
(vijon nga numri i kaluar)
- 6.7. Studiuesi dhe historiani i letërsisë, mendimtari i shqiptarizmit
Atdheun shpirtëror të shqiptarëve e krijuan rilindësit shqiptarë, shumica e të cilëve ishin shkrimtarë, para se Shqipëria të shpallte pavarësinë, në vitin 1912. Ata rikrijuan edhe gjuhën kombëtare shqipe, rikthyen kultin për Heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeun, përkatësisht ngjizen kombin shqiptar. Të gjitha këto, kryesisht u bënë gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1878-1912), e cila filloi me formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe përfundoi me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Do të kalonte rreth një shekull, dhe prapë shkrimtarët e studiuesit e letërsisë do të duhej të merrnin peshën e historisë mbi shpatullat e tyre, për të krijuar tashmë atdheun e dytë të shqiptarëve: Kosovën, pasi klasa politike kishte dështuar ta bëjë këtë. Kjo periudhë kishte zhvillimet kryesore që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta të shekullit të shkuar, duke përfunduar, më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës.
Në këtë kontekst historie, Rexhep Qosja ka rolin e ideologut të kombit, i cili idenë që personifikohet me Ibrahim Rugovën, për Kosovën e pavarur, e sheh si një fazë kalimtare për zgjidhjen e plotë të Çështjes shqiptare, që sipas tij është bashkimi kombëtar.
Qosja para se të botojë veprat bazë, në të cilat do të krijojë profilin e ideologut kombëtar të tij, bëri punën e studiuesit, përkatësisht historianit të letërsisë. Ai botoi “Historia e letërsisë shqipe I, II” (1984), “Historia e letërsisë shqipe III” (1986) dhe po në këtë vit doli monografia kushtuar poetit kombëtar Naim Frashëri, “Porosia e madhe”. Është pikërisht “Porosia e madhe” që Qosjen do ta vendosë përfundimisht në epiqendrën e punës së tij për shkrimin e veprës për shqiptarizmin; në pozitat e rilindësit të fundit.
Idenë e Rilindjes Kombëtare e kishte filluar e ndërtuar Naim Frashëri, me sivëllezërit e tij gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, e cila u risoll nga Rexhep Qosja për t’u rrumbullakësuar në shekullin e njëzetë. Qosja e përmblodhi këtë ide, sidomos në veprat: “Populli i ndaluar” (1990), “Strategjia e bashkimit kombëtar” (1992) dhe “Çështja shqiptare: historia dhe politika” (1994) e vepra të tjera. - 9. 10. Kronikani, i intervistuari, profesori
Ishte periudha e viteve 1980-1990, kur studentët dhe tjerët, pa marrë parasysh se çfarë studionin shkonin dhe mbushnin sallën në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, siç quhej atëherë Fakulteti Filologjik, kur mbroheshin temat e magjistraturës apo doktoratës, jo për kandidatin por për faktin se aty mentor ishte akademik Rexhep Qosja. Një nga ata, kur e merrja vesh isha edhe unë. Ishte kënaqësi të dëgjoje sesi i shprehte mendimet profesor Qosja: qartë e kuptueshëm, me argumente dhe shembuj, me sugjerime e këshilla, duke hapur edhe rrugë për studimin e mëtejmë të çështjes, procesit apo problemit, për të cilin diskutohej, por gjithnjë duke vlerësuar punën dhe dinjitetin e magjistrantëve dhe doktorantëve përkatës që mbronin punën e tyre. Ai vendoste pikat mbi i, – siç thuhet.
Pikërisht në këtë periudhë, por sidomos pas viteve të nëntëdhjeta, ishte privilegj të lexoje apo dëgjoje a shikoje intervistat që Profesori i jepte për mediat e ndryshme. Konsumuesit e tyre arrinin të shihnin rrugët kah duhet ecur, jo vetëm për letërsinë, kulturën, por edhe për çështjen kombëtare dhe zhvillimet e shqiptarëve të kohës, sidomos të Kosovës. Intervistat e dhëna të Rexhep Qosjes, krahas atyre të shkrimtarit Ismail Kadare, në ato vite, kishin nivelin e postulateve, sidomos ato me shkrim.
Në çerekshekullin e fundit të jetës së tij, Qosja do të kalonte zhgënjim pas zhgënjimi ndaj elitave publike, para së gjithash politike dhe qeverisëse, por ai si idealist i papërmirësueshëm vazhdoi deri në vitet e fundit t’i besojë kauzës së tij kombëtare. Kjo pjesë e krijimtarisë së tij u konkretizua me botimin e ditarëve të tij, duke e shndërruar atë në një nga kronikanët më të rëndësishëm për kohë të rëndësishme dhe vendimtare. Librat kryesorë që i përkasin kësaj fushe janë: “Dëshmitar në kohë historike” I-VIII, botuar në vite të ndryshme. - Fundi dhe drita pa mbarim
Dhe erdhi edhe dita kur profesor Qosja shkoi nga kjo jetë. Rexhep Qosja u takonte njerëzve të një specieje në zhdukje e sipër që, edhe me vdekjen e vet, trondisin. Ai e la të shkruar se nuk do kurrfarë fjalimi nga askush në ditën e varrimit të tij që lë të kuptohet qartazi, se nuk donte t’u krijojë kënaqësinë e shpërdorimit të veprës dhe jetës së tij, çfarëdo lloj shpërdoruesi që mund ta bënte këtë.
Kjo është pika zero, për ata që kanë prekur fundin, që nuk harrojnë se janë të vdekshëm, ata që “përfaqësojnë interesat e shqiptarëve”, prandaj janë në këtë pikë. Mbase nga zeroja fillon pikërisht ringritja e tyre?!
Dhe në anën tjetër, është qiriu i Naimit që edhe i shkrirë vazhdon të lëshojë dritë, sikurse edhe drita e veprës së akademik Qosjes (trashëgimtarit të Naimit) që shndrit rrugën e shqiptarizmit, dritë që bën dritë, deri në pambarim.
(P.s. Mua më mbetet një ngushëllim krenar i papërsëritshëm dhe i dhimbshëm njëkohësisht në raport me Profesorin. Së bashku me shkrimtarin Ag Apolloni, në vitin 2011, ishim në kabinetin e tij, në të cilin takim diskutuam për mundësinë e botimit të një libri të tij, në vendin e lindjes së tij, ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, nga ishte edhe ai, libër i cili nuk u botua as deri në ditët e sotme). (Fund)
