Lufta në Ukrainë dhe distancimi i Shqipërisë nga e keqja

Në një deklaratë të ditëve të fundit, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), shprehet se Ukraina ka nevojë për mbështetje të palëkundur. Absolutisht e vërtetë dhe jam plotësisht dakort me thirrjen e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë. Në deklaratën e KASH theksohet nevoja që “në Samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s të 24 marsit, Amerika e Veriut dhe Evropa kanë një shans historik për të treguar vendosmërinë dhe guximin e tyre të palëkundur për të mbështetur vlerat dhe parimet e përbashkëta që qëndrojnë në themelet e Aleancës së vendeve të lira dhe demokratike”

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Ç’prej fillimit të agresionit rus mbi Ukrainën, Shqipëria në përputhje me qëndrimet e vendeve të tjera të NATO-s, si edhe nepërmjet deklaratave të përfaqësuesit të saj dinjitoz në OKB, ambasadorit të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, z. Ferit Hoxha – Shqipëria, publikisht ka bërë dhe ka thënë gjërat që duhet në bashkëpunim me aleatët perëndimorë, për të ndaluar barbarizmin e Rusisë putiniste në Ukrainë. Ashtu si Perëndimi, edhe Shqipëria gjendet përballë një momenti, në mos historik, atëherë të rëndësishëm për të hequr dorë njëherë e mirë nga flirtimet e rrezikshme me Serbinë putiniste për nisma siç janë “Ballkani i Hapur” dhe “Mini-shengeni ballkanik”.
Shqipëria duhet të hedhë një hap jetik në këtë mes si nismëtare, së bashku me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut – e të ashtuquajturit “Ballkan i Hapur”. Ky projekt, ashtu si ai para tij, “Mini-shengeni ballkanik”, më është dukur gjithmonë si një projekt i pamenduar dhe i pa studiuar mirë, kundër interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve, përfshirë Kosovën. Definitivisht e kam parë si një vegël në interes të Serbisë dhe nepërmjet saj në interes të përhapjes së influencës së Rusisë putiniste në Ballkanin Perëndimor. Prandaj duke pasur parasysh gjendjen në Ukrainë dhe qëndrimin serb ndaj okupimit të atij vendi nga Rusia, si një detyrim moral dhe kombëtar, Tirana zyrtare, publikisht dhe në mënyrë diplomatike duhet të tërhiqet menjëherë nga projekti “Ballkani i Hapur”, të hiqet dorë prej tij si ide dhe si praktikë, dhe kembë e krye të hidhet në shportën eskperimentale të plehrave të historisë ballkanike që historikisht i kanë kushtuar shumë interesave të shqiptarëve në trojet e veta. Madje, Shqipëria duhet të shkojë një hap më tej dhe t’i bëjë thirrje drejtpërdrejtë Serbisë që të bashkohet me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në përputhje me BE-në dhe NATO-n – ndër të tjera, duke vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë putiniste për barabarizmat që po kryen ndaj popullsisë civile të pafajshme në Ukrainë.
Vërtetë duke mos u tërhequr nga nisma serbo-ruse, “Hallkani i Hapur” dhe duke mos i kërkuar Serbisë – i vetmi vend evropian së bashku me Bjellorusinë që refuzon sanksionet, që të distancohet nga Rusia, Tirana zyrtare nuk është në përputhje as me thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian drejtuar Serbisë që të bashkohet me sanksionet perëndimore kundër Rusisë, si një ndëshkim për invadimin e një shteti sovran e demokratik evropian nga Moska. Bile, është bërë thirrje për ndëshkimin e Serbisë në lidhje me këtë çështje, kurse disa deputetë të Parlamentit Evropian kanë bërë thirrje që të ndalohen përkohësisht bisedimet me Serbinë, si dhe të ndërpriten ndihmat financiare për aleatin e ngushtë të Rusisë në Ballkan – Serbinë, përderisa ai vend nuk ndjekë dhe nuk zbaton qëndrimet e BE-së në lidhje me Rusinë.
Serbia i ka hedhur poshtë thirrjet e perëndimorëve për t’iu bashkuar sanksisoneve kundër Rusisë, me justifikimin, sipas Presidentit serb Vuçiq, se vendimi i Serbisë kundër sanksioneve ishte i drejtë “për arsye se Rusia mbështet përpjekjet e Serbisë kundër Kosovës dhe pretendimet (e Beggradit) mbi Kosovën”. Deklarata e Vuçiqit është e qartë. Qëndrimet dhe lidhjet e Serbisë me Rusinë kanë qenë historikisht dhe janë aktualisht, qartësisht dhe vendosmërisht antishqitare. Unë nuk e kuptoj se cili shqiptar mund të presë ndonjë të mirë nga Beogradi për interesat shqiptare! Unë nuk e di se çfarë arsyeje tjetër kërkon Tirana zyrtare që nuk largohet menjëherë nga nisma “Ballkani i Hapur”, me Serbinë. Deklarata të tilla si kjo e Vuçiqit, duhej ta kishin distancuar me kohë Shqipërinë nga Serbia dhe jo ta afronin më ngusht duke lenë jashtë gjysmën e kombin.
Në një kohë kur nuk ishte në “modë”,10-15 vite më parë, që me modesti kam paralajmëruar mbi influencat e huaja (ruse, kineze dhe turke) në Ballkanin Perëndimor e sidomos në trojet shqiptare. Madje edhe më kanë kritikuar se “ora jote ka ngelur në luftën e ftohtë”.
Sidoqoftë, sot çdo gjë është e qartë. Ky nuk është vetëm mendimi im, por i shumë të tjerëve. Tani nuk është diçka sekrete se Rusia putiniste me agresionin e saj kundër Ukrainës ka ndërmend të shkojë përtej kësaj zone gjeografike, përfshirë Ballkanin (politika ‘near abroad’ e Rusisë që u referohet ish-shteteve anëtare të Bashkimit Sovjetik), me “diplomacinë e saj mashtruese”, siç është shprehur kohët e fundit edhe ish-ministri i Jashtëm i Rusisë, Andrej Kozirev, për të përhapur influencën e saj – politike, ekonomike dhe ushtarake përfshirë Ballkanin Perëndimor.
Sot Shqipëria në qoftë se dëshiron të jetë e besueshme, serioze dhe e vendosur për ato që thotë në entet ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara në lidhje me agresionin rus në Ukrainë, atëherë Tirana zyrtare duhet të distancohet pa vonesë nga “Ballkani i Hapur”, por edhe duke i bërë thirrje Serbisë t‘u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Vetëm një hap i tillë i bën deklaratat e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës të jenë në përputhje me vlerat e shteteve aleate perëndimore.
Të parët tanë na kanë paralajmëruar më shumë se një shekull më parë: kujdes këlyshët e Rusisë! Ka ardhë koha që kombi shqiptar të zgjohet përfundimisht nga gjumi shekullor dhe të distancohet, njëherë e mirë, nga majtizmi sllavo-bolshevik ndërkombëtar dhe nga bolshevizmi liberal i brendshëm. Distancohuni nga këlyshët e Rusisë para se të jetë tepër vonë. Ku tjetër po ringjallet Stalini veçse në Rusinë bolsheviko-fashiste dhe në Shqipërinë bolsheviko-liberale?! Shqipëria në “Ballkanin e Hapur” po fle me djallin. Distancohuni nga e keqja!

Të fundit

më të lexuarat