Duke marr parasysh zhvillimin e hovshëm të teknologjisë moderne, në radhë të parë, të komunikimit masiv nga fillimshekulli XXI, i cili për një periudhë të shkurtër ka arritur një shtrirje gjigande anembanë globit, fusha mediatike ka dalë në ballë të ruajtjes dhe avancimit të vlerave pa të cilat bota e sotme moderne as që mund të imagjinohet. Janë të shumta rastet dhe shembujt në favor të pohimeve të ngjashme, por nëse i referohemi rolit të mediave në përballjen më të re të njerëzimit, përballjen me Kovid-19 e që ka shkaktuar pandeminë globale, shtrirja e informacioneve në kohë reale, jo vetëm që ka sensibilizuar opinionin më të gjerë botëror, por e ka shpëtuar atë nga pasojat shumë më të thella dhe më afatgjata, prej nga kthimi do të ishte më i komplikuar.
Përmes kësaj hyrjeje të shkurtër, sa për të ilustruar rolin e mediave në “shpëtimin e demokracisë”, sidomos sot kur ajo është e rrezikuar nga fenomene të shumta, siç janë korrupsioni, abuzimi me fondet publike, diskriminimi mbi baza etnike, gjinore, profesionale e kështu me radhë, mediat janë ato që duhet të jenë në vijën e parë për të luftuar këto dukuri, duke filluar nga niveli lokal. Por sa është arritur kjo te mediat në gjuhën shqipe në Malin e Zi?
Në përballje me realitetin, vështirë se mund të jemi të kënaqur me vlerësimet nga raportet e institucioneve ndërkombëtare, të cilat në mënyrë të paanshme vëzhgojnë progresin e përgjithshëm në vendin tonë. Në nivelin lokal situata paraqitet edhe më e pakënaqshme. Në veçanti, në mjediset ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët në Malin e Zi, është tepër evidente mungesa e mediave të cilat raportojnë për shkeljet dhe abuzimet e zyrtarëve publik, të vendimmarrësve vendorë apo faktorëve të tjerë publik brenda spektrit politik shqiptar.
Së fundmi vihet re edhe tendenca e personave të caktuar që ushtrojnë funksione publike për të imponuar dhe ndryshuar qasjen e perceptimit të gazetarëve mbi realitetin në komunitet, në varësi të interesit të pushtetit. Në shumë raste, ata vetë nuk kanë mundësi të luajnë rolin e tyre si media dhe të monitorojnë qeverisjen vendore, por edhe afera të ndryshme që mund të ndodhin nga akterë të ndryshëm social.
Madje, edhe kur cenohet interesi publik, media lokale e ka të vështirë të raportojë për çështje që prekin interesat e ngushta të individëve, për shkak të njohjeve të njerëzve me njëri-tjetrin, lidhjen e interesave të tyre dhe të akterëve të ndryshëm politik. Nga ana tjetër, ata bëhen palë me qeverisjen vendore dhe promotorë të aktiviteteve të pushtetit në qytetet ku operojnë.
Pra, në mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi vështirë mund trajtohen çështjet me interesin më të gjerë publik, por duke ndjekur qasjen kritike ndaj ndonjë problemi të caktuar, qoftë ai edhe tejkalimi i kompetencave zyrtare, abuzimi me autoritetin i politikanit shqiptar, shkelja e kodit të etikës, nepotizmi, keqtrajtimi dhe diskriminimi në punë, si dhe çështje të tjera të ndjeshme. I tillë ishte rasti i kontestit gjyqësor midis qeverisjes vendore të Tuzit dhe zyrtarit të punësuar në këtë administratë, për të cilin mediat lokale në Malësi heshtën plotësisht. Ndërkaq, mediat malazeze dhe ato nga rajoni, pikërisht këtij rasti i kushtuan hapësirë të mjaftueshme mediatike.
Po ashtu, nga mediat malazeze, qofshin ato elektronike apo të shkruara, mësojmë për kërkesa dhe reagime nga më të ndryshmet për problematika të shumta të banorëve dhe drejtuesve të bashkësive lokale në Malësi të cilat iu adresohen vendimmarrësve në Komunën e Tuzit, kurse të njëjtat çështje në mediat lokale as që merren parasysh. Shembujt janë të shumtë dhe do të ishte me interes përgjigjja në pyetjen se përse ndodhë kjo dukuri? Pra, përse mungon mendimi kritik ndaj shkallës së parë të pushtetit me të cilin banorët janë të lidhur drejtpërdrejtë?
Për shembull, mediat lokale do të duhej të raportonin edhe për nivelin e transparencës së punës të administratës vendore në Tuz, e cila nga marsi i vitit 2019 asnjëherë nuk ka mbajtur qoftë edhe një konferencë me gazetarë. Informacione të tilla mediat tradicionale mund të marrin edhe nga e ashtuquajtura “gazetaria qytetare”, e cila në mënyre të vazhdueshme denoncon rastet e mungesës së llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e vendimmarrjes. Këto konstatime më së miri i ilustron edhe hulumtimi i agjencisë „Damar“ dhe CRNVO, të cilat në pyetjen „Sa shpesh merrni pjesë në diskutime publike të organizuara nga Komuna e Tuzit”, 86.4% e të anketuarve janë përgjigjur asnjëherë, ndërsa vetëm 13.6% rrallë.
Nëse i referohemi Statutit të Komunës së Tuzit, respektivisht kapitullit XIII të Statutit “Puna e hapur dhe transparenca” (nenet 163 dhe 164), mund të vërejmë qartë se, me qëllim të sigurimit të punës së hapur dhe transparencës në punë të organeve të Komunës së Tuzit, drejtuesit e saj (Kryetari i Kuvendit, Kryetari i Komunës dhe Kryeadministratori) “janë të obliguar që së paku njëherë në tre muaj, përmes mediave lokale ose në mënyrën tjetër adekuate të informojnë qytetarët me aktivitetet e organeve në të kaluarën dhe aktivitetet e planifikuara për periudhën e ardhshme”. Kjo jo që nuk realizohet, por as që kemi parë ndonjëherë që Kryeadministratori i kësaj komune të shpalos publikisht punën e tij të deritashme e aq më pak planet për të ardhmen.
Gjithashtu, ky kapitull parasheh që organet e administratës duhet të sigurojnë informimin e rregullt të publikut mbi punën e organeve të Komunës, të publikojnë rregullisht raporte në media, të publikojnë informatorë mbi punën e organeve që përmbajnë informata që kanë interes të drejtpërdrejtë për qytetarët, etj.
Të gjitha këto obligime që burojnë nga Statuti i Komunës, duket se në praktikë nuk realizohen ashtu siç duhet dhe kjo padyshim ulë nivelin e hapjes dhe transparencës së Komunës së Tuzit.
Në vendet në tranzicion siç është edhe Mali i Zi, komunikimi masiv dhe bashkësia mediatike numerikisht është më e madhe se kurdoherë më parë, në të njëjtën kohë edhe pritshmëritë e opinionit të gjerë nga mediat dhe roli thelbësor i tyre janë më të mëdha.
Përvoja na mëson se mungesa mendimit kritik në media, reflektohet në fusha të shumta dhe shpesh me pasoja afatgjata. Në nivelin lokal, dukuritë e ngjashme janë edhe më të ndjeshme andaj edhe luftimi i tyre duhet të jetë shumë më energjik, duke filluar nga emërtimet dhe mbishkrimet e ndryshme të cilat duhet të jenë të shkruara qartë, korrekt dhe mbi të gjitha, gjuhësisht drejt. Konkretisht, kohëve të fundit disa emërtime shkruhen ashtu si nuk duhet (kur bëhet fjalë për përdorimin e dygjuhësisë) dhe kjo ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale për dallim nga mediat lokale.
Demokracia u ka mbijetuar të gjitha sfidave të kohës falë mbështetjes nga bashkësia mediatike andaj, edhe në këto hapësira duhet mbështetur fuqishëm punën profesionale të tyre, në radhë të parë, për të ndihmuar vendimmarrësit në transparencën gjatë ushtrimit të pushtetit.
Mungesa e mendimit kritik ndaj dukurive të ngjashme, jo se i kënaq autorët e veprimeve të tilla por fiton përshtypjen se, sigurisht, “veprohet drejt”. Pushteti vendor, në përbërjen e të cilit ndodhen profesionistë të profileve të ndryshme, duhet të jetë i pari në krye të kultivimit dhe promovimit të vlerave në shërbim të së mirës së përbashkët. Mungesa e mendimit kritik, dëmton rrugëtimin e mëtejshëm drejt një imazhi të duhur të gazetarisë, sidomos në bashkësitë më të vogla prej nga fillon edhe “rruga më e gjatë”.
Në nivelin lokal, sikur edhe atë më të gjerë, ekzistimi dhe funksionimi i shoqërisë civile, është sa i nevojshëm po aq domethënës për të plotësuar boshllëkun të reflektuar nga institucionet përkatëse.
Nëse mediat, përveç informimit dhe përafrimit të jetës kulturore, ekonomike, arsimore, sportive, publike etj, do t’i përkushtoheshin edhe avancimit të debatit, zhvillimit të mendimit kritik, hapësirës për mendimin ndryshe, padyshim që në këtë mënyrë do të nxisnin interesim më të gjerë tek publiku për pjesëmarrje në vendimmarrje.
Kuptohet se në kohën e sotme të terminologjisë moderne, të diktuar në radhë të parë nga teknologjia e informacionit dhe sistemi bashkëkohor i vlerave, secili mund të japë një definicion për çështje të caktuara, ngjashëm edhe për gazetarinë dhe rolin e saj në bashkësinë e gjerë. Por, kuptohet se definicioni më i drejtë duhet të vijë nga vet liria e mediave, të cilën duhet ta dëshmojnë me punën në shërbim të publikut, për të mirën e përgjithshme.
Ky shkrim publikohet në kuadër te projektit “Parandalimi i Korrupsionit dhe Promovimi i Pjesëmarrjes Qytetare” i mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL). Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk përfaqëson medoemos pikëpamjet apo qëndrimin e donatorit.