Gjenerata qëhapi dyert e dijes

Të mbledhur nga tri kontinente, ish-maturantët e vitit 1975 rikujtuan rrugëtimin e përbashkët dhe propozuan emrin “Besëlidhja e Malësisë” për gjimnazin që i formoi

Tuz – Nën moton plot simbolikë “Dritë, miqësi dhe kujtime që nuk zbehen kurrë”, gjenerata e parë e maturantëve që e përfunduan maturën në Gjimnazin “25 Maji” në Tuz u mblodh për të kremtuar një jubile të rrallë: 50-vjetorin e përfundimit të shkollës së mesme.
Kjo gjeneratë e nisi shkollimin në vitin 1971/1972 si paralele e Gjimnazit “Sllobodan Shkeroviq” nga Podgorica, ndërsa më pas, pas pavarësimit institucional të gjimnazit të Tuzit në vitin 1975, ata e përfunduan maturën pikërisht në këtë institucion, duke hyrë në historinë arsimore të Malësisë si gjenerata e parë e plotë.
Ish-nxënës nga Malësia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe deri në Australinë e largët u rikthyen për të ndarë së bashku emocionin e një përvjetori që nuk është vetëm kalendarik, por edhe historik.
Takimi u mbajt në ambientet e gjimnazit ku, pesë dekada më parë, ata përmbyllën një etapë thelbësore të jetës dhe hodhën themelet për rrugëtime të ndryshme personale e profesionale. Çastet e përbashkëta, kujtimet e katër viteve të shkollimit, të ndara dikur së bashku, u rikthyen me mall e emocione të sinqerta. Me ndjeshmëri të thellë u kujtuan edhe ata që nuk janë më në jetë, për të cilët u mbajt një minutë heshtje në nderim e respekt të përhershëm.
Ky solemnitet filloi ashtu siç pikërisht ata e përshkruan: një orë tipike që kishin 50 vjet më parë, duke hyrë kujdestari i klasës në auditor me ditar në dorë, Fran Lulgjuraj, kurse nxënësit u ngritën në këmbë për ta pritur atë.
Profesori Lulgjuraj shprehu mirënjohje të thellë për këtë takim, duke vlerësuar gjeneratën që, sipas tij, “ka hyrë në historikun e arsimit dhe edukimit në Malësi”.
Me emocion të përmbajtur, ai rikujtoi periudhat kur ishte ndarë prej ditarit për shkak të rrethanave jetësore, por që kishte mbetur gjithnjë i lidhur me të “me zemër”.
Lulgjuraj u kthye mbrapa në kohë, duke i thirrur emër për emër nxënësit e kësaj gjenerate nga ditari, ashtu sikurse është filluar një orë, pesë dekada më parë.
“Ndihem i kënaqur të jem sot me ju dhe çdo herë që t’ju takoj do kem përshtypjet më të mira. Uroj që edhe në të ardhmen të takohemi e të festojmë jubile të tjera”, tha Lulgjuraj.
Kjo atmosferë ngjalli një ndjeshmëri të veçantë, të përforcuar edhe nga gjesti i ish-nxënësit Luigj Junçaj, i cili u dhuroi të gjithëve nga një kopje të romanit të tij të botuar së fundi, si një dhuratë simbolike e ruajtjes së lidhjes shpirtërore mes tyre.
Në vijim, Gjon Camaj, gjithashtu pjesëtar i kësaj gjenerate, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku theksoi rëndësinë historike të këtij jubileu. Për të, ky 50-vjetor nuk është thjesht një numër, por një testament i rrugës së mundimshme që ka ndjekur ky vend për të arritur aty ku është sot.
“Historia e zhvillimit të Malësisë merr frymë përmes përpjekjeve tona. Aty filloi një epokë e re, e guximshme dhe vizionare në qendër të Malësisë, për rrugëtimin e saj nëpër dije, krenari dhe qëndresë kulturore e kombëtare. Ishte viti 1971. Në Malësinë e përvuajtur, të përballur me varfëri të skajshme, u hap për herë të parë një derë që s’dilte në korridore por në horizonte. Derë që për nxënësit e parë të kësaj shkolle të mesme ishte portë drejt dijes, emancipimit dhe një të ardhmeje që as ta ëndërronim me zë nuk kishim guxim”, tha ai.
Më tutje ai theksoi se në një realitet të vështirë politik e shoqëror u hap në Malësi rruga e dijes në gjuhën amtare, deri atëherë e mohuar, rrugë e re në arsim dhe vetëdije kombëtare, ku fjala shqipe do të mësohet, do të shkruhet dhe do të jetojë edhe këtu.
Me tone të fuqishme reflektimi, Camaj solli në vëmendje sfidat e kohës, mungesën e kushteve, sakrificat për dije dhe të vërtetën e ndjeshme të migrimit që la gjurmë të thella në shpirtin e kësaj treve.
“Në ato vite, asgjë përparimtare nuk vinte lehtë. Mësimi zhvillohej në kushte të vështira, me mungesë librash e mjete mësimore dhe me staf arsimor që e kujtojmë me ndjesi, me emra që janë skalitur në kujtesën tonë kolektive. Ata ishin misionarë të dijes, që mbollën farën e cila sot ka hedhur rrënjë të thella në të gjitha fushat e jetës në Malësi e diasporë”, theksoi ai.
Ai tha se në vitin e parë të gjimnazit, rrugëtimin e tyre të përbashkët e filluam me 75 nxënës.
“Shumë prej nesh vinim nga fshatrat e largëta të Malësisë (Hoti, Gruda, Trieshi dhe Koja). Ecnim këmbë për orë të tëra, shpeshherë nëpër shi a borë, stuhi apo vapë, për të vijuar mësimin. Ishim të veshur thjesht, me pak gjëra në çanta, por me shumë shpresa në zemra, shpeshherë barkthatë, por gjithmonë të etshëm për dije. Për disa arsye, maturën e përfunduam vetëm 26 nxënës”, u shpreh Camaj.
Sot, pas një gjysmë shekulli, tha ai, 22 janë në jetë, të diplomuar në profile të ndryshme, të shpërndarë nëpër botë, vendlindje, Evropë dhe Amerikë.
Gjurmë të pashlyeshme, theksoi ai, la plaga e rëndë e migrimit në zemrat e malësorëve.
“Nga nevoja për mbijetesë, për jetë më dinjitoze në liri, pjesa më e madhe e banorëve të Malësisë shkoi në mërgim, por vetëm fizikisht. Mërgata shqiptare ishte dhe mbetet njëra nga shtyllat më të fuqishme të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe përparimit të Malësisë”, theksoi Camaj.
Ai ndër të tjera këtë jubile e vlerësoi si një ftesë dhe betim se historia nuk harrohet, se rrënjët nuk priten, se shkolla nuk është vetëm ndërtesë, por është zemra e çdo përparimi.
“Andaj, apelojmë me shpresë që sa më parë të largohen nga emërtimet publike hijet dhe simbolika e së kaluarës totalitare”, u shpreh Camaj.
Ai tha se është e arsyeshme, e drejtë dhe apelojnë që disa institucione publike, monumente dhe hapësira publike të emërtohen me emra nga rrënjët tona, me figura që shprehin frymën e lirë të Malësisë, dinjitetin, dijen dhe kulturën kombëtare.
“E ardhmja nuk ndërtohet me nostalgji por me përgjegjësi, siç shkruan poeti ynë kombëtar At Gjergj Fishta: ‘Për më shpëtua Atdheun, s’ka më kënd kush tjetër veçse vetë Shqiptari’. Ne, gjenerata e parë e gjimnazit në Tuz inicojmë ndërrimin e emrit të kësaj shkolle dhe emërtimin e saj me emrin ‘Besëlidhja e Malësisë’. Këtë kërkesë do e firmosim të gjithë dhe do e dorëzojmë në drejtorinë e gjimnazit, për protokollim e veprim të mëtejshëm, me shpresë se do të realizohet sa më parë”, tha Camaj.
Kjo gjeneratë e parë, që e nisi udhën në rrethana të vështira, sot përbën një gur themeli të historisë arsimore të Malësisë. Me përkushtim dhe dije, ata kanë lënë gjurmë të dukshme në fusha të ndryshme të jetës – në arsim, shëndetësi, drejtësi, kulturë e shoqëri – si në vendlindje ashtu edhe në diasporë.
Jubileu i 50-vjetorit nuk ishte thjesht një rikujtim i së shkuarës, por një dëshmi e gjallë e vlerës së dijes, unitetit dhe qëndresës, që vazhdon të frymëzojë brezat e rinj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat