Mirsad Rexha, fermeri i ri nga Kllezna vendosi të ardhmen e tij në blegtori dhe bujqësi

Gjekë Gjonaj

Në shumë fshatra të Anës së Malit mbarështimi i deleve si biznes është lënë pas dore viteve të fundit. Për fat të mirë ende ka fermerë, edhe pse në numër të vogël, të cilët jetojnë nga blegtoria e bujqësia. I tillë është edhe 44 vjeçari Mirsad Rexha , me familje nga fshati Kllezën Naltë i Anës së Malit, Komuna e Ulqinit.
Kllezna është një vendbanim malor që ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Ulqinit. Kushtet natyrore të këtij fshati me kullosa dhe me fusha pjellore (livadhe), mundësojnë zhvillimin e blegtorisë dhe bujqësisë. Banorët e këtij fshati në të kaluarën kryesisht merreshin me blegtori e bujqësi.

Historia e tij e biznesit
Mirsad Rexha i donte kafshët që i vogël, ndaj ishte e logjikshme që ai të mos hiqte dorë nga dashuria e tij. Historinë e tij të biznesit e filloi para më se dy dekadash, pas përfundimit të shkollës fillore dhe të mesme. Prej atëherë, kur u krijuan kushtet, pra kur u bashkuan dashuria dhe dëshira për t’u marrë me blegtori, mori një vendim të prerë. Ishte një lloj konfirmimi i punës së tij. Filloi të shtojë numrin e deleve, e më vonë edhe të bagëtive të tjera të ima dhe të trasha dhe kështu ia plotësoi vetes dëshirën për të bërë këtë punë.

Vazhdim i traditës familjare
Mirsad Rexha e trashëgoi dashurinë e tij për mbarështimin e dhenve nga gjyshi dhe babai i tij. Kjo veprimtari për familjen Rexha është përcjellë nga brezi në brez , si një lloj tradite dhe tani këtë profesion biznesi e ushtron me shumë dashuri, vëmendje e kujdes Mirsadi, bashkëshortja e tij Suada, me ndihmën edhe të fëmijëve të tyre, djemve Merdijanit, 17 vjeç , Merdinit 8 vjeç dhe vajzës Merdinës 11 vjeçe.
Ky fermer i ri, por i sukseshëm me përvojë më se 25 vjeçare, i cili jeton nga produktet blegtorale dhe bujqësore, nga viti në vit e shtoi tufën e bagëtive pasi u bind se delet , dhitë dhe lopët nuk janë shumë kërkuese dhe se kjo veprimtari nuk është tepër e vështirë nëse ke vullnet për të . Siç tregon Mirsadi, fermeri më i madh jo vetëm i këtij fshati, por ndoshta edhe i krejt zonës së Anës së Malit, kur mbarështimi i dhenve është në gjene, ato bëhen shpejt kafshë të preferuara.
“Pasi i doja shumë kafshët , edhe pse e dija se puna për kujdesjen dhe kultivimin e tyre nuk është lehtë, por as shumë e vështirë nëse ke vullnet dhe dëshirë për këtë veprimtari, vendosa të shtoj numrin e kopesë sime. Aktualisht kam mbi 180 krerë dele, 30 krerë dhi , dhe afro 40 krerë bagëtishë të trasha në mesin e të cilave edhe kuaj, të cilët i mbaj më shumë për qef se sa për punë. Unë dhe bashkëshortja ime kemi vendosur të mbartështojmë delet, dhitë dhe lopët autoktone (vendase) , të cilat janë një recetë e provuar për sukses në këtë fshat”, thotë Mirsadi.

Tufën e tij e kullotë në Kllezën dhe në Mal të Birsë
Për shumë blegtorë, mungesa e kullotave paraqet problem serioz, por jo edhe për Mirsadin. Ai sqaron se tufën e tij e kullotë gjatë gjithë vitit në Kllezën dhe në Mal të Brisë.
“ Pjesën më të madhe të vitit kopenë time të dhenve e kullosi në Mal të Brisë, në pronat e Pero dhe Gjuro Vukçeviqit, të cilat gjithëherë i shfrytëzoj falas, ndërsa unë ua mirëmbaj atyre pronat dhe përkujdesem për to. Tre-katër muajt e vitit tufën time e kullosi në fushat (livadhet) e Klleznës Poshtë”, shpjegon Mirsadi.

Shitja e produkteve blegtorale e siguruar në prag të shtëpisë
Produktet kryesore të fermës së dhenve të familjes Rexha janë qumështi, djathi dhe mishi. Për këtë blegtor fisnik kanë dëgjuar në pjesët më të largëta të Komunës së Ulqinit dhe Tivarit, kështu që ai nuk ka nevojë të kërkojë klientë, ata vijnë tek ai. Shitjen e deleve dhe deshve për mish, familja Rexha e bën kryesisht për kurbana, por ajo shet edhe qengjat, edhat dhe viçat. Cilësia e mishit është e mirë, thotë Mirsadi, sikurse edhe e produkteve të tjera bujqësore organike që ai prodhon.

Qumështi i dhisë më i shëndetshmi
Të gjitha produktet blegtorale të Mirsad Rexhës janë organike dhe cilësore, por qumështi i dhisë është më i shëndetshmi, gjë të cilën e dëshmon edhe kërkesa e tij në treg që është gjithnjë e më shumë në shitje. Ky produkt, shton Mirsadi, është një produkt i shëndetdshëm të cilin konsumatorët po e kërkojnë gjithnjë e më shumë, për shkak se përfitimet e tij janë shumë të mëdha, sepse përmban vitamina të grupeve ndryshme të cilat në përgjithësi kanë efekt të dobishëm për trupin e njeriut.

Kriza botërore reflektohet edhe në blegtori e bujqësi
Kriza globale po prekë ngadalë të gjitha aspektet e jetës. Pra radha i erdhi edhe blegtorisë (bariut). Ndryshe nga viti i kaluar, çdo gjë është bërë dyfish më shtrenjtë për bagëtinë. Kjo ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit të produkteve blegtorale. Mirëpo, unë deri më tani, klientëve të mi ende ju kam shitur produketet me çmime të mëparshme. Mirëpo, në të ardhmen do të jem i detyruar të përcjelli çmimet e tregut.

Kush dëshiron të punojë, mund të jetojë nga blegtoria
Në pyetjen tonë se një familje e cila dëshiron të merret me këtë biznes a mund të fitojë para dhe të jetojë nga blegtoria, Mirsad Rexha përgjigjet pozitivisht: “ Kush do të punojë me përkushtim dhe me vullnet në sektorin e blegtorisë, pavarësisht rrrethanave, kushteve dhe vështirësive reale me të cilat patjetër do të përballet çdo blegtor, mund të jetohet nga ky kjo degë ekonomike. Por, për fat të keq gjithnjë e më pak ka të rinj anamalas të interesuar për këtë biznes (veprimtari), pothuaj në zhdukje. Siç thotë fjala, askush nuk do të marrë më shkopin e çobanit dhe të ndjekë bagëtinë, as do të merret me blegtori.

Shembull i një fermeri të ri punëtor i cili i mbeti besnik jetës idilike të fshatit
Të shtojmë se Mirsad Rexha përveçse është blegtor i dalluar, njëherazi është edhe bujk i suksesshëm dhe punëtor i zellshëm e i papërtueshëm. Kultivon produkte të ndryshme bujqësore dhe posedon makinerinë e nevojshme bujqësore. Është shfrytëzues i subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë dhe shembull i një kryefamiljari të ri shumë punëtor e mikpritës, i cili i mbeti besnik jetës idilike të fshatit, natyrës së virgjër, ajrit të pastër, burimeve të freskëta të ujit e pasurive të tjera natyrore që ofron lokaliteti i Klleznës me rrethinat e saj.

Të fundit

më të lexuarat