Promovues i turizmit malor dhe mbështetës i ushqimeve tradicionale vendase

Ka lundruar nëpër dete në shumë shtete të botës, kurse sot limani i tij më i bukur është shtëpia e tij stërgjyshore në fshatin Rudinë - Triesh, afër 16 km larg Podgoricës. Ai edhe pse e kishte shtëpinë e vjetër të baballarëve të tij vetëm 100 metra larg (poshtë) Qafës së Rozdecit, vendosi të ndërtojë shtëpinë në këtë majë, prej nga shihen si në pëllëmbë të dorës Trieshi, Alpet Shqiptare (Bjeshkët e Nemuna), Podgorica, madje edhe mali Llovqen. Më pas ndërtoi një tavernë (restorant) “Stara pjesma” (Kënga e vjetër) dhe dy kamp-shtëpizat (bujtinat) prej druri për turistë, me qëllim që të promovojë turizmin malor dhe të mbajë gjallë ushqimet tradicionale vendase

Gjekë Gjonaj

Bashkëfshatari im Martin Cacaj, qysh në moshën 17-vjeçare la shtëpinë në Podgoricë dhe shkoi në botë, në kërkim të një jete më të mirë. Ka lundruar nëpër dete në shumë shtete të botës, kurse sot limani i tij më i bukur është shtëpia e tij stërgjyshore në fshatin Rudinë – Triesh, afër 16 km larg Podgoricës. Ai edhe pse e kishte shtëpinë e vjetër të baballarëve të tij vetëm 100 metra larg (poshtë) Qafës së Rozdecit, vendosi të ndërtojë shtëpinë në këtë majë, prej nga shihen si në pëllëmbë të dorës Trieshi, Alpet Shqiptare (Bjeshkët e Nemuna), Podgorica, madje edhe mali Llovqen. Më pas ndërtoi një tavernë (restorant) “Stara pjesma” (Kënga e vjetër) dhe dy kamp-shtëpizat (bujtinat) prej druri për turistë, me qëllim që të promovojë turizmin malor dhe të mbajë gjallë ushqimet tradicionale vendase.
Ndjehet shumë i kënaqur dhe i lumtur që u është kthyer rrënjëve të paraardhësve dhe e ka krijuar këtë biznes të vogël familjar, nga i cili nuk mund të pasurohet, por mund të jetohet normalisht. Kënaqësia e tij është edhe më e madhe kur është i sigurt që dy fëmijët e tij do të vazhdojnë të qëndrojnë në këtë vend dhe ta ruajnë shtëpinë e gjyshit dhe traditën e tij, veçmas djali i madh Nikolla, i lindur dhe i rritur në Podgoricë, adhurues i alpinizmit dhe gjuetisë. E si mos ta vizitosh, të paktën një herë të vetme dhe të qëndrosh në këtë vend me bukuri të rralla natyrore, të rrethuar me drurë, shkurre, shkëmbinj, ajër të pastër, ku zgjohesh nën cicërimën e zogjve?!
Martin Cacaj gjithmonë ka besuar se turizmi rural do të zhvillohet në Mal të Zi, prandaj edhe u përcaktua për këtë veprimtari në vendlindjen e tij, që e do më shumë se çdo vend tjetër. Mysafirët e tij më të shpeshtë janë podgoricasit, me të cilët ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, por edhe nga Malësia dhe vende të tjera. Të gjithë ata që e kanë vizituar një herë këtë kafene-restorant, që i ngjanë mjaft një muzeu të vogël etnografik, ku ka dy dekada që Martini mbledh pajisje e sende të vjetra fshati, objekte dhe instrumente tradicionale, vegla të përdorura për bujqësi, bishtukun (kandilin me vajguri), një aparat të vjetër telefonik i panjohur për rininë e sotme, fotografi të vjetra nga albumi familjar, pllaka të gramafonit të harruara prej kohësh, sërish të kërkuara si dhe shumë rekuizita të tjera që krijojnë një ambient interesant, të kënaqshëm dhe të këndshëm për qëndrim e shoqërim.
Krahas mysafirëve vendas, këtë kafene-restorant e vizitojnë edhe mjaft turistë të huaj, falë rrugës panoramike “Rruga përreth Koritës”, e cila është projektuar dhe promovuar nga Ministria e Turizmit e Malit të Zi. Ata që qëndrojnë shpesh disa ditë në dy kamp-shtëpizat e Martin Cacajt, kënaqen me aromën e drurit, e aq më tepër me mbjelljen e produkteve organike në arë.
“Ndodhi diçka që nuk mund ta imagjinoja kurrë, që çdo ditë të ketë gjithnjë e më shumë turistë, automobilistë, çiklistë, të gjitha falë asaj rruge. Prandaj planifikojmë të zgjerojmë kapacitetet tona”, thotë Cacaj.
Përveç natyrës së bukur, ajrit të pastër, sofra (tryeza) trieshiane zë një vend të veçantë në këtë tavernë. Në tryezën e tij mund t’i gjeni të gjitha produktet bujqësore dhe qumështore të kësaj treve.
“Në meny nuk ka asgjë të veçantë, përveç asaj që kanë përgatitur nënat dhe gjyshet tona. Të gjitha këto produkte ushqimore organike dhe natyra e virgjër të ofrojnë një rehati dhe qetësi, aq shumë të nevojshme për kohën e sotme. Më të kërkuarat janë gatimet tradicionale, kaçamaku, kërtolla (patatja) e Trieshit – tashmë brend (simbol) jo vetëm në Malësi, por edhe në Mal të Zi, mishi i qengjit dhe i dhisë, i pjekur në hell (mish fërliku), qumështi e kosi i deleve dhe i dhisë, djathërat e lopës, deleve, gjiza, petullat e famshme, lakra e zier, djathi i zier, për të cilat turistët e pasur (me xhep të thellë) nuk i kursejnë paratë e tyre, sepse nuk janë më të interesuar për hotelet luksoze”, thotë Cacaj.
Ai pohon se pavarësisht se sa më e lehtë është jeta jashtë, nuk mund të jetë më e bukur askund sesa në vendin e vet.

Të fundit

më të lexuarat