
Rrjetet sociale kanë nxjerrë në sipërfaqe një realitet të pakëndshëm: një gjuhë publike të varfër, të ngarkuar me vulgaritete dhe fyerje, ku debati shpesh zëvendësohet nga sharjet.
Rrjetet sociale nuk e krijuan krizën e gjuhës publike – ato vetëm e bënë të dukshme. Ajo që sot shfaqet në postime dhe në komente si agresivitet, varfëri shprehjeje dhe mungesë argumenti ka rrënjë shumë më të thella historike.
Pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët hynë në epokën moderne me një nivel ekstrem të analfabetizmit, ndër më të lartit në Evropë. Sipas të dhënave të kohës, analizave të mëvonshme të UNESCO-s dhe studimeve të ndryshme demografike, vlerësohet se në Shqipëri rreth 80% e popullsisë së rritur ishin analfabetë. Në Kosovë, sipas të dhënave të regjistrimeve jugosllave të vitit 1948, analizave të mëvonshme të Bankës Botërore dhe sipas metodologjisë së UNESCO-s, vlerësohet se kjo shifër ishte rreth 70-75%. Edhe në zonat e banuara nga shqiptarët në Malin e Zi, analfabetizmi ishte shumë i lartë, shpesh mbi 60%, ndërsa te gratë edhe më i theksuar.
Këto nuk janë thjesht numra – ato përfaqësojnë një realitet shoqëror të formuar gjatë shekujve. Një shoqëri kryesisht rurale, me qasje të kufizuara në arsim, e formuar nën një sistem shumëshekullor ku arsimi nuk u zhvillua si institucion publik për masat. Si pasojë, breza të tërë hynë në jetën moderne pa bazat e kulturës së shkrim-leximit.
Fushatat e alfabetizimit pas vitit 1945 e ndryshuan këtë gjendje në aspektin formal. Miliona njerëz mësuan të lexojnë e të shkruajnë. Por, alfabetizimi teknik nuk është identik me ngritjen kulturore. Sot kjo mungesë shfaqet hapur në rrjetet sociale. Gjuha reduktohet në slogane, debati në fyerje, ndërsa mendimi kritik zëvendësohet me reagim impulsiv. Nuk kemi të bëjmë vetëm me problemin individual, por me një model kolektiv komunikimi të formuar në kushte historike të mungesës së arsimit.
Pra, brutaliteti i gjuhës online nuk është fenomen i rastësishëm i kohës sonë. Ai është vazhdimësi – jehonë e një historie ku arsimi nuk arriti të zhvillojë një kulturë të qëndrueshme të komunikimit publik. Në këtë kuptim, komentet në rrjetet sociale nuk janë thjesht shpërthime spontane emocionesh, por pasqyrë e një historie të gjatë mungese arsimimi dhe formimi gjuhësor.
