
“Mbajmë zi për humbjen e një kolegu dhe diplomati të dalluar, ambasadorit Xhon Menzies. Ai ishte një mbështetës besnik dhe i palëkundur i sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës. Në detyrën e tij si diplomat dhe edukues, ai preku aq shumë jetë njerzish dhe ndërtoi ura të përhershme midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës me vendet e Ballkanit dhe Lindjes së Mesme”.
Ambasadori Hovenier e ka fjalën për shërbimin me dinjitet të Xhon Menzies në Bosnje, ku i ndjeri ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në vitin 1996, por edhe në Kosovë në vitet 2001-2002. “Në vitet më të errëta të ditëve tona”, siç u shpreh Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani me rastin e kalimit në amshim të këtij burri të madh të diplomacisë amerikane. Në ngushëllimin përcjellur familjes dhe miqve të ambasadorit Menzies, Presidentja e Kosovës shkroi: “Ai shërbeu në Kosovë në ditët tona më të errëta dhe i përforcoi thirrjet tona për paqe dhe pavarësi”. “Ambasadori Xhon Menzies”, tha në vijim Osmani, ishte, “mik i madh i vendit tonë dhe ish-Shef i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë”, në një kohë të vështirë për Kosovën, përfundon Osmani mesazhin e saj të nguhëllimeve të sinqerta dërguar, në emër të Kosovës, familjes dhe miqve të diplomatit Xhon Menzies.
Të ndjerin Xhon Menzies e kujtoj edhe unë nga vitet e shërbimit tim në Zërin e Amerikës, si dhe nga disa takime në Uashington dhe më vonë në Nju Jork. Ai vinte shpesh i ftuar në intervista për të diskutuar gjendjen në Ballkan, me shërbimet e programeve radio-televizive drejtuar vendeve ballkanike, sidomos shërbimit boshnjak por edhe të tjerave. Diplomati Menzies ishte mjaft i lidhur edhe me komunitetet amerikano-ballkanike, sidomos me shqiptarët dhe me boshnjakët – ndërkohë që edhe merrte pjesë si i ftuar edhe në takime me përfaqësues të këtyre komuniteteve. Kishte marrëdhënie të mira me komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork, veçanërisht gjatë shërbimit të tij në Misionin e SHBA-së pranë OKB-së, ndërkohë që kishte lidhje të ngushta edhe me Presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën.
Në një mesazh lamtumirëse, ish-përfaqësuesi i Ibrahim Rugovës në Zyrën e ish-Senatorit Robert Dole dhe aktualisht Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, z. Elmi Berisha e cilëson ish-diplomatin amerikan në Kosovë, si një “humanist dhe misionar që Zoti u dërgon kombeve të lashta dhe liridashëse”, siç ishin shqiptarët.
Kryetari i Vatrës, sikur po shprehej në emër të të gjithë shqiptarëve që e kanë njohur, dhe atyre që nuk e kanë njohur ish-diplomatin Menzies dhe veprën e tij në mbështetje të interesave dhe të drejtave të shqiptarëve, lirisë dhe pavarësisë që gëzon sot Kosova, duke thenë ndër të tjera: “E deshte shumë Kosovën, Presidentin e saj historik. Ishe më shumë se ambasador në Kosovën e pasluftës, na inkurajoje dhe na jipje shpresa reale se Kosova de fakto është shtet i pavarur, besove dhe punove shumë që kjo të jetësohet! Nga njerëzit e kalibrit Tuaj ndryshohen rrjedhat e politikës, ato shoqërore dhe të historisë. Kështu do të kujtoheni nga shqiptarët dhe Kosova, z. ambasador”, ka shkruar z. Elmi Berisha me rastin e kalimit në amshim të ish-përfaqësuesit amerikan në Kosovën e pasluftës.
Pas daljes në pension nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Xho K. Menzies ka shërbyer në shumë detyra akademike të Shteteve të Bashkuara, përfshirë dekan i Whitehead School of Diplomacy and International Relations at Seton Hall University; në University of California, Berkeley dhe në University of Arkansas.
Z. Menzies ka shërbyer edhe si president i Graceland University in Lamoni, të shtetit Iova (shtator 2002 -gusht 2006). Ish-ambasadori Menzies ishte përgjegjës për regjistrimin e më shumë se 300 studentëve ndërkombëtarë në Graceland University, duke tërhequr shumicën e tyre nga vendet ballkanike.
Në janar të vitit 2006, z. Menzies vizitoi Kosovën për këshillime në lidhje me bisedimet përfundimtare për pavarësinë e Kosovës, bisedime që në atë kohë po mbaheshin në Vjenë. Përveç Kosovës dhe Bosnjës, ai ka shërbyer si diplomat edhe në Hungari, ish-Gjermaninë Lindore dhe në Bullgari. Zyra e Presidentit të Kosovës, në vitin 2014 ka dekoruar z. Xhon Menzies me Medaljen Presidenciale, dekorata më e lartë e shtetit të Kosovës.
Për fat të keq, miqtë e kombit shqiptar të 50-viteve të kaluara duket sikur po zhduken dalëngadalë, sidomos ata nga radhët e diplomacisë dhe të politikës amerikane. Po zhduken ata që në të vërtetë, për pothuaj një gjysëm shekulli, ndërtuan ura midis dy kombeve tona dhe të cilët u qëndruan besnikë dhe të palëkundur lidhjeve historike midis dy popujve tanë.
Pushofsh në paqe Xhon K. Menzies!
