Një kuptim – tri fjalë të ndryshme

Midis fjalëve Pashkët, Easter dhe Uskrs nuk qëndron vetëm një dallim gjuhësor - qëndrojnë rrugë të ndryshme të historisë. Çdo fjalë fsheh një rrëfim të vetin - për besimin, gjuhën dhe vazhdimësinë e një populli

A.M. Perkaj

E njëjta festë, e njëjta fe, por, terminologjia me kuptime të ndryshme. Midis fjalëve Pashkët, Easter dhe Uskrs nuk qëndron vetëm një dallim gjuhësor – qëndrojnë rrugë të ndryshme të historisë. Çdo fjalë fsheh një rrëfim të vetin – për besimin, gjuhën dhe vazhdimësinë e një populli.

Tradita shqiptare
Fjala shqipe Pashkët nuk është vetëm emër i festës – ajo është një udhëtim nëpër histori. Prejardhja e saj vjen nga hebraishtja Pesah, përmes greqishtes Pasha, deri te latinishtja Pascha. Pra, fjala ka kaluar nga hebraishtja në greqisht dhe më pas në gjuhë të tjera, përfshirë shqipen. Forma të ngjashme gjenden në shumë gjuhë: italisht (Pasqua), frëngjisht (Paques), rusisht (liturgjik Paskha, trashëguar nga rrethi kulturor grek, krahas shprehjes popullore Voskresenije).
Në termin Pashkët pasqyrohet vazhdimësia e traditës së krishterë në Mesdhe: populli shqiptar e ka ruajtur pa ndërprerje një emërtim që ka udhëtuar nëpër shekuj dhe qytetërime, duke u trashëguar brez pas brezi.

Pse lidhen Pashkët me Pesahun?
Sipas Besëlidhjes së Re, Darka e Fundit dhe ringjallja e Jezusit ndodhin pikërisht në periudhën kur hebrenjtë kremtonin Pesahun. Për këtë arsye, të krishterët e hershëm ruajtën emërtimin Pascha/Pasha. Pesahu në traditën hebraike simbolizon çlirimin dhe kujtesën e daljes së hebrenjve nga Egjipti, rreth vitit 1250 p.e.s. Kështu, Pashkët nuk është vetëm një emër – është lidhje historike dhe kulturore me origjinen e fesë dhe traditës.
Gjuha shqipe është një gjuhë shumë e vjetër indoevropiane, që përbën një degë më vete (izolat). Fjala Pashkët, edhe pse e huazuar në origjinë, dëshmon vjetërsinë dhe vazhdimësinë kulturore dhe fetare të shqipes në Ballkan dhe qëndrueshmërinë e saj përballë dyndjeve të popujve të sllavë gjatë Mesjetës.

Tradita gjermanike
Evropa Veriore përdor terma si Easter ose Ostern, të cilët nuk kanë të bëjnë me Pesahun. Ata lidhen me perëndeshën e lashtë gjermanike të pranverës, Eostre, dhe me simbolikën pagane të cikleve të natyrës. Tradita e krishterë mbeti, por emri tregon një përvojë historike dhe një kontekst kulturor tjetër.

Tradita sllave
Termat sllavë si Uskrs ose Vaskrs përshkruajnë drejtpërdrejt ngjarjen teologjike: ringjalljen. Në bullgarisht përdoret Velikden (“Dita e Madhe”), në sllovenisht Velika noč, në çekisht Velikonoce, në sllovakisht Velka noc. Pra, sllavët perëndimorë shpesh përdorin konceptin “Nata e Madhe”, ndërsa ata jugorë “ringjallje”. Në këto terma nuk ka ndërmjetësim – fjala shpreh vetë besimin dhe teologjinë e krishterë. Edhe kur përdoret “Nata e Madhe” apo “Dita e Madhe”, ideja e ringjalljes është e pranishme – vetëm emërtohet ndryshe.

Në fund
Në një fjalë si Pashkët përmblidhet vazhdimësia e gjuhës dhe identitetit shqiptar në Ballkan, e lidhur me traditën e lashtë hebraiko-greko-latine. Në të njëjtën kohë, termat e ndryshëm në Evropë – gjermanikë apo sllavë – tregojnë sa i larmishëm është interpretimi i të njëjtit festim. Përmes këtyre fjalëve flet historia, kultura dhe identiteti i popujve.

Të fundit

më të lexuarat