron sfidat që ajo dhe familja e saj ka kaluar ndër vite, duke u fokusuar në padrejtësitë, sakrificat e hershme dhe në mësimet jetësore që kanë formësuar karakterin e saj. Ajo rrëfen se ka lindur në Plavë, në një qytet të vogël, të qetë, të fshehur, të bukur dhe frymëzues, që si fëmijë nuk i kuptonte. Tani, kur kthehet pas në kujtime, fëmijëria e saj i duket e çuditshme. Si të kishte lindur në gjuhën e gabuar.
“Flisja serbisht (serbokroatisht). Nuk flisja gjuhën time amtare – shqipen. Nuk e dija pse. Askush nuk ma shpjegoi. Thjesht kështu ishte. Ai hutim i heshtur më ndoqi si hije”, thotë ajo.

Shpërngulja në Kosovë
Kur ishte shtatë vjeçe, në vitet ‘70, pak para se të fillojë shkollën, familja e saj u shpërngul në Prishtinë (Kosovë) me qëllimin e vetëm për të ruajtur e kultivuar gjuhën shqipe dhe për të ruajtur rrënjët dhe identitetin shqiptar. Ajo nuk e ka ditur gjuhën shqipe kur ka shkuar në klasën e parë në Prishtinë. Kosovës i ka borxh që ia dha mundësinë për të mësuar dhe ruajtur gjuhën shqipe. Në Prishtinë, në gjuhën amtare ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme.
“Babai i kuptonte sfidat. Të jesh shqiptar në ato vite në Plavë do të thotë vuajtje dhe asimilim. Ai ishte profesori i parë nga Hoti. Babai i tij, Shar Ibra, i burgosur në Kotorr, i la amanet (porosi) gjyshes sime që ta shkollojë babain tim. Ajo shiti një pjesë të tokës për të mbajtur amanetin e tij”, thotë Kaltrina.
Në pyetjen tonë se si u ndie kur familja e saj u shpërngul në Prishtinë, ajo përgjigjet:
“Për familjen time ishte fillimi i gjithçkaje, ndërsa unë u ndieva sikur u zgjova papritur. Ditën e parë në shkollën fillore ‘Hasan Prishtina’ në Prishtinë, e rrethuar nga fëmijët që flisnin shqip, kuptova se nuk e kuptoja asnjë fjalë. Pyeta veten: Çfarë më ndodhi? Pse nuk e dija gjuhën time? Pse më kishin mësuar të flisja një gjuhë tjetër më parë?”

Zgjimi nga një gjendje e heshtur dhe e çuditshme
Kaltrina brenda tre muajve e ka mësuar shqipen.
“Sa më mirë e flisja shqipen, aq më shumë ndihesha sikur po zgjohesha nga një gjendje e heshtur dhe e çuditshme. Viti i parë i shkollës nuk kishte të bënte me shkrim-lexim apo matematikë. Kishte të bënte me zbulimin e vetes sime. Brenda meje ndieva diçka që më tërhiqte. Një zë të butë, që ende nuk dija si ta quaja. Një zë që donte të vizatonte. Një zë që donte të shkruante.
Deri në fund të shkollës fillore, tashmë kisha shkruar një libër, i cili nuk u botua kurrë. Gëzimi që ndieja kur bashkoja fjalët, kur krijoja diçka nga hiçi, ishte një mrekulli e vogël, e fshehtë. Familja ime nuk e kuptonte. Talleshin me mua. Sidomos nëna ime. ‘Nuk është për ty kjo punë’, më thoshte. Diçka brenda meje nuk më lejonte të dorëzohem. Vazhdoja të vizatoja, të shkruaja. Në heshtje, në fshehtësi, vazhdoja të ndërtoja veten time”, rrëfen Kaltrina.

Pushimet e verës në vendlindje
Familja e Kaltrinës çdo verë, pas përfundimit të vitit shkollor, kthehej në Mal të Zi, në Hot.
“Në vendlindje kalonim gjithë verën. Të jetosh në Hot ishte si të mësosh të mbijetosh. Ne nuk qëndronim në Plavë, por drejt shkonim në Hot, ku ishim më të sigurt. Sa më pak kontakte me njerëz ishte më mirë për babain tim.
Ishte koha kur në Hot mësoje të lidhesh me natyrën, të respektosh të tjerët. Në mal duhet të dish të shkosh në pyll, të sjellësh dru, të ecësh në shi, të punosh në kopsht, por edhe të ruash bagëtinë. Edhe pse nuk ishte punë e lehtë, këto janë kujtimet më të lumtura të jetës sime. Kur mbaronte vera, ktheheshim në Prishtinë, ku mbarova shkollën fillore, shkollën e mesme të mjekësisë ‘Xhevdet Doda’ dhe u regjistrova në Fakultetin e Mjekësisë ”, thekson ajo.

Vitet e trazirave në Kosovë
Në fillim të viteve ‘80, situata në Kosovë filloi të ndryshojë. Lufta ende nuk kishte filluar, por dëgjohej aroma e saj në çdo familje. Shenjat e jashtme u jepnin mundësinë shqiptarëve të Kosovës të kuptojnë apo të parashikojnë se lufta së shpejti do të trokasë edhe në dyert e tyre.
Kaltrinës nuk i pëlqen ta kujtojë atë kohë, sa e vështirë ishte. Ishte koha e demonstratave, pjesë e të cilave ishte edhe ajo në vitet e para të rinisë.
Jetën e saj e ndryshoi ndjenja, që tashmë e dinte çfarë donte. Ai vit e forcoi më shumë se çdo tjetër. Ishte viti kur për herë të parë i bëri vetes pyetjet thelbësore: “Kush jam, në të vërtetë? Pse më është fshehur identiteti im? Pse duhet të luftoj aq shumë për të qenë vetja?”
Valët e jetës e hodhën ne një sfidë të papritur, të cilën ajo e quan “kurthi fetar”. E shtynë në një martesë, që nuk e kishte zgjedhur. E dinte, që në fillim, se nuk do të funksiononte. Nuk kishte fuqi të thoshte “jo”. Tha “po” dhe me atë “po” filloi të zhdukej.

Largimi i dhimbshëm nga Kosova në Amerikë

Kosova në vitin 1989 po digjej nga trazirat. Me ish-burrin e saj la gjithçka dhe u largua në Amerikë – jo si ëndërr, por si shans i fundit.
“Ende i ndiej lotët në fytyrë atë ditë që ika (u largova). E lashë vendin tim, shoqet, ëndrrat aty ku ishin lindur… Në Amerikë arrita si asgjë, si një fletë e bardhë – pa gjuhë, pa lidhje, pa emër. Ishte e vështirë të kuptoja se kush isha në këtë vend të huaj. Nuk e dija gjuhën, nuk njihja traditat dhe njerëzit më dukeshin larg e të huaj. Për tre vite luftova për të marrë lejen për të jetuar ligjërisht. Ishte një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Qëndrova. Pastaj më erdhi pyetja: Çfarë tani?
Dëshira ime për të provuar veten nuk u shua. Regjistrova dy vjet Kolegjin për dizajn të brendshëm, të cilin e përfundova mes dhjetë studentëve më të mirë, edhe pse anglishtja ime nuk ishte e përsosur. Ish-bashkëshorti im nuk më mbështeste. Duhej ta mbaja fshehur ëndrrën time. Më vonë ndoqa edhe dy vjet shkollë për shkencat shëndetësore dhe sërish isha në mesin e tre studentëve më të mirë.
Kjo periudhë ishte për të provuar që unë nuk isha vetëm ‘punëtore pastrimi’, edhe pse për një kohë punova si e tillë. Unë doja të tregoja se mund të arrija diçka më shumë, edhe në këtë tokë të huaj”, rrëfen Hoti.
Ajo ka jetuar në Teksas, Florida dhe Nju-Jork.
(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat