Në Bozhaj (Hot) – Malësi e Madhe, të martën mbrëma, më 19 gusht 2025, u bë inaugurimi i parkut memorial dhe zbulimi i pllakave përkujtimore kushtuar 26 malësorëve nga të dyja anët e kufirit, të pushkatuar më 6 prill të vitit 1941.
Në këtë solemnitet morën pjesë një publik i madh nga Malësia, këndej dhe andej kufirit, familjarë të viktimave, mërgimtarë nga diaspora, figura kishtare dhe ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj.
Në fillim u theksua se ngritja e këtij memoriali, 84 vite më pas, nderon dhe kujton paraardhësit e tyre të flijuar padrejtësisht në këtë vend, si dhe jep një dëshmi që sakrifica e tyre nuk është harruar dhe do të mbetet përjetësisht në kujtesën kombëtare.
Kryetari i këshillit organizativ, historiani Mark Junçaj, në fjalën përshëndetëse tha se inaugurimi i këtij memoriali për viktimat e rëna në masakrën e prillit 1941, të kryer nga Ushtria Jugosllave, “është dëshmia më e mirë e ngjarjes në fjalë, e cila nuk lejon që ky krim ndaj malësorëve, të harrohet, e të cilët ishin fajtorë vetëm se ishin shqiptarë.”
Ai në vështrimin e tij shpalosi marrëdhëniet shqiptaro-sllave, përkatësisht shqiptaro-serbe, dhe më pas, historikun e kësaj masakre të përgjakshme.
“Shteti i ri, Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, e njohur pastaj edhe si Mbretëria e Jugosllavisë, do të vazhdojë politikën e vjetër antishqiptare, ku do të kemi edhe masakrën e paharruar të vitit 1919 dhe vrasjen e mbi 70 hotjanëve të cilët kërkonin vetëm bashkimin me shtetin amë”, u shpreh Junçaj.
Ai shtoi se kjo gjendje nuk do të ndryshojë as më vonë, pasi, siç tha, shteti i ri jugosllav u përpoq të bëjë asimilimin e popullsisë shqiptare “duke mos lejuar as arsimimin në gjuhën kombëtare.”
“Memoriali që ne po inaugurojmë sot nuk do ta lejojë që kjo ngjarje të mbesë në harresë, por do të përjetësojë malësorët të cilët u ekzekutuan vetëm për shkak të përkatësisë kombëtare”, u shpreh Junçaj.
Ai shtoi se, kur bëhet fjalë për këtë masakër të rëndë të para 84 viteve, asnjë nga qeveritë jugosllave dhe më vonë as malazeze, nuk e ka përmendur këtë rast.
“E lërë më të kërkojë falje apo dikush të marrë përgjegjësinë për këtë çështje. Mirëpo ne e kemi borxh që këtë ngjarje dhe as ngjarjet e tjera të mos i harrojmë, dhe as të kaluarën. Pasi që ai popull që harron të kaluarën, rrezikon të zhduket”, tha Junçaj.
Ai duke folur më në detaje për aksionin e vitit 1941 të Ushtrisë Jugosllave kundër shqiptarëve, ndër të tjera theksoi se malësorët e kapur rob ishin marrë duke punuar në mulli, duke qëndruar te shtëpia, duke vuajtur në shtrat nga sëmundja etj.
“Duhet potencuar se të gjithë nuk janë sjellë këtu, por janë vrarë edhe rrugës apo jo larg nga këtu, nga gropa e Gëlqeres, por megjithatë, bëhet fjalë për të njëjtin aksion”, tha Junçaj.
Pas kësaj, shtoi ai, Ushtria Jugosllave vazhdoi dhe hyri në territorin e Shqipërisë londineze dhe depërtoi deri në Kastrat. Kastratasit, pothuajse të gjithë, kishin ikur dhe ishin strehuar nëpër vendet fqinje. Por, megjithatë, kishte të tillë që nuk ishin strehuar dhe Ushtria Jugosllave, ata që pati mundësi, i kapi, i lidhi dhe i nisi për tek posta ushtarake në Bozhaj. Sipas disa burimeve, i kapën diku 15 kastratas dhe i nisën drejt Bozhajve, të cilët i pushkatuan”, tha Junçaj.
Ndërkohë, mbi raportin financiar të donatorëve që mundësuan ngritjen e këtij memoriali foli Luigj Junçaj, i cili theksoi se kontributi në fjalë tejkalon shifrën e 125 mijë dollarëve amerikanë, si dhe një shumë në euro, të dhuruar nga mërgata shqiptare, por dhe nga individë e afaristë vendas.
Në këtë ngjarje përkujtimore dhe historike përshëndetën edhe përfaqësuesit e familjeve të viktimave.
Zef Gjoka Dedvukaj, ndër të tjera, theksoi se gjyshi i tij, sikurse shumë të tjerë të pushkatuar në këtë masakër, nuk ishin as fajtorë, as armiq, por vetëm njerëz të thjeshtë, “një bir, një baba, një vëlla, një mik që e ndanë nga jeta në mënyrën më të padrejtë. I pushkatuan vetëm se i përkisnin një emri, një kombi, një identiteti shqiptar.”
Sot, tha Dedvukaj, kjo heshtje po thyhet dhe ky memorial dhe ky tubim po i jep drejtësi kujtimit të të gjithë atyre që s’patën mundësi të flasin për veten.
Për këtë masakër të tmerrshme dhe dhimbjen që ndiejnë edhe sot për familjarët e tyre të humbur në të, folën edhe Jak Prëçetaj dhe David Junçaj.
Në fund të këtij aktiviteti përkujtimor dhe historik, publiku u argëtua me disa këngë dhe valle folklorike nga këngëtarë dhe shoqata kulturore-artistike nga Malësia.
Parku memorial është projektuar nga arkitekti nga Malësia, Gjergj Gojçaj. Ai do t’i shërbejë Malësisë si monument nderimi dhe një thirrje për të mos harruar. Parku kujton vuajtjet që regjimet e padrejta u sollën njerëzve të pafajshëm. Ndërtimi i tij është një amanet për brezat e ardhshëm, që të kujtojnë dhe respektojnë historinë e tyre.
t. u.
