
Shumë i nderuari Kryeministër, zoti Dritan Abazoviq. Quhem Hajrullah Koliqi, me origjinë nga Kraja, profesor shumëvjeçar në Universitetin e Prishtinës, tani në pension. Fillimisht, Ju uroj me gjithë zemër zgjedhjen Tuaj për Kryeministër të Malit të Zi. Shpreh simpatinë time për guximin intelektual dhe orientimin Tuaj politik, qytetar, proevropian. Zgjedhja Juaj për Kryeministër të Malit të Zi u bën nder forcave politike progresive në Mal të Zi dhe afirmon pozitën e shqiptarëve në këtë republikë.
Lajtmotivi i kësaj letre të hapur, zoti Kryeministër, është lujtja ime shumë dashamirëse: NA E HIQNI KISHËN ORTODOKSE SERBE NGA RUMIA E SHENJTË! Për këtë kishë serbe në maje të Rumisë, e cila është thellësisht cezaropapiste e hegjemoniste, është folur, diskutuar dhe shkruar shumë. Ju e dini “historinë” e saj (ndoshta më mirë se unë), por më lejoni të theksoj se nuk ka kurrfarë dokumenti që të dëshmojë se në Rumi ka pasë kishë më parë.
Rumia e shenjtë nuk duron as kishë ortodokse serbe apo malazeze, as kishë katolike apo protestane, as xhami, teqe apo objekte të tjera të kultit. Prandaj, Ju lutem, zoti Kryeministër Abazoviq, na e hiqni këtë “kishë të sherrit”, na e lironi këtë mal simbol dhe ekzotik nga përdhosja serbe
Shkencëtarët dhe tradita shumëshekullore dëshmojnë se ajo ka qenë një vend pelegrinazhi pagan. Siç mund ta dini, ideatori dhe shuguruesi i Kishës Ortodokse Serbe (Sveta Trojica) në maje të Rumisë, ishte mitropoliti serbomadh Amfillohije Radoviq, tani i ndjerë. Në marrëveshje me organet shtetërore serbo-malazeze të kohës, ajo kishë “zbriti” nga qielli nëpërmjet një helikopteri ushtarak. Kështu, Rumia në shekuj e lirë dhe e të gjithë njerëzve vullnetmirë, u uzurpua dhe u serbizua në mënyrë djallëzore dhe të jashtëligjshme. Këtë padrejtësi e provoi edhe gjyqi, i cili vendosi, urdhëroi që ky institucion ilegal të hiqet dhe Rumia të çlirohet. Por, çuditërisht organet ligjzbatuese malazeze nuk reaguan fare. Kisha gjithnjë qëndron (tani edhe e përforcuar) për të dëshmuar se “ovo je srpska zemlja” (kjo është tokë serbe).
Rumia e shenjtë nuk duron as kishë ortodokse serbe apo malazeze, as kishë katolike apo protestane, as xhami, teqe apo objekte të tjera të kultit. Prandaj, Ju lutem zoti Kryeministër Abazoviq, na e hiqni këtë “kishë të sherrit”, na e lironi këtë mal simbol dhe ekzotik nga përdhosja serbe. Kjo është, jo vetëm lutja dhe dëshira ime, por edhe e shumë njerëzve të tjerë qëllimmirë, shqiptarë e joshqiptarë (me përjashtim të atyre që synojnë Serbinë “od Beča do Carigrada”). (Nga Vjena deri në Stamboll).
Do të ishte në nderin Tuaj, zoti Kryeministër, që ta ndërmerrni një hap të tillë, natyrisht vetëm në respekt të ligjit dhe të dinjitetit njerëzor. Duke pritur lajmin e mirë, unë Ju uroj seksese të njëpasnjëshme në detyrën Tuaj shtetërore me shumë përgjegjësi! Ju priftë e mbara! Dalshi faqebardhë! I Juaji, Hajrullah Koliqi.
