Memli Kurti
Ndërsa Mali i Zi negocion me Bashkimin Evropian për kapitujt që lidhen me të drejtat themelore dhe sundimin e ligjit, një realitet shumë më i thjeshtë dhe shumë më i dhimbshëm po zhvillohet larg sallave të Brukselit: djali im 3-vjeçar trajtohet si i huaj në vendin e babait të tij.
Në një kohë kur shteti ynë flet për integrim evropian, për lëvizje të lirë dhe për një shoqëri pa barriera, brenda jetëve tona po ndërtohen kufij të rinj – kufij që nuk ndajnë shtete, por ndajnë prindërit nga fëmijët e tyre.
Unë jam shtetas i Malit të Zi, i lindur në Tivar dhe banor i Ulqinit. Këtu jetoj, këtu punoj dhe këtu paguaj taksat e mia. Por djali im, ende pa mbushur tre vjeç, nuk ka të drejtë të ketë të njëjtën shtetësi me babanë e tij.
Arsyeja është absurde në thjeshtësinë e saj: ai ka lindur në Kosovë, vendlindjen e nënës së tij, dhe ligji i Malit të Zi nuk e lejon dyshtetësinë.
Një jetë që filloi si mrekulli
Për djalin tim, lindja në Kosovë nuk ishte një zgjedhje administrative. Ishte një luftë për jetën.
Ai lindi para kohe, në muajin e shtatë të shtatzënisë, me vetëm 1250 gramë. Në ato momente kritike ku jeta u lëkund në fije të peri, mjekët dhe fuqia e Zotit bënë mrekullinë, duke fituar betejën për çdo frymëmarrje të tij.
Në atë kohë askush nuk mendonte për dokumente apo pasaporta. Prioritet ishte vetëm një gjë: që ai të jetonte.
Sot ai është një fëmijë i shëndetshëm. Por ndërsa ai rritet, shteti im vendos përpara tij barriera ligjore, duke e trajtuar si një të huaj në vendin e babait të tij.
Mali i Zi më i rreptë se Evropa
Shpesh dëgjojmë argumentin se edhe disa vende të Bashkimit Evropian nuk e lejojnë dyshtetësinë. Kjo është e vërtetë vetëm pjesërisht.
Por ekziston një dallim thelbësor: SHTETET MODERNE NUK E NDËSHKOJNË FËMIJËN.
Vende si Austria, Holanda apo Estonia, të njohura për politika të rrepta në këtë fushë, e lejojnë dyshtetësinë për të miturit deri në moshën 18-vjeçare. Vetëm atëherë, kur personi bëhet i rritur, kërkohet që ai të zgjedhë.
Pra, shtetet evropiane e kuptojnë një gjë shumë të thjeshtë: NJË FËMIJË NUK PËRBËN RREZIK PËR SOVRANITETIN E NJË SHTETI.
Pse atëherë Mali i Zi kërkon të jetë më i rreptë se vetë Evropa?!
Midis kapitujve të Brukselit dhe realitetit të Ulqinit
Në Bruksel, Mali i Zi negocion Kapitullin 23 për gjyqësorin dhe të drejtat themelore dhe Kapitullin 24 për drejtësinë dhe të drejtat e njeriut. Në dokumente flitet për standarde evropiane, për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe për një shoqëri ku dinjiteti i njeriut është në qendër. Por në realitet, djali im përballet me një diskriminim të heshtur administrativ. Reformat në letër nuk kanë asnjë kuptim nëse një fëmijë nuk mund të ketë identitetin e babait të tij.
Një shtet që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian nuk mund të mbajë peng të ardhmen e fëmijëve të vet me LIGJE QË I PËRKASIN NJË EPOKE IZOLIMI.
Lejeqëndrimi nuk është identitet
Zgjidhja që shpesh ofrohet është lejeqëndrimi i përhershëm. Por lejeqëndrimi është për mysafirët. Djali im nuk është mysafir në shtëpinë e tij. Ai nuk po kërkon një status administrativ që mund të tolerohet apo të revokohet. Ai kërkon identitetin që i takon me gjak – të njëjtin identitet që ka babai i tij.
SA HERË QË KALOJMË KUFIRIN NË SUKUBINË, UNË HYJ NË VENDIN TIM SI VENDAS, NDËRSA DJALI IM HYN SI I HUAJ. Ky është një realitet absurd që nuk mund të arsyetohet me asnjë parim modern të të drejtave të njeriut.
Një pyetje për shtetin
Kjo histori nuk është vetëm për djalin tim. Ajo është për mënyrën se si një shtet i trajton fëmijët e qytetarëve të vet.
Nëse integrimi evropian ka ndonjë kuptim real, ai duhet të fillojë nga mbrojtja e identitetit dhe dinjitetit të më të vegjëlve. Një fëmijë nuk mund të jetë kërcënim për një shtet. Por mënyra se si një shtet e trajton një fëmijë tregon shumë për nivelin e tij të demokracisë.
Ndërsa Mali i Zi flet për Evropën, mbetet një pyetje: si mund të jetë një fëmijë i huaj në vendin e babait të tij?
(Marrë me leje nga faqja e autorit në Facebook)
