Si ta përshkruash një njeri i cili më se 50 vjet ka jetuar dhe punuar me një vullnet të paparë, në çdo vend ku ka shkelur këmba e tij, që nga koha kur ishte nxënës, në punishten e dajës së tij, Rexhep Trcetës, këpucarit dhe mjeshtrit me fame të madhe, më vonë në Kriporen e Ulqinit e deri në kohën e pensionimit?! Si ta përshkruash e të mos gabosh, një person me fizionomi të veçantë, gjithmonë të qeshur, të veshur me kravatë dhe në mënyrë elegante?!
Edhe pse në moshë (87 vjeç), Ilijaz Beci del çdo ditë në pazar të Ulqinit dhe shkon në xhami. Është besimtar i devotshëm, njohës i mirë i fesë islame dhe i Kur’anit. Rrin me shokë, të cilët janë më të rinj se ai, pasi që shumë moshatarë të tij tashmë janë në varrezat në Meteriz ose në Pinjesh. Gjithmonë është me disponim të mirë dhe nuk ankohet kurrë. Vështirësitë e jetës nuk reflektohen në qëndrimin e tij, sepse e ka kuptuar që jeta ka qenë e tillë, fat të cilit nuk ka mundur t’i shmanget.
“Para dhe pas lufte është jetuar më vështirë, por ka pasur dashuri më shumë se sot, më shumë respekt, kemi shkuar dhe kemi ardhur më shpesh njëri te tjetri”, flet Ilijazi me nostalgji për kohën e shkuar.
Shumica e qytetarëve të Ulqinit e dinë se familja e famshme Beci ka qenë një familje e njohur detare, pasi që shumë pjesëtarë të saj kanë naviguar në dete dhe oqeane anembanë botës. Një pjesë e pasardhësve të kësaj familjeje jetojnë në Shkodër dhe Durrës, që prej largimit nga Ulqini pas dorëzimit të tij Malit të Zi. Edhe vëllai i Ilijazit, Haliti, ka qenë një detar i njohur, për të cilin kam pasur dashuri dhe respekt të madh duke qenë se ka lundruar me babanë tim, kapedan Hasan Cano Karamanagën.
Megjithatë, Ilijazin nuk e ka tërhequr kurrë deti dhe navigimi, por gjithmonë ka qenë i lidhur me tokën. Pavarësisht moshës, Ilijazi ende ecën pa shkop, ka një të ecur karakteristik, flet me zë të lehtë, ndërsa në kokë mban gjithmonë “francuskën”. Është një orator i mirë që të bën për vete. Edhe pse nuk e njoh mirë, më shumë nga pamja, më rastis ta takoj ndonjëherë në rrugë, por nuk është vështirë të nxjerrësh një konstatim të këtillë.
Më kujtohet se një herë kemi marrë pjesë së bashku në një protestë në Ranë. Për shumë vite ai ka qenë anëtar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Ulqinit, ku unë isha për një kohë të shkurtër.
Po i rikthehem edhe një herë historisë detare të familjes Beci. Ajo ka pasur një flotë prej disa anijesh të ndryshme, duke filluar nga ato për tregti e deri tek ato që kanë shërbyer për mbrojtjen e Ulqinit. Disa prej tyre janë fundosur, ndërsa pjesa që ka shpëtuar kanë vazhduar të lundrojnë nëpër brigjet e Shqipërisë. Pronë e kësaj familjeje ka qenë një ndër anijet më të famshme në ujërat e Adriatikut dhe të Mesdheut, anija “Urshaja e Detit”, nën komandën e kapedanit Ismail Beci. Krahas tij, po përmendi me këtë rast edhe disa detarë dhe kapedanë të tjerë me nam nga kjo familje, si Beqir Beci I, Sulejman Beci II, Beqir Beci II dhe Ibrahim Beci, shumë prej të cilëve kanë lundruar nën flamurin e Mbretërisë Otomane, si dhe kapedani Rexhep Beci dhe i biri i tij Çyli, të cilët kanë vazhduar më vonë këtë traditë detare. Në këtë mënyrë, duke i përmendur dhe nxjerrë nga harresa, ne iu dalim atyre borxhit dhe njëkohësisht përkujtojmë veprën e tyre dhe trashëgiminë tone të lavdishme detare.
Por duke qenë se në fokus të këtij shkrimi është Ilijaz Beci, po jap disa të dhëna nga jeta e tij. Ai ka lindur në Ulqin, në vitin 1937. Në vitin 1964 u martua me Seide Resulbegun. I biri i tij, Ibrahimi, i martuar me Merita Hasanagën, ka dy nipa.
Ilijaz Beci i takon gjeneratës së parë të pasluftës që në vitet 1945-1953 ka ndjekur shkollën fillore në gjuhën shqipe.
“Në atë kohë, përveç shkollës tetëvjeçare nuk ka pas shkollë më të lartë”, tregon Ilijazi.
Shumë i ri ka filluar të punojë dhe të mësojë zanatin. Pasi që daja i tij Rexhep Trceta ishte këpucar i njohur në Ulqin, ai vendosi të merret me këtë zanat dhe nga ai i mësoi të gjitha marifetet e këpucarisë. Zanatin e këpucarit e ka mësuar nga viti 1953 deri në vitin 1956, ku paradite shkonte në shkollë, kurse pasdite punonte në punishten e tij. Provimin për këpucar e ka dhënë në Kooperativën e Këpucarëve ”Proleter“ në Ulqin.
“Në atë kohë ka pas shumë kërkesa për këpucë, sepse ata vetë i qepnin nga lëkura, madje shumë kualitative”, tregon Ilijazi.
Pas përfundimit të shkollës, nuk mund të gjente punë, kështu që dy vite të plota rri pa punë. Në vitin 1958 shkoi ushtar. Pasi që nuk mund të gjente punën në zanatin e vet, fati e desh që të punësohej në Kriporen e Ulqinit në vitin 1960, ku për dy vite e ushtroi dhe e mësoi zanatin e teknikut kimik. Në Kriporen e Ulqinit, fabrikën më të vjetër në Ulqin, punoi plot 37 vite, deri në vitin 1997. Kriporja ishte në atë kohë një burim i pashtershëm dhe aty lulëzonte çdo gjë.
Ai kujton se kur ka filluar të punojë, aty ka gjetur 185 punëtorë, por për çdo vit është rritur numri i punëtorëve, për të arritur në 350 punëtorë, pa llogaritur punëtorët sezonalë të angazhuar në kohën e grumbullimit të kripës.
“Kur dëgjoj dhe shkoj ndonjëherë tash në Kripore, më qan zemra, pasi që dora e njeriut dhe e politikës barbare të pashpirt ka arritur ta bëjë Kriporen shkretëtirë. Ajo sot është në një gjendje të mjerueshme, kështu që truri i njeriut nuk mund të kuptojë çfarë ka ndodhë me Kripore. Ajo ka mbaruar, është zhdukur nga dora e njeriut, është e shkatërruar, e plaçkitur dhe total e lënë pas dore! Është diçka e pabesueshme se si janë shitur 15 milionë metra katrorë për 5 centë metri”, qahet Ilijazi.
Për këtë ai fajëson po ashtu edhe qytetarët e Ulqinit, të cilët asnjëherë nuk janë organizuar masovikisht që të kenë një qëndrim unik në mbrojtje të pasurisë së Kripores.
“Është dashur të organizohen më shumë protesta, por me mbështetjen e organeve të Komunës. Gjithashtu është dashur të organizohen protesta edhe kur është prishur ‘Galebi’, por edhe në përgjithësi për të gjithë pasurinë e Ulqinit. Hoteli ‘Galeb’ është plaga më e madhe në historinë tonë, një barbarizëm i paparë, një gabim katastrofal, një plaçkitje e bërë me qëllim që të zhduket turizmi jonë. Ai ishte simboli i Ulqinit. Nuk iu mjaftoi ’Galebi’, por rrënuan edhe ‘Lido’-n“ dhe të gjitha objektet e tjera, ku ishin të punësur njerëzit tanë. Por ne jemi shumë popull interesant, nuk dimë të mbrojmë pasurinë tonë. Udhëheqësit tanë bëjnë amin për çdo kërkesë dhe urdhër që vjen nga pushteti qendror, gjithnjë për interesat personale. Ne është dashur dhe duhet të jemi më aktivë, të mos të kemi frikë, duhet të themi jo, kur është nevoja të mbrojmë pasurinë nga ata që na udhëheqin”, shprehet Ilijazi.
Gjatë tërë kohës që ka punuar në Kripore, Ilijaz Beci nuk është marrë me profesionin e vet, por ai thotë se kur mësohet një zanat, nuk harrohet.
“Kur dola në pension, fillova përsëri të merrem me zanatin për të cilin jam shkolluar, e kam pasur dhe ende e kam pasion, më relakson”, shprehet ai.
Mban mend se në komunën e Ulqinit kishte dikur 15 këpucarë, tre prej të cilëve kanë punuar privat në punishtet e tyre, kurse të tjerët kanë punuar në kooperativën “Proleter”.
Kohën e lirë tani e kalon më së shumti në një kafe përballë tregut të gjelbër.
“Çdo ditë dal aty me shokët e mi, pimë nga një kafe, bisedojmë. Pastaj edhe e furnizoj shtëpinë me produkte të ndryshme nga tregu. Kam dëshirë të tregtoj në pazar, sepse aty janë prodhime vendase”, thotë Ilijazi.
Ai ka një porosi për pushtetarët tanë që të jenë më shumë aktivë, më të organizuar, të kenë më shumë kërkesa ndaj pushtetit të Malit të Zi që këtë gjendje ekonomike e cila e ka kapluar komunën e Ulqinit ta përmirësojnë.
“Ky është obligimi i tyre që ua kanë borxh gjeneratave të reja, të luftojnë për një të ardhme më të mirë të rinisë sonë, dhe në fund të fundit të kundërshtojnë nëse duhet veprimet që bëhen kundër Ulqinit, sepse bëhen për qëllime përfitimi”, shprehet Ilijazi.
Ndërsa rininë dhe qytetarët e Ulqinit i porositën që kur të organizohen protesta kundër çfarëdo të keqeje, të marrin pjesë masovikisht dhe t’i kërkojnë të drejtat e tyre.
“Duhet të stimulohet rinia që të jetojë dhe të punojë në Ulqin, pasi që masovikisht po largohet nga shteti, por edhe nga fshati. Nuk është mirë që të gjithë ta braktisin fshatin dhe tokat, të vijnë në qytet dhe në politikë. Rinia duhet ta dinë që ekonominë e Ulqinit e ka shkatërruar pushteti, më parë malazez që ka menaxhuar me dekada, por edhe këta tash. Bile një ministër shqiptar po na e heq edhe statusin e qytetit tonë, me të lashtit në bregun e Adriatikut me një histori 3000-vjeçare”, porosit ai.
Ilijaz Beci ka një vend të veçantë në Ulqin dhe, pa dyshim, është krenaria e fisit të madh Beci. Për mua do të jetë dhe do të mbesë gjithmonë një njëri me një pedigre të veçantë të lindur, i cili me punën dhe veprën e tij ka arritur respekt të madh në qytetin e bukur të Ulqinit.