
Se Mali i Zi është mjedis i pakonsoliduar politikisht, dëshmon konstatimi se në ditën e votëbesimit të Qeverisë, kryeministri Zdravko Krivokapiq, mbajti mbledhjen elektronike të Qeverisë, duke marrë vendime me rëndësi për qytetarët me shtetësi të huaj. Fjala është kryesisht për qytetarët me prejardhje nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina e Rusija, të cilët vite me parë janë vendosur në këtë vend, duke marrë përmasa të mëdha pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë (1991) e më pas.
Sipas të dhënave të mëhershme nga Ministria e Punëve të Brendshme, në Mal të Zi jetojnë 63.746 qytetarë të huaj, prej të cilëve 30.930 iu është lejuar statusi i të huajve me qëndrim të përhershëm, sepse me vite jetojnë në Mal të Zi dhe potencialisht mund të fitojnë statusin e shtetësisë, ndërsa 32.816 individëve iu lejohet qëndrimi i përkohshëm në Mal të Zi.
Ndryshimi në strukturën nacionale
Vendimi i tillë i marrë nga kryeministri Krivokapiq në mbledhjen e Qeverisë në mënyrë urgjente, vlerësohet si i qëllimshëm i cili në mënyrë artificiale do të ndikojë në ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë në Mal të Zi. Duke marrë parasysh faktin se numri i shtetasve të huaj që presin të marrin shtetësinë malazeze i përkasin kombësisë serbe, ata gjithashtu do të jenë përcaktues në mbeshtetje të subjekteve politike proserbe.
Në favor të këtij konstatimi shkon edhe e dhëna nga CEMI, të cilët parashikojnë se në pesë vitet e ardhshme në Mal të Zi do të aplikojnë nga 25.000 – 28.000 shtetas të huaj për të fituar shtetësinë malazeze, e me këtë edhe të drejtën në regjistrin zgjedhor. Duke marrë parasysh raportet në mes popujve shumicë në këtë mjedis (malazezëve e serbëve), del qartë se një gjë e tillë do të ndikojë në strukturën e tyre në kuadër të popullsisë së përgjithshme.
Politizimi i shtetësisë
Nëse supozojmë hipotetikisht se nga ky numër për dy vite do ta fitonin shtetësinë malazeze rreth 20.000 shtetas të huaj, që janë kryesisht serb, atëherë numri i deputetëve proserb do të rritej për katër deputetë. Do të ishte ky numër i mjaftueshëm për të qenë përcaktues në fitorën e shumicës parlamentare, nëse për bazë merret raporti aktual i deputetëve në mes pozitës e opozitës. Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një mjedis me skenë politike të polarizuar, çdo ndryshim numerik ndikon në strukturën e elektoratit, përkatësisht në rezultatin përfundimtar, ku si dëshmi kemi raportin e pozitës dhe opozitës në zgjedhjet e 30 gushtit 2020, e cila diferencën e kishte për një mandat deputeti.
Sfidat e Qeverisë së re
Në saje të reagimeve të shumta, del qartë se Qeveria e re e cila do të formohet së shpejti e do të përballet me sfida të mëdha, sepse nga ajo do të kërkohet të aaulojë vendimin e Qeverisë të datës 4 shkurt, ngase është me pasoja për Malin e Zi. Madje, ekziston ideja e ngritjes së padisë penale ndaj ish-kryeministrit Zdravko Krivokapiq për shkelje të procedurës dhe ligjshmërisë në lidhje mbi këtë çështje. Mbetet të pritet të formohet Qeveria e cila është emërtuar si qeveri e pakicës, si dhe gatishmëria të merret me këto çështje që cilësohen të kontestuara, ku duhet të vendoset me profesionalizëm dhe ligjshmëri. Derisa Qeveria e re të formohet, nuk ka dilemë se një numër i konsideruar i shtetasve të huaj që i plotësojnë kushtet formale do të marrin shtetësinë malazeze, e cila iu është mohuar vite më radhë për motive politike.
Rikujtojmë me këtë rast se sipas të dhënave të përgatitura më parë nga CEMI, se në saje të Ligjit për shtetësinë malazeze, është lejuar marrja e saj për rreth 31.000 shtetas të huaj për 15 vite, që përbëjnë rreth 5% e popullsisë së përgjithshme në Mal të Zi. Ndërsa sipas Ligjit për të huajt, sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, janë dhënë leje për 30.052 shtetas me qëndrim të përhershëm dhe 29.042 me qëndrim të përkohshëm.
Shtetësia sipas ligjit e normave ndërkombëtare
Pasi vendimi për marrjen e shtetësisë malazeze është botuar në Gazetën zyrtare më 11 shkurt, ndërsa ka hyrë në fuqi më 19 shkurt, sipas informacioneve nga ditët e para kërkesë për shtetësi kanë paraqitur një numër i konsideruar i shtetasve të huaj. Një veprim i tillë nuk paraqet befasi, sepse ata kanë pritur vite me radhë, edhe pse këtu kanë jetuar e punuar, por pa të drejta si qytetarët e tjerë. Ndërsa tash janë krijuar rrethana të tjera, duke u barazuar me qytetarët e tjerë në Mal të Zi. Nëse në ndërkohë nuk ka ndonjë reagim nga Qeveria e re e cila do të formohet së shpejti, marrja e shtetësisë së tyre do të ndikojë në strukturën e përbërjes etnike të popullsisë në Mal të Zi, si dhe do të ndryshojë regjistrin zgjedhor në favor të partive politike proserbe.
Përfundimisht në lidhje me këtë çështje përgjegjësi nuk ka Qeveria aktuale apo ajo që do të formohet së shpejti, por e Qeveria paraprake e cila për tridhjetë vite në pushtet nuk është angazhuar për ta zgjidhur këtë çështje sipas ligjit në fuqi dhe normave ndërkombëtare, por e kanë trajtuar sipas interesit të tyre politik.
