
Ndonëse më 6 mars në Shqipëri u mbajtën zgjedhje të pjesësshme vendore në gjashtë bashki: Shkodër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë e Dibër, nuk ndodhi ndonjë befasi, sepse çdo gjë doli sipas parashikimeve. Nga numri i përgjithshëm i bashkive, pesë prej tyre i fitoi Partia Socialiste, ndërsa Shkodrën “Shtëpia e Lirisë”, përkatësisht krahu i Sali Berishës, i ish PD-së.
Refuzimi nga qytetarët
Në këto zgjedhje të pjesshme vendore, bie në sy pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në votime. Një dukuri e tillë nuk është befasuese, sepse procesi i votimit ka kohë që refuzohet nga qytetarët. Kjo shpjegohet nga pakënaqësia me gjendjen ekonomike, përkatësisht zhgënjimi nga partitë politike, si dhe nga emigrimi i shqiptarëve në botën e jashtme. Por, nuk duhet të harrojmë se më së shumti janë të demoralizuar Demokratët, të cilët nga përçarja kanë refuzuar të dalin në zgjedhje. Sipas të dhënave të publikuara, pjesëmarrje më të ultë në zgjedhje kishte në Bashkinë e Durrësit 26.27%, Shkodrës 29.11%, Rrogozhinë 30.95%, ndërsa më tepër kishte në Lushnjë 35.96%,Vorë 40.33% dhe Dibër 43.35%.
Nëse krahasojmë daljen në votime me zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 25 prill 2021, ajo ishte ishte më e ultë nga 15-25%, dëshmi e refuzimit nga eletorati për subjektet politike konkuruese.
Vetëm Shkodra votoi të Djathtën
Bashkia e Shkodrës në total kishte 250 qendra votimi. Në tri nuk u zhvillua procesi i votimit. Fjala është për zonat e thella malore, si rezultat i reshjeve të borës dhe të pamundësisë praktike që popullsia të votojë aty. Kështu nga 247 qendra votimi, Bardh Spahia i “Shtëpisë së Lirisë” mori 20.125 vota ose 43.7%. Më pas u rendit Majlinda Angoni nga PS me 18.205 vota (39.5%) dhe kandidati i PD, Xhemal Bushati me 7.749 vota(16.8%). Duke marrë parasysh se numri i votusve i tre qendrave të votimit është më i vogël se ndryshimi në mes kandidatëve të parë dhe të dytë, e që nuk do të ndikojë në rezultatin përfundimtar, del se Bardh Spahia është kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Shkodrës.
Pavarësisht nga ndarja në PD, të Djathtët fituan në Shkodrën, duke dëshmuar se Socialistët këtu do të vazhdojnë në opozitë, pavarësisht se udhëheqin me pushtetin qendror.
Nga ana tjetër, në pesë bashki të tjera Socialistët fituan bindshëm, duke dëshmuar se fitorja në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 nuk ishte rastësi. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe se ata aty ishin në pushtet që i favorizonte në krahasim me Demokratët.
Vazhdon rënia e Partisë Demokratike
Eshtë përshtypje e përgjithshme se mospjesëmarrja e PD në zgjedhjet vendore në vitin 2019, ishte një veprim i dështuar politik, sepse ia mundësuan PS të marrë pushtetin vendor në tërë Shqipërinë. Ndërsa largimi i deputetëve nga Parlamenti më pas dëshmoi dështimin e radhës, që u përcaktua në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 25 prill 2021.
Humbja e tillë e radhës, paraqiti pakënaqësi të elektoratit demokrat, që arriti kulmin me largimin e deputetit Sali Berisha nga grupi parlamentar me arsyetimin se është shpallur “person non grata” nga SHBA-ja. Nga ai moment turbulencat politike morën kahje tjetër, sepse Sali Berisha doli në skenë me “Foltoren”, duke ofruar rreth vetes një numër të konsideruar idhtarësh e militantësh partiakë. Takimet e mbajtura anekënd Shqipërisë, dëshmuan se Sali Berisha kishte mbështetje politike, por pritej momenti që të dëshmohej në praktikë.
Dhe ishin zgjedhjet e pjesshme vendore më 6 mars, që ofruan mundësinë për të dëshmuar se cila pjesë e PD-së ka me tepër mbeshtje të elektoratit.
Në pamundësi që të paraqitet nën siglën e PD-së, sepse ajo zyrtatisht është legale nga ana e Lulzim Bashës, grupi i rithemelimit të PD-së i cili mbeshtet Sali Berishën, u paraqit me siglën “Shtëpia e Lirisë” e cila ishte e regjistruar nga LSI dhe PDK. Votimet e 6 marsit dëshmuan se “Shtëpia e Lirisë” kishte mbeshtetje më tepër sesa PD, duke dëshmuar me votë se ata janë Demokratët autentikë, që paraqet moment të veçantë në skenën politike në Shqipëri.
Demokratët kërkojnë përgjegjësi
Pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 marsit, deputetët e Demokratëve u takuan në një mbledhje urgjente ku u diskutua për zgjedhjet, duke kërkuar nga kryedemokrati që të marrë përgjegjësinë dhe të zgjidhë situatën. Sipas informacioneve, bëhet me dije se një numër i konsideruar i deputetëve janë shprehur se kryetari i partisë është përgjegjësi kryesor për humbjen, dhe si i tillë Basha duhet të mbajë përgjegjësi, madje duke kërkuar edhe dorëheqjen e tij. Nga gjendja e krijuar kanë paraqitur dorëheqjen dy nënkryetarët e PD, si dhe anëtarë të kryesisë së saj, që paraqet situatë të re e cila do të reflektojë në gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për Demokratët në favor të opozitarizmit dhe pluralizmit politik në Shqipëri.
Vetëm një riorganizim apo rizgjedhje, me kuadro të dëshmuar, pa hipotekë nga e kaluara, duke vlerësuar profesionin e meritokracinë do të jetë në favor të Demokratëve të cilët duan një PD të bashkuar, konkurrente në skenën politike e jo të ndarë, sepse si e tillë është në favor të pushtetit aktual.
Test për elektoratin
Pavarësisht se këto zgjedhje ishin të pjessshme, ishte ky një test për të parë se ku qëndron elektorati demokrat, i cili del qartë se është i zhgënjyer nga pozita aktuale e opozitës, çështje e cila mbetet për diskutim jo vetëm për momentin, sepse një opozitë e përçarë është në favor të pushtetit. Këto zgjedhje do të jenë të afatizuara vetëm për një vit, sepse në vitin vijues do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme vendore, është kohë e mjaftueshme për ndryshime brenda vet opozitës, nëse mendojnë të sfidojnë pushtetin aktual.
