
E pabesueshme, por e vërtetë. Jo, more jo, për këtë situatë, nuk ka faj Erdogani, i cili nuk e fsheh kurrë urrejtjen e tij për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Fajin e kanë vetë shqiptarët, Qeveria në Tiranë, shteti shqiptar, Ministria e Kulturës, Bashkia, e ku ta di unë. Të gjithë duhet të turpërohen, në qoftë se kanë fytyrë! Lexon njeriu një lajm të tillë, se në çfarë gjëndje të shëmtuar gjendet Memoriali i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Lezhë dhe bën pyetjen: Kush janë këta njerëz në krye të kombit shqiptar që lejojnë një gjë të tillë në “kompleksin arkelogjik”, në vendvarrimin e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut? Nga vinë këta njerëz “liderë” të kombit, nga e kanë origjinën, që lejojnë shkombëtarizimin dhe zhdukjen dalëngadalë të identitetit kombëtar? Interesave të kujt i shërbejnë këta njerëz që nuk çajnë kokën për dukuri të tilla, si ajo në Lezhë? A ekziston ndonjë gjë e shenjtë për ta në historinë dhe kulturën shqiptare, që duhet mbrojtur. Fati i keq i monumenteve historike dhe kulturore, anembanë Shqipërisë, tanimë dihet. Harroje Gjergj Fishtën, Nënë Terezën e monumente të tjera, shumë prej tyre të shpallura “monumente kulture”, të mbrojtura pra me ligj nga qeveria shqiptare, por që mbrojtje nuk kanë.
Por se do i vinte radha edhe kompleksit arkeologjik tek monumenti dhe vendvarrimi i heroit kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Lezhë, është vështirë të merret me mend ose të besohet. Është vështirë, që nga larg të mësohet e vërteta se në çfarë gjëndje është dhe ç’po ndodhë rreth Memorialit të Skënderbeut në Lezhë, pasi mediat e oborrit nuk flasin, as nuk shkruajnë.
Por nga një kronikë në Syri TV mësova se për vite të tëra, vizitorët vendas dhe të huaj, si edhe vetë banorët e asaj zone, përdorin Memorialin e vendvarrimit të kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, për të kryer nevoja personale, pasi kompleksi arkeologjik përreth vendvarrimit të Skënderbeut nuk është i rrethuar. Sipas kronikës së Syri TV, asnjë ent qeveritar nuk ka reaguar për këtë situatë të turpshme në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë – përveç Avokatit të Popullit, megjithëse kronika e Syri TV nuk thotë se çfarë tha zyra e Avokatit të Popullit për këtë situatë të turpshme kombëtare, as nuk pati ndonjë pasqyrim as reagim në media.
Por entet qeveritare që janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës, ku bën pjesë edhe Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, sipas gazetarit të Syri TV, Martin Markut, “Bashkia apo Ministria e Kulturës, nuk kanë marrë ende masa për të parandaluar atë që qytetarët e cilësojnë si turp për Lezhën”. Unë do të shtoja se kjo gjendje e krijuar atje, nuk është vetëm turp për Lezhën, por është turp edhe për Shqipërinë, për qeverinë e saj dhe për Ministrinë e ashtuquajtur të “Kulturës”, që nuk kujdeset as nuk jep fondet, ndërkohë që as nuk tregon vullnetin as interesimin për tu kujdesur për mirëmbajtjen e vendvarrimit të shpëtimtarit të kombit, Gjergj Kastriotit- Skënderbut. Dihet se Monumenti i Gjergj Kastriotit në Lezhë është një prej vendeve më të vizituara nga shqiptarët anembanë botës, por edhe nga evropianë dhe turistë të rajonit. Prandaj është vështirë të merret me mend se kush janë ato mendje të ndritura të “kulturës” në qeverinë shqiptare që kanë lejuar që ky monument, tërheqës për turistët, të bie në këtë gjëndje të turpshme dhe të mjerueshme? Kush janë ata njerëz përgjegjës për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës në Tiranë dhe në Lezhë, dhe pse duan që duke lenë në harresë vendin më të shenjtë të kombit, t’u tregojnë vizitorëve të huaj këtë pasqyrë të shëmtuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve?
TV Syri njofton në kronikën e para disa ditëve se edhe pas një kronike të transmetuar disa javë më parë nga ky televizion, dhe pas vërejtjes së bërë nga Avokati i Popullit, institucionet përgjegjëse, sidomos Ministria e Kulturës, me qëndrimet e saj arrogante për mospërkujdesjen ndaj monumenteve kulturore dhe historike, një arrogancë për të cilën ajo ministri është e njohur tanimë për disa vite, nuk kanë marrë asnjë masë, për të ndërhyrë. Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë, Paulin Zefi tregon edhe se e kujt është përgjegjësia për këtë situatë.
Sipas një kronike tjetër mbi këtë subjekt, disa javë më parë të Syri TV thuhet: “Në mungesë të banjove publike, qytetarët iu drejtohen mureve antikë për të kryer nevojat e tyre personale, duke degjeneruar në këtë mënyrë vlerat historike të këtij qyteti 2400-vjeçar. Ata thonë se mungesa e banjove publike në qytet është problem mjaft shqetësues, ndaj Bashkia duhet të ndërhyjë për zgjidhjen e kësaj maskarade”. Me të drejtë, sipas Syri TV, shumë turistë ngelin të tmerruar me ato pamje që shikojnë në një zonë të tillë arkeologjike. Pavarësisht se ky problem vijon prej vitesh ende nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare, thuhej në kronikën e transmetuar në Syri TV, disa javë më parë.
Në atë kronikë të Syri TV theksohet: “Si në rrallë zona të tilla, kompleksi arkeologjik i Lezhës është pa mur rrethues, duke i lënë mundësinë kujtdo të futet në të lehtësisht, për të kryer nevojat personale, por edhe duke i shkaktuar dëmtime zonës historike. Ndërkohë që deri në qartësimin se e kujt është përgjegjësia për mbrojtjen e këtij monumenti, si dhe ndërtimin e një banjoje publike në Lezhë, Memoriali i heroit tonë kombëtar, duket se do të shërbejë ende si nevojtore”, ka përfunduar kronikën nga Lezha, Syri TV.
E gjithë kjo pasqyrë e shëmtuar për botën ndaj kujtesës së heroit kombëtar dhe kulturës shqiptare, në përgjithësi, për mungesën e një muri rrethues dhe një nevojtoreje publike! Diçka vërtetë nuk është në rregull me atë vend. Ndërsa në Tiranë, shemben shtëpitë e shqiptarëve duke i hedhur në rrugë të madhe në pikë të dimrit, për t’i lënë vend e hapësirë ndërtimit të pallateve të larta për interesa të errëta kriminale financiare, Qeveria e Shqipërisë nuk gjenë dot fondet për ndërtimin e një muri të thjeshtë rrethues të Memorialit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe të kompleksit arkeologjik përreth tij në qytetin e lashtë, Lezhë.
Turp e marre të kini, kushdo qofshi ju, duke filluar nga Kryeministri, Ministria e Kulturës, si dhe e ashtuquajtura opozitë politike në Parlament, shoqëria civile, por sidomos mediat që duhet të jenë sytë dhe veshët e shoqërisë, që heshtin përballë një koritjeje e të tillë kombëtare. Ju të gjithë jeni përgjegjës për këtë situatë të shëmtuar, për këtë koritje kombëtare! Është arroganca juaj, moskujdesja dhe mosrespekti juaj ndaj heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ndaj historisë, identitetit dhe kulturës kombëtare të shqiptarëve, në përgjithësi. Por, eshtë edhe heshtja juaj ndaj dukurive të tilla, që vendin më të shenjtë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kompleksin arkeologjik dhe vendvarrimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Lezhë, e keni kthyer në një nevojtore publike!
