Akademiku, sociologu, pedagogu dhe politikani, Fehmi Agani, konsiderohej të ishte mendimtari kryesor dhe strategu politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në vitet e 90-ta. Ai përfaqësoi LDK-në në negociatat ndërkombëtare para Luftës së Kosovës 1998-1999, dhe për shkak të ideve dhe angazhimeve të tij për çlirimin e Kosovës, u vra afër Lipjanit nga forcat ushtarake dhe policore serbe më 6 maj 1999.
Fehmi Agani, u lind në një kohë kur varfëria dhe terrori serb mbi popullin shqiptar po bënin kërdi. Rrjedh prej një familjeje patriotike nga Plava, e cila si pasojë e dhunës dhe gjenocidit serb, si mijëra familje shqiptare, detyrohet të lëshojë vendlindjen e të bëhet jabanxhi në tokën e vet. Edhe një nga paraardhësit e tij të shquar, Mulla Agani, qe vrarë e masakruar si pjesëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Të gjitha këto e peripeci të tjera jetësore, lanë gjurmë të pashlyeshme në formimin e karakterit të këtij personaliteti ndër më të merituarit e më të fuqishmit që nxori Kosova.
Fehmi Agani, u lind më 23 janar 1932, në Gjakovë, në një familje tradicionale shqiptare me gjendje të dobët ekonomike. Aty mbaroi shkollën fillore, ndërsa gjimnazin e kreu në Prishtinë. Studimet për filozofi i mbaroi në Beograd në vitin 1959. Po kështu, në Beograd më 1965, i kreu me sukses studimet pasuniversitare në shkencat politike, dhe magjistroi në temën “Participimi i punëtorëve në qeverisjen e ndërmarrjeve në Gjermani”. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë, e mori në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1973, me tezën “Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Fehmi Agani një kohë punoi si profesor i shkollave të mesme në Prishtinë, ndërsa më vonë si gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Rilindja”. Në vitin 1965 u zgjodh ligjërues i sociologjisë në fakultetet e Prishtinës. Në vitin 1967 u zgjodh drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më vonë u zgjodh prodekan dhe dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe Filozofisë, pastaj i Institutit të Sociologjisë, kryeredaktor i revistave “Studia Humanistica” dhe “Thema”. Pas vitit 1981, në valën e diferencimeve ideo-politike (1984), profesor Fehmi Agani u përjashtua nga procesi mësimor. Ai nuk hoqi dorë nga parimet e veta, duke qëndruar gjithnjë në mbrojtje të çështjes kombëtare. Profesor Agani, që nga viti 1993 ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Në saje të përgatitjes teorike nga sociologjia, politologjia dhe filozofia, profesor Fehmi Agani, ishte ndër njohësit më të mirë të rrjedhave shoqërore dhe të proceseve politike në përgjithësi, dhe në botën shqiptare në veçanti. Studimet e tij brilante për teoritë shoqërore, për kombin, vetëvendosjen dhe demokracinë, janë frymëzim dhe armë e fuqishme për gjeneratat e reja dhe të inteligjencës kosovare. Ai gjithnjë me vizionin dhe konceptin e qartë teorik, ishte në funksion të mbrojtjes së kërkesave themelore të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre legjitime, duke e vështruar çështjen e Kosovës dhe mëvetësinë e saj si komponentë të çështjes së përgjithshme shqiptare.
Në procesin e emancipimit social dhe kulturor të popullit shqiptar, akademik Agani, luajti një rol të madh në krijimin, ngritjen dhe pavarësimin e institucioneve shkencore, kulturore e kombëtare të Kosovës, nga Instituti Albanologjik e deri te formimi i Universitetit dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Në duart e profesor Fehmi Aganit, kaluan breza të tërë studentësh dhe nën drejtimin e tij u formuan shumë kuadro shkencore nga disiplina të ndryshme të shkencave shoqërore. Në veçanti, duhet theksuar se profesor Fehmi Agani, luajti rolin vendimtar në formësimin e filozofisë së politikës argumentuese e të padhunshme. Figurë prominente e artikuluese të kësaj filozofie u bë Dr. Ibrahim Rugova, tashmë President historik i Republikës së Kosovës.
Funksionalizimi i këtij tandemi si kreator të një politike me bazament kombëtar dhe me një mbështetje të fuqishme të kreacioneve doktrinare të politikës bashkëkohore, do të bëhen emblema më dalluese e çështjes shqiptare në fund të shekullit XX, që natyrisht mori edhe tipare të tjera në hap me momentin historik.
Shaban Hasangjekaj